TË LIRË NGA SKANDALI - OPINION NGA FRROK ÇUPI

TË LIRË NGA SKANDALI - OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ne jemi një grupim njerëzish (komb ose shtet), që nuk kemi skandale. Nuk kemi?!... Ose kemi aq shumë, saqë njëri mbulon tjetrin dhe skandalit i humbet vlera. Ose, qysh prej fillimit, skandali nuk na hyn në sy. Në të dyja rrethanat, skandali rron mes nesh, aq sa rron vesa e mëngjesit...!

Sa jetë kishte skandali i ministrit të Brendshëm, që u kap nga shteti italian si bashkëpunëtor në banda kriminale? Kam frikë se skandali jetoi vetëm një mbrëmje, kur reporterët u mblodhën rreth shtëpisë së tij në “Kodrën e Diellit” dhe po e prisnin me kamera, që ta shikonin me pranga në duar - siç raportuan mediat... Por asgjë nuk ndodhi, dhe skandali nuk ekzistoi më.

Nuk dua të bëj tipologjinë e këtij skandali që ka përmasat më të papara në kontinent. Por ideja e skandalit zinxhir që nuk duket:

Pritja mediatike për prangat në duar të ministrit - po ta tërhiqnin si fije reporterët - do të zbulonte se pas tij fshihej një skandal tjetër. Ministri, i ri në moshë, që nuk kishte punuar e as ishte paguar kurrë deri ditën që u bë ministër, pas katër vjetësh, ka një banesë luksoze, në një nga zonat rezidenciale më të shtrenjta në kryeqytet. As gazetarët dhe askush tjetër, - pas prangave që s’u dukën, - nuk pyetën se ku i mori gjithë këto pará ministri mustaqe padërsitur (siç thonë në Tepelenë)? U morën vetëm me çmimin e syzave (rreth 11 mijë euro), që duken sa t’u hedhësh një sy. Edhe pas këtij syri lanë që të fshihet një skandal tjetër... Shumica e shefave të mëdhenj të Policisë së Shtetit, emëruar gjatë kohës së tij si ministër, kanë blerë shtëpi në zonën rezidenciale ku banon ministri. Çfarë ka ndodhur kështu?... Ose ministri i ka tërhequr të gjithë pas vetes, duke futur në thes të njëjtin ndërtues, - d.m.th., duke e paguar me pará të paligjshme (të drogës, p.sh.,); ose një grup aksionerësh ndërtimi, kanë futur në dorë Policinë e Shtetit, duke i strehuar në pronat e tyre... Por, në çdo rast, kupola e policisë që banon në zonën rezidenciale më të shtrenjtë, është e kapur nga krimi i korrupsionit. Të paktën “krim korrupsioni”...

Prapë, as në këtë rast, skandali nuk vihet re, ose nuk ekziston. Ne, banorët e qytetit ku ka “Kodër Dielli” dhe ata që jetojnë në qytete të tjera pa Kodra, mbetemi të lirë nga skandali.

Nga një faqe anësore e Kodrës së Diellit, është zbuluar një skandal tjetër: Gjithë kupola e Policisë, përfshirë ministri, janë zbuluar nga një oficer policie, të cilin menjëherë  e mbyllën në qeli. Tani, të gjithë këta të “Kodrës...”, i janë sulur oficerit Zagani që ua zbuloi krimin ministror. Është bashkuar edhe partia me këta që zbuluan armikun. Partia, në emër të kupolës së Policisë (edhe të krimit), ka folur ashpër dje pasdite. Sekretari i përgjithshëm i PS-së në pushtet, ka deklaruar se “Zagani është i dënuar  për krime”. Në fakt, ai nuk është dënuar kurrë nga Gjykata, nuk është marrë kurrë në pyetje nga prokurori. Edhe një oficer tjetër armik që zbuloi skandalet, nuk është pyetur kurrë nga prokurori, por u mbajt në burg si të mbahej në vath...

Këto janë skandale të tjera, por skandale skandalozë. Pas tyre, secili prej nesh që rrojmë “të lirë nga skandalet”, duhet të mos vërë gjumë në sy, por të mbrohet nga skandali. Nesër mund ta kesh radhën ti. Ty të vijnë te dera, të marrin në qeli, nuk të regjistrojnë në prokurori, nuk të dërgojnë në gjykatë..., por del i dënuar kriminal...

Megjithatë, ne “nuk kemi skandale”. Çfarë ndodh mes nesh?

1.

Lirinë prej skandaleve, e fitojmë për shkak të “lirisë së neurobiologjisë”. I kemi thënë vetes se, skandali nuk ka peshë mbi ne dhe rrojmë në këtë liri neurobiologjike. Obsesionin na e ka krijuar si sistemi i  mungesës së lirisë, ashtu edhe sistemi i lirisë. Në sistemin e diktaturës nuk kishim asnjë të drejtë dhe përgjegjësi të mendonim mbi skandalin. Kupola politike komuniste, na shërbente si rrufepritëse. Ne, individët, veç duhej të dorëzonim përgjegjësitë, të rrinim të qetë dhe të besonim se nuk ka skandale dhe kaq. Si të ktheheshim në ditët e tanishme dhe të mendojmë mbi “Kodrën e Diellit”...

As sistemi i lirive ku jetojmë, nuk na thotë se kemi rrezik nga skandalet. Prapë në liri. Liria e ka tepruar me nocionin skandal. Mediat, në rrugën për të zhvleftësuar atë çfarë është,  thonë skandal edhe për vjedhjen e një biçiklete, edhe për make-up-in në një studio. Nuk po lexoni përditë se Iksi plasi bombën, për një lajm të rëndomtë. Të paktën, dhjetë ose njëzet bomba të tilla, plasin çdo ditë - sipas mediave. Zhvlerësimi rrugës është mënyra më me vlerë për të mos arritur kurrë, te skandali i vërtetë...

2.

Nuk duam ta shikojmë skandalin? Na vjen mirë që si padroni edhe ne individët, të jetojmë në skandal? Apo nuk jemi të aftë ta dallojmë atë? Çfarë ndodh? ... Duken si pyetje ekzistencialiste, por, në fakt, kjo ndodh: Skandali tërheq skandalin dhe, megjithatë, “nuk i shikojmë”. Pse?

Filozofët, David Hume dhe Emnuel Kanti, kanë shkëmbyer disa ide të ndryshme, mbi atë që njeriu në një situatë jo të përparuar, mendon se edhe skandalet ndodhin në një botë jashtë tij. Ashtu si disa mendojnë se bota jashtë tij nuk ekziston. Të dyja kanë lidhje me fenomenin tonë rreth skandalit. Regjimi i diktaturës i kishte shtyrë njerëzit të mendonin se “bota jashtë nesh, ka vetëm skandale”, d.m.th., krime, varfëri, padrejtësi, vrasje...; gjë që i dha peshë mendimit se ne, përbrenda, “jemi të pastër”. Kjo psikozë vazhdon të dominojë një pjesë të njerëzve, në raport me skandalin. Siç edhe të tjerë kanë nisur ta teprojnë me kriticizmin ndaj vetes dhe kombit; dhe të thonë se këtu gjithçka është e zezë. Por edhe në këtë mënyrë, skandali mbulon tjetrin... Energjitë që njerëzit harxhojnë për pseudo problemin, bëhen pengesë për të shkuar deri te vendi ku ndodh skandali...

Nuk po them vetëm për ‘Kodrën e Diellit’, por për çdo vend e skutë ku nuk hyn drita që të dallohet skandali. Nuk ka më të rëndë se “liria” nga skandali!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: