Të duaaaaaaaaa!

Të duaaaaaaaaa!
Nga Juela Meçani

Fjalët e ëmbla si margaritar, i qëndrojnë mbi krye kohëve të shkuara, atëherë kur na mësonin gjyshërit se përshëndetjet dhe urimet, ishin fjalë magjike. E skuqeshim, deri tek veshët, kur na tërhiqnin vëmendjen më të rriturit, se kishim harruar të kërkonim falje me “më fal” ose të thoshim “faleminderit” në fund, e sigurisht, urimi për një ditë të mbarë, drek të mirë ose natë të qetë, duhet të ishin pjesë normale e ditëve tona. Por fjalët e dashurisë ose shkurtimet përkëdhelëse që shprehin afeksion mes dy njerëzve, bashkë me ato perlat e reja që solli gjuha jonë e ndikuar nga filmat e huaj ose mediat audiovizive, ishin me shumë kursim, madje një shprehje e brendshme e një turpi kolektiv ndaj ndjenjave, por, që me sa duket, paska qenë i duhuri.

Në mendje më vjen një pjesë e estradës së Fierit, që u bë kult në Shqipërinë e mbyllur, teksa aktorja e mirënjohur e teatrit të Fieritn fliste në telefon me djalin që donte: “Kaso të duaaaa, le ta marrin vesh të gjithë!” - duke turpëruar e skuqur portretet e familjarëve të pranishëm.

Të duaaaaaaa; o ylllllll; o syri i bukuuuur; po ti je si dritë, moj; zemraaaaaa, shpirti im ti; ma paske ndriçuar atë vend; të marrshin të ligat! ti je yll, moj; o të vdes unë për ty; o bukuri; puç shumë, unë ty; o buzha e bukur; kujdes mi yllo, se na more në qafë! etj., etj., etj., etj. Po e lë me kaq, se të gjithëve do të na zërë një ngritje sheqeri. Janë fjalë dashurie djemsh për shtojzovallet e tyre?

Joooooooo! Janë mikeshat me komentet e tyre, që po vlojnë nga dashuria dhe malli, edhe pse janë ndoshta në po atë tryezë me të. Janë edhe ato fanset që ëndërrojnë të jenë si ajo që po i pëlcasin mollëzat, janë edhe ato adoleshentet e klasës që kanë zili, por të duan gjithsesi.

Një epidemi e rëndë shprehjesh të thella dashurie, të cilat janë krijuar, janë menduar, janë përdorur, me shumë gjasa, për një dashuri të një lloji tjetër, atë shpirtërore, karnale, shqisore, mendore, atë për të cilën shkruhen poezi e këndohen këngë. Por gjithmonë, më ka bërë përshtypje se nga vjen kjo estradë mes fermave, jo aq profesionale si ajo e Fierit, që ka marrë dhenë, me komplimente pa doganë, aq të sheqerosura sa të trembin, por që kanë lidhje vetëm me pamjen fizike? Të gjithëve na pëlqen të na bëjnë komplimente, nuk mund ta fshehim. E kur na shajnë, sigurisht aty na mbetet mendja me ditë. Por sa realisht, duhet të na përkëdhelë sedrën kur të përplasin një “o shpirti im” ose “e bukura e dheut, ti” ose “të duaaaaaa”, poshtë një fotoje? Nga vjen e gjithë kjo nevojë për të vërtetuar se e “duam” një tjetër të gjinisë tonë, kaq shumë, sa që edhe buzët e saj apo syri, na miklojnë deri aty, sa t’i thurim lavde prej mashkulli?

A mos vallë po shkojmë drejt një hipokrizie “dashurore” ose patologji sociale, si në shumë fusha të dukshme, ku duhet luajtur pjesa se në një “grup”, “klan” ose “taraf” femëror, çdo gjë është OK? Sepse mjafton një ekuilibër i vogël në mes po të njëjtëve njerëz të prishet dhe “puç” kthehet në “kafshim” e ajo “të duaaaaa” kthehet në “të urreeeeej”. Këto fjalë dashurie janë bërë për dashurinë, jo për fasadat e një shëtitjeje sociale në bllok. Janë të shtrenjta, sepse janë për fëmijën e shpirtit, për nënën e xhanit. Sigurisht që edhe mikeshat, disa prej tyre, pse jo, i duam si motra. Por i duam nëse u dalim krah në të mirë e në të keq; nëse nuk i shesim e i përgojojmë sapo kemi debatin e parë; nëse nuk i braktisim apo zhdukemi nga sytë këmbët, sapo zëmë të dashur. I duam shumë e Zoti i bekoftë, por ashtu si në dashuritë mes një çifti, sa më pak lajka ka, aq më të vërteta e të thella dashuritë janë!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: