“SPARTA” ËSHTË E VERBËR- OPINION NGA FRROK ÇUPI

“SPARTA” ËSHTË E VERBËR- OPINION NGA FRROK ÇUPI
 

Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Gratë e Spartës së Likurgut, nuk e dinin cili ishte burri dhe babai i fëmijës së tyre. Burrat vinin natën nga lufta, prapë natën ngriheshin nga shtrati e shkonin në luftë. Asaj epoke, shumë studiues ia vunë emrin “Sparta e verbër”, - as e dinte ku mblidhej njeriu në mbrëmje, as ku shkonte në mëngjes...

... As e dimë ne, “spartanët” shqiptarë, kur do të kemi Drejtësi? Kur do të kemi “Shpagim”? Cili është më i mirë se tjetri? ... dhe, në fund, ku është lidhur nyja jonë?

Unë nuk jam i idesë se ne shqiptarëve na është lidhur nyja. Por, përderisa, shumica absolute e vërtisin nëpër dhëmbë këtë nocion,atëherë le ta konsiderojmë. Lidhja e nyjës shqiptare ka një jetë të gjatë sa vetë Sparta e Peloponezit. Përderisa e pranojmë me krenari se jemi komb i vjetër në trojet tona, atëherë edhe defektet i kemi të vjetër. Por kjo është një çështje e historisë së gjatë...

Jemi sot këtu dhe si të verbrit e Spartës, prekim njëri-tjetrin: “A je ti këtu?... A mbaroi reforma apo isha në ëndërr?”

1.

Kur nis Reforma e Drejtësisë?

Jemi i vetmi komb në botën e qytetëruar, që nuk e dimë kur nis e kur mbaron reforma e drejtësisë sonë, për shembull. Si mund të dimë se kur nis e kur mbaron kontrata me shtetin?! Sikur të gjithë banorët e vendit, - objekte dhe konsumatorë të drejtësisë, - të përfytyroheshin në një klasë shkolle dhe të pyeteshin: Kur nisi e kur mbaron reforma e drejtësisë? - të gjithë do të ngeleshin në klasë. As “mësuesi” nuk ka treguar kurrë, se kur nisi e kur do të mbarojë reforma, por as nxënësit nuk kanë pyetur kurrë. Mësuesi është fshehur nga nxënësit dhe nxënësit nga mësuesi. Pas kësaj perdeje të errët, kanë lindur mijëra spekulime. Spekulimi alias komunist se, “prisni edhe pak, reforma po sjell mrekullinë përtokë”. Spekulimi se “do ta shikoni si do të burgosim bosët!”. Njerëzit janë gëzuar se, do të shikojnë prapa hekurave shefat e shtetit, dhe nga gëzimi kanë harruar gruan dhe fëmijën... (njësoj si luftëtarët e verbët të Spartës). Dhe spekulimi më i fundit: “Reforma do të çojë në burg bandat e krimit të organizuar!”. A keni vënë re një gjë? Më shumë interesohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të eliminuar kriminelët në Shqipëri, se vetë shqiptarët që rrisin fëmijët këtu...

Prapë duket se kemi të bëjmë me spartanët e Likurgut, ku burrat nuk e dinin cilët ishin fëmijët dhe gratë nuk kishin parë kurrë burrat e tyre...

2.

Cili është më i miri?

Nuk është fjala për njerëzit e kazermës së Spartës, ku herë ka pëshpërima të vogla e herë heshtje absolute. Puna është për ata që zgjidhen prej turmës për të qeverisur Spartën. Ose është më e thjeshtë: Puna është cilën Spartë të zgjedhim, atë të verbër apo me syhapur.

Hera më e fundit ku u pikas fenomeni i “verbërisë”, ishte 25 qershori i këtij viti. Votuesit shqiptarë vendosën të votojnë për të njëjtin që kishin votuar para katër vjetësh. Pse? Analizat e bëra, deri më sot, ende nuk kanë kapur thelbin e përgjigjes, që është fenomeni i Spartës së Verbër. Votuesit i dhanë gjithë pushtetin atij që dukej aty, atij që e kishin parë dhe e njihnin. Qeveria socialiste, me kryeministër Edi Rama, iu kërkoi timonin i vetëm dhe atij ia dhanë...

Njerëzia nuk mundi të shikojë tjetërkënd rreth e rrotull. Opozita hyri në tunel. Partitë demokristiane, agrare dhe e minoritetit, u fshehën përtej premtimit të një “dhurate”. Për vete, Partia Demokratike u fsheh po kaq thellë. Ditën më të fundit, kur premtoi se do të dilte nga një çadër ku kishte hyrë prej tre muajsh, hyri në një dhomë tjetër të errët, për një marrëveshje të fshehtë me qeverinë. Pas kësaj tradhtie, vetë çadra mori pamjen e kazermave të ushtarëve të Spartës në sytë e njerëzve, ku burrat vinin natën e dilnin natën nga shtretërit e grave... Atëherë, kur nuk panë njeri tjetër rrotull, votuesit i dhanë gjithë pushtetin Partisë Socialiste. Edhe ushtarët e PD-së nuk e votuan komandantin e tyre, - 230 mijë votues humbën...

Kështu u zgjodh “më i miri”. Refleksi i qytetarëve, në fakt, ishte perfekt: Qytetaria votoi për atë që pa me sy, jo për atë që ishte në errësirë. Edhe sot e kësaj dite, oponenca politike përpiqet kot së koti të japë urdhër: “qeveria të largohet”. Si? Pa e zëvendësuar?.. Kush zëvendëson cilin?... Askush nuk ka mbërritur të dëshmojë se është “më i mirë” se ai që është “i keq”. Fenomeni i errësimit të vlerës, është fenomeni i Spartës së lashtë.

3.

Flu në syrin e aleatëve:

Shikimi flu është i dyanshëm. Aq sa nuk na dallojnë aleatët, po kaq ne nuk i dallojmë ata. Në këtë tunel, ka hyrë politika e kombit.

Ja raporti me Shtetet e Bashkuara

Njëra palë mes nesh, thotë se jam unë aleat me ShBA-në, por në fakt nuk ka prova. Prova e vetme është një foto e ngrirë me presidentin Trump. Edhe pala tjetër që e kanë shpallur armike me aleatin e madh, ka të njëjtën provë: Foto me presidentin e SHBA-së.

Kur janë në Amerikë, falen te Shtëpia e Bardhë, por hanë darkë me miliarderin Soros. Ndërsa kur janë në Tiranë, të gjitha palët janë krijesë jo e Trump-it, por e Soros-it. Cili është aleati, atëherë? Nga “kazerma” nuk mund të shikohet se cili është i vërteti. Popullit ia kanë fshehur.

Ja raporti me Europën

Edhe ky është raport flu. E “djathta” e shpallur e Shqipërisë, në fakt, është më e majtë se e majta. Populistët konservatorë të kontinentit (përfaqësues të Brexit, Trump, sovranitet, kufi të sigurt, etj.,) nuk kanë partner në vendin tonë. Kur hedhin sytë këndej, ata shikojnë asgjë, d.m.th. flu.

Të gjitha palët këtu, betohen për BE-në, por, në fakt, pa dëshmuar çfarë është sot BE në krizë. Vetë ata të BE-së, tregojnë gati përralla për Shqipërinë dhe Ballkanin: Njëri premton negociata në 2018, tjetri asnjëherë, i treti ofron “Traktat ballkanik” jo Europian. Edhe ata nuk shikojnë qartë.

E gjitha është si Sparta antike.

Ligjvënësi tiran, Likurgu, i kishte detyruar luftëtarët të shkonin në kazermë natën, të flinin me gratë, por të mos shikoheshin me njëri-tjetrin. Kur i bënë skulpturën Likurgut, e paraqitën të verbër.

 

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: