Tatimet: “Anti-informaliteti 3”, kemi mbyllur 100 biznese private

Tatimet: “Anti-informaliteti 3”, kemi mbyllur 100 biznese private
Gjatë kontrolleve të ushtruara prej autoriteteve tatimore në territorin e vendit, në kuadrin e aksionit “Anti-informaliteti 3”,  rreth 100 subjekte private janë penalizuar me mbyllje të aktivitetit. Fjala është kryesisht për biznese të paregjistruar, apo për raste të moslëshimit të kuponit tatimor prej tyre.

Këtë e ka pohuar Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, teksa ka dhënë informacion lidhur me ecurinë e aksionit në fjalë, i cili ka startuar në rang vendi që prej datës 1 Tetor 2017.

“Në vijim të fushatës anti-informalitet, administrata tatimore ka qenë e pranishme në territor për të garantuar zbatueshmërinë e ligjit dhe bashkëpunuar me tatimpaguesit dhe qytetarët në këtë betejë të përbashkët kundër evazionit dhe informalitetit”, sqaron DPTT-ja.

Për të pohuar më tej se Shërbimi i Tatimpaguesit ka kontaktuar më shumë se 13.700 subjekte, ka organizuar më shumë se 1500 vizita këshilluese dhe 7700 takime ballë për ballë.

“Administrata tatimore ka mundësuar 2280 kontrolle nga zyra nga të cilat 600 subjekte kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore. 3023 subjekte janë kontrolluar në territor nga të cilat 650 subjekte janë konstatuar me shkelje”, citohet më tej.

/n.e/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: