Spanja dhe Italia nuk e “trembin” Shqipërinë, Panucci: Jam i fiksuar te suksesi

Spanja dhe Italia nuk  e “trembin” Shqipërinë, Panucci: Jam i fiksuar te suksesi
Christian Panucci i ka idetë e qarta. Trajneri italian debutoi në stolin kuqezi, në përballjet e kaluara kualifikuese të Kupës së “Botës Rusi 2018”, me një fitore ndaj Lihtenshtejnit dhe një barazim ndaj Maqedonisë në transefertë. Më 6 tetor ndaj Spanjës jashtë dhe më 9 tetor ndaj Italisë në Shkodër, ndoshta pikët do të ishte e tepërt t’i pretendonim. Trajneri italian, gjithsesi, pas listës me 26 lojtarë të grumbulluar për këto dy ndeshje, ndaj ekipeve që kanë shkruar historinë e futbollit botëror, kërkon më të mirën, një përfaqësim sa më dinjitoz dhe pse jo ndonjë surprizë. Ai ka rikthyer në kombëtare Taulant Xhakën, Sokol Cikalleshin si dhe Emir Lenjanin apo Ergys Kaçen, ndërkohë iu përgjigj edhe interesit të medieve lidhur me dy ndeshjet e mbetura, para se ish-mbrojtësi i shquar i kombëtares italiane të nisë të mendojë për fushatën e kualifikueseve Euro 2020, çka është objektivi i tij kryesor në postin që mban aktualisht, si trajner i kombëtares shqiptare:

Çfarë synoni të arrini ndaj Spanjës dhe Italisë?

Me Spanjën dhe Italinë janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për imazhin e Shqipërisë. Janë dy skuadra më të forta se ne, por futbolli na tregon se edhe përballë më të mirëve mund të bësh diçka të rëndësishme. Këto janë ndeshje ku merr vëmendjen e disa klubeve, pasi sfida të tilla i sheh e gjithë bota. Duhet të luajmë plot krenari dhe  dëshirë. Të provojmë të bëjmë më të mirën, sepse ndeshjet nisin 0-0. Dua 11 “luanë” në fushë. Ne do të provojmë të marrim rezultat, sepse kjo do të na lumturonte dhe do t’i jepte imazh shumë të mirë Shqipërisë. Kemi respekt për këta kundërshtarë, por do të provojmë të bëjmë diçka, sepse nuk më pëlqen të dëgjoj që skuadrat kundërshtare janë më të forta se ne ende pa luajtur. Askush nuk duhet të aktivizohet i dorëzuar.

Pse nuk ka lojtarë në kombëtare nga kampionati shqiptar?

Po i vëzhgoj të gjithë, por për dy ndeshjet e fundit kualifikuese preferova të ruaj grupin e zakonshëm. I kam të qartë lojtarët që duhet të ndjek në kampionatin shqiptar. Pas këtyre dy ndeshjeve nis një epokë e re dhe nëse dikush do të jetë në nivelin e duhur do të afrohet në kombëtare.

Sabien Lilaj po shkëlqen me Skënderbeun?

E kam ndjekur edhe gjatë kësaj vere, kur pashë ndeshjen e parë në Shqipëri. Është absolutisht një lojtar që po e ndjekim.

Mungesat te Spanja dhe Italia?

Spanja ka shumë lojtarë të mirë. Lopetegui fle disa orë më tepër se unë, edhe pse disa janë dëmtuar. Carvajal, Iniesta, Morata dhe situata e Pique janë lojtarë të rëndësishëm, por spanjollët kanë një kontingjent që mund ti mbulojnë edhe 3-4 mungesa. Mbetet një ndeshje shumë e vështirë.

Po Italia ka shumë lojtarë cilësorë?

Belotti, De Rossi që nuk e di nëse luajnë, por për Italinë do të nis të mendoj nga e shtuna.

Sa vlen taktika ndaj Spanjës?

Këto janë ndeshjet më të thjeshta për të përgatitur për një trajner, sepse besoj se në karrierën e një lojtari nuk është e rëndësishme përfitimet ekonomike, por gjërat e rëndësishme që bën gjatë karrierës. Këto janë ndeshje që do të mbahen mënd gjithmonë dhe uroj që lojtarët e mi të kenë dëshirën të ndryshojnë historinë. Ende nuk e kam vendosur formacionin titullar, por do të luajnë vetëm ata që kanë më tepër dëshirë gjatë këtyre tre ditëve. Kjo edhe nëse do të më duhet të marr vendime të vështira. Duhet të kemi respekt për Spanjën dhe Italinë. Duhet të dish defektet e tua dhe ne e kemi të qartë cilët jemi. Por do të provojmë ti godasim sa herë të na jepet mundësia.

Ndaj Spanjës më mirë të jesh agresiv apo...?

Kundër Spanjës është e vështirë të luash mirë, sepse zakonisht ky ekip e mban topin 70 për qind të kohës. Duhet kujdes nga çdo gjë që duket i lehtë, sepse ata shfrytëzojnë çdo detaj të vogël. Ne do të provojmë të luajmë futboll dhe me kurajo. Preferoj të humbas, por duke qenë kurajozë. Të jemi realistë, Spanja është e fortë, por në futboll mund të ndodhë gjithçka si në Francë-Luksemburg.

Me Spanjën apo Italinë, cila është ndeshja më e rëndësishme?

Të dyja, mund të na japin prestigj. Kundër Italisë është një ndeshje që e gjithë Shqipëria e pret me padurim. Natyrisht që ndeshja me Italinë më emocionon, ashtu si edhe ajo me Spanjën, ku kam kaluar etapën më të rëndësishme në karrierë. Megjithatë, personalisht më intereson vetëm Shqipëria, jam i fiksuar te suksesi i ekipit Kombëtar dhe pjesa tjetër është në dorë të lojtarëve.

Kukeli, Mavraj dhe Roshi mungojnë dhe penalizimi i Spanjës prej Katalunjës. E mendoni fazën “Play-off”?

Nuk dëshiroj të diskutoj për çështjet politike. Nuk më pëlqen dhe janë situata mjaft delikate. Ne mendojmë të luajmë futboll dhe të provojmë të japim më të mirën. Asgjë më tepër. Personalisht kam keqardhje për atë që po ndodh në Spanjë, por e mbyll këtu komentin.Mungesat tona? Janë lojtarë të rëndësishëm, ashtu si te Spanja nuk është Busquets, por do të hedhin formacionin më të mirë për të bërë diçka të mirë.

Shanse që të fitojmë me Spanjën?

Do të duhet të kemi edhe fatin me vete. Natyrisht që duhet të jemi shumë solid në mbrojtje, pasi ata do të kenë ndeshjen në kontroll. Sa herë që do të kemi topin, duhet të shfaqim kurajë dhe të provojmë ti godasim.

Keni luajtur në Spanjë dhe tani ktheni si trajner…

Spanja është një etapë e rëndësishme në jetën time, djali im ka lindur atje. Por, emocioni më i madh do të ishte që ekipi im të bëjë një ndeshje të madhe. Në këtë rast do të isha edhe më i emocionuar.

Atalanta Juventus 2-2, sa besim kishe që Berisha mund të priste penalltinë e Dybala? Ndoqët gjithashtu edhe Milan-Roma?

E ndoqa ndeshjen e Atalantës me Juventusin, ishte shumë e bukur. Pashë penalltinë e pritur nga Berisha. Ndoqa gjithashtu edhe Milan-Roma, dy skuadra ku kam luajtur dhe e pashë si spektator kureshtar. Roma mu duk disi më e fortë si ekip, por e shijova atë duel.

Ishit me Milanin apo Romën?

I jam mirënjohës të dyja skuadrave për karrierën time, por ndeshjen e ndoqa jo si tifoz. Milani është në ndërtim, ndërsa Roma ka diçka më tepër.

De Biasi u kthye në Spanjë dhe fitoi në debutim. Ai tha se nëse ju (Shqipëria) fitoni në Alikante, në Itali do t’ju bëjnë monument. Ku do të dëshironit të ngrihej ky monument?

“Jam i lumtur për Giannin, madje e urova me mesazh. Por, të shohim se çfarë do të mund të bëjmë në Spanjë dhe kundër Italisë. Me De Biasin jemi miq dhe jam i lumtur për debutimin e tij me fitore.”

Shqipëri-Spanjë e keni parë disa herë, çfarë do të bënit ndryshe po të ishit juve?

Nuk ia lejoj vetes të ndërhyj në lëvizjet që ka bërë De Biasi në atë ndeshje. Secili luan në mënyrën e tij. Kam disa ide për ndeshjen dhe do të provojmë ti zbatojmë, por po flasim për një prej skuadrave më të forta në botë. Vullneti, përulja dhe profesionaliteti bëjnë që në disa momente të arrish atë që do. Ne do ta provojmë.”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: