Valbona Halili: Publiku është lodhur me këngët e huazuara

Valbona Halili: Publiku është lodhur me këngët e huazuara
 

 

 

INTERVISTË/ Flet këngëtarja e mirënjohur: Këngët popullore janë më të kërkuarat, ndaj thuajse kam hequr dorë nga këngët lirike, duke iu përkushtuar atyre, edhe pse kam studiuar për kanto

 

 

Publiku shqiptar është lodhur me këngët e huazuara, prandaj ajo ka vendosur të mos u servirë të tilla. Fjala është për këngëtaren e njohur të këngës popullore, Valbona Halili, e cila në një intervistë të posaçme për “Albanian Free Press”, tregon sesi e ka braktisur këngën lirike pikërisht për të. “Emigrantët kërkojnë këngë patriotike, por edhe këngë për emigrantët dhe dashurinë, këngë të cilat unë i kam të gjitha në repertorin tim. Pra, këngët popullore janë më të kërkuarat, ndaj dhe unë pas vitit 1992, thuajse hoqa dorë nga këngët lirike dhe iu përkushtova këngës popullore, edhe pse kam studiuar për kanto”, - sqaron ajo. Duke na treguar më tej, të gjitha detajet e rrugëtimit të saj si këngëtare e muzikës popullore në vend, kryesisht asaj të Shqipërisë së Mesme ....

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. ZHOLI

 

Dhe pse s’keni bërë album të ri, këngët e tua të fundit, kanë qenë tepër të suksesshme, mund të na flisni për to?

Këto kohë, në fakt, kam bërë dy këngë të reja që kanë pasur mjaft sukses. E para është “M'ka marrë malli” kënduar nga Valbona Halili, Aranit Hoxha dhe Shkurte Fejza dhe “S'ka si çuni”. Të dyja këngët janë pëlqyer dhe kanë pasur shumë sukses. Kërkohen thuajse në çdo aktivitet apo dasmë.

A bëri pushime, këtë vit, Valbona?

Para se të fillonte sezoni, isha disa ditë me pushime në Itali, pasi e di që në sezonin veror, ne nuk kemi kurrë kohë.

Kur e mbaron sezonin e dasmave?

Këtë vit, sezonin e dasmave  e mbaroj në 3 shtator. Pra, deri më 3 shtator, thuajse, jam e zënë tërësisht me dasma, plus që del ndonjë edhe jashtë parashikimit.

Dasmat, kryesisht, i keni pasur brenda Shqipërisë?

Kryesisht po, por kam pasur edhe jashtë si në Strugë, por duke pasur parasysh se largësia më largon shumë punë, thuajse jam përqendruar këtu.

Çfarë po ideon për të bërë?

Kam ideuar të bëj një klip me këngë dasmash të Shqipërisë së Mesme. Madje, doja ta bëja para sezonit, por mbingarkesa nuk më la. Por do ta bëj patjetër, para sezonit tjetër. Janë lënë në hije mjaft këngë, të cilat pëlqehen dhe po mbyten nga shumë rryma.

 

Jeta ecën me ligjet e saj, por gjithkush që ka një profesion të tillë si ju, e përcjell sadopak kohën kur ka filluar të këndojë dhe të dalë në skenë. Si e përcillni atë kohë dhe cila ka qenë kënga e parë që keni dalë në publik të gjerë apo në skenë?

Jeta është si një film. Mbaj mend tek këndoja qysh fëmijë në shtëpi, por edhe në shkollë. Në 8-vjeçare kam filluar të mësoj për violinë. Më pas, duke u marrë me muzikë, fillova të imitoj këngëtaret. Mësuesja ime e pianos, Afërdita Morina, më  dëgjon një ditë dhe më thotë se duhet të vazhdosh për kanto. Ajo më dha shtysën e  parë. Ishte pak e vështirë në fillim. Më dukej si një ëndërr e largët. E paarritshme. Mendoja se këngëtaret janë të një planeti tjetër. Kur dëgjoja këngëtaret shqiptare të muzikës popullore, mbërthehesha nën magjinë e zërit të tyre. Fillova të punoj, gjurmoj. Mundësitë m’u dhanë, unë fillova të hap dyert e këngës. Kam marrë pjesë në aktivitetet e shkollës, në dekadat e majit që zhvilloheshin atë kohë. Pas shkollës 8-vjeçare, shkova në Liceun Artistik dhe të jem e sinqertë, kur mbarova atë, atëherë fillojnë edhe aktivitetet e mia të mirëfillta. Në fillimet e mia të këngës, kam përfaqësuar shkollën tonë. Kur mbarova Liceun Artistik, u aktivizova me Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë. M’u desh të bëja shumë punë, sepse zërin nuk e kisha ende të formuar. Aty kishte shumë profesionistë, që më ndihmuan dhe më dhanë me zemër çdo gjë  që duhej. Ishte koha kur arti, kënga po merrte zhvillim dhe përkrahej shumë nga shteti. Aktivitetet ishin të pafundme, si në shkollë edhe jashtë saj. Kishte aq shumë aktivitete, sa sot them si i kemi përballuar, kur dhe ushqimi nuk ishte i mirë. Ambiciet e mia i kam bazuar në shkollim. Në vitin 1988, kam mbaruar për kanto. Pikërisht në ato vite, kur po liberalizohej jeta shoqërore dhe komunizmi ishte në grahmat e fundit. Në ato vite paraprijëse e liberalizimit, ishte muzika, ku njerëzit shpreheshin më hapur dhe frika sikur ishte larguar. Kënga popullore ishte lënë paksa në hije. Ndërsa kënga ime e parë, ka qenë “Një natë me Hënë”, ku jam prezantuar në spektaklin “12 në Hollivud”, kompozuar nga mjeshtëri, Fatmir Lela dhe orkestruar nga Shpëtim Saraçi. Ishte një mrekulli ajo ditë! Një ditë që më hapi dyert e jetës në drejtim të këngës. Ajo ditë mbetet ende më e suksesshmja e jetës sime në profesionin që kam zgjedhur. Vëmendja e spektatorit në atë spektakël, ishte shumë e madhe dhe dështimi do ishte i pafalshëm. Por jo, çdo gjë shkoi shumë mirë dhe unë realizova ëndrrën time.  Kjo këngë shënoi fillimin e rrugës së suksesit tim. Që atëherë, nuk i jam ndarë më kësaj rruge të vështirë dhe të bukur.

 

Me çfarë synimi hyre në këtë spektakël, çfarë ishte para hyrjes “12 në Hollivud” për ju?

Kur dëgjova për këtë spektakël, menjëherë vendosa të marr pjesë. Ishte diçka e brendshme që më nxiti. Ishte një risi për kohën, kishte diçka të magjishme brenda. Hyra në këtë konkurrim me mendimin jo se do të fitoja (sepse ishte dalja për herë të parë në skenë të tillë), por doja të shihja se deri ku arrinin mundësitë e mia. Vija pas një fatkeqësie, humbjes së nënës. Dashuria për të, dëshira e saj për të kënduar, ajo ndjesi që kisha brenda vetes, se duhet të arrija diçka, bënë që të gjeja forcat e të prezantohesha sa më dinjitoze në këtë spektakël. Jam pritur shumë mirë, deri në gjysmëfinale. Ndoshta nuk shkova në finale, sepse unë isha në një festival që u zhvillua në Turqi, me një grup folklorik. Rëndësi ka që jam pritur mirë. “More, djalë me sytë e zinj”, “Eja, të lutem”, janë këngët me të cilat kam debutuar.

 

Ju përmendët kompozitorin Fatmir Lela; së bashku me të e realizove albumin e parë dhe çfarë ishte për ju ky album?

“12 në Hollivud” më dha forcë, më dha shumë nxitje. Ishte për mua prezantimi më i mirë para publikut. E hodha hapin. Me kompozitorin e talentuar të këngës popullore, Fatmir Lela, realizova albumin tim të parë. Ai ishte shtysa që të realizoja këtë album. Ai më futi në këngët e Shqipërisë së Mesme, ku përfaqësohem edhe sot, pa i ndarë edhe trevat e tjera. Kam qenë një nga këngëtaret e para që kam realizuar një album. Atëherë nuk kishin dalë akoma shtëpitë diskografike. Unë të gjitha tekstet i kam të shkruara dhe kompozuara nga Fatmiri dhe të regjistruara tek studioja e Shpëtim Saraçit. Albumi titullohej “Një natë me hënë”. Ka pasur sukses, si brenda dhe jashtë vendit. Thuajse u përpi!Më dha krahë!

 

Jeni kudo e kërkuar, mund të na thoni shtetet që keni kënduar? Si ja kanë pritur emigrantët dhe cilat kanë qenë këngët e kërkuara?

Prej vitit 1992, unë kam lëvizur thuajse në të gjitha shtetet kryesore ku ka emigrantë shqiptarë. Kërkesat kanë qenë të përvitshme e jo gjithmonë mund të përballohen.  Kam shkuar thuajse në gjithë Europën, por më shumë në Zvicër, Gjermani, Itali, Greqi, etj. Emigrantët kërkojnë këngë patriotike, por edhe këngë për emigrantët dhe dashurie, këngë të cilat unë i kam të gjitha në repertorin tim. Pra, këngët popullore janë më të kërkuarat, ndaj dhe unë pas vitit 1992 thuajse hoqa dorë nga këngët lirike dhe iu përkushtova këngës popullore, edhe pse kam studiuar për kanto.

 

Në verë, në dasma kudo në Shqipërinë e Mesme, por edhe të Jugut, nuk lodheni për 4 muaj sa në një qytet në një tjetër? Nuk harroni ndonjëherë dhe të ktheni ndonjë gotë si dasmorët, apo mos vallë je dehur?

(Ahaaa, qesh). Jo! Me këngën kam lidhur jetën. Aty, tek kënga gjej gjithçka. Kënga është profesion për mua, pra është punë. Çdo njeri kur në punë ndjen kënaqësi, kur shpërblehet, nuk lodhet kurrë. Njeriu mërzitet nga puna kur nuk shpërblehet për atë që merr dhe kur kalon në punë rutinë. Unë s’kam punë rutinë pasi lëviz në vende të ndryshme, me njerëz të ndryshëm dhe me vlerësim maksimal. Kur punës i heq këta dy elementë, ajo kthehet në bezdi. Shyqyr që jam shumë e kënaqur. Në dasma nuk tundohem nga pijet. Aspak. Unë e di vendin tim. Kurrë nuk jam tunduar. E kam edukuar veten me këtë lloj pune. Nuk pi përveç pijeve freskuese. Madje ato pa gaz. Ushqim ha sa për të thyer paksa urinë. Nuk jam tamaqare në të ngrënë. Për dehje nuk bëhet fjalë. Nuk jam dehur as me dashje, as pa dashje (qesh). Pijet alkoolike nuk janë pronë e imja. Thjesht s’i kam qejf dhe nuk paragjykoj asnjë. S’e mendoj veten time të dehem. Më duket se s’do të jem më Valbona. Nuk e them se dua të hiqem që jam e arrirë, por thjesht nuk më pëlqen pija. S’kam qenë kur mike me të. Ndoshta unë kam të tjera huqe. Pastaj të them të vërtetën nuk kam parë ndonjë këngëtare që të pijë. Ndoshta është një ligj i heshtur që këngëtaret e kanë pranuar nën zë: Ne punën e kemi të shenjtë.

 

Mbani dietë të veçantë për trupin dhe zërin. Cili është ushqimi juaj bazë?

Nuk kam ndonjë preferencë tepër të veçantë, pra nuk kam një pjatë timen strikte, por bazohem tek ushqimi tradicional tiranas dhe frutat. S’e di pse çdo gjë e lidh me Tiranën, madje edhe në ushqim. Ngaqë jam tironse dhe në familje kemi ca tradita që koha nuk na i ka zhvlerësuar, por na i ka forcuar me kalimin e viteve. Edhe kur dal jashtë, gjithmonë këmbëngul në gjellët tradicionale. Më janë bërë pjesë e vetes.

 

Kur ndihet e mërzitur, apo keq Valbona dhe ku beson?

Në përgjithësi, jam njeri që i shmangem çdo gjëje jo të mirë për njeriun. Në përgjithësi, jam tip i qeshur, jam njeri i paqtë. Por dhe zemërohem dhe ndodh që zemërimin e mbaj brenda. Kjo më dëmton, por ç’t’i bëj ashtu jam. Më pëlqen humori dhe pozitiviteti në familje dhe në shoqëri. Kur mërzitem, ose këndoj, ose shikoj televizor. Ndihem keq kur më gënjejnë sy më sy. Jam një besimtare korrekte. Ndjek rregullisht ritet e besimit tim. Besoj në Zot, pasi ai më ka ndihmuar.

 

Si ndihet femra shqiptare sot, a vlerësohet?

Nuk besoj, pasi ka shumë probleme. Së pari, papunësia dhe mosvlerësimi. Kemi shoqëri maskiliste, ende ajo shqiptare po vuan nga ky fenomen. Por femra për çdo ditë po fiton terren.

 

Emocionet si artiste...

Ndihem keq apo shumë e emocionuar kur më ftojnë në emisione televizive. Dua të jem e sinqertë, ndaj kam emocione. Kur jam për këngë e kam mbledh mendjen se mikrofonin e kam për diçka tjetër, por kur flas jashtë këngës stepem. Edhe vetë çuditem. Por është fakt. Ndaj rrallë shkoj në emisione televizive.

 

Jeni pjesë e thashethemeve?

Ahaaa, aspak! Jam tip i qetë që s’më interesojnë thashethemet. Kureshtja të devijon nga realiteti.

 

I kushtoni shumë kohë lukut?

Aq sa duhet për një femër, por kurrë nuk e teproj. Ruaj gjithmonë sensin e masës.

 

Cilat udhëtime të pëlqejnë më shumë. Me makinë, avion, apo anije?

Me makinë, sepse ndalon dhe shijon më shumë.

 

Kur bëni pushime në verë apo në dimër?

E thashë më lart, që stinën e verës e kemi të mbushur. Në verë, sa herë vjen sezoni i pushimeve ne jemi të ngarkuar me punë, e kjo nuk ndodh vetëm me mua. Por them se është periudha e vjeshtës, apo më mirë e dimrit. Jemi të kundërtit e njerëzve. E ka profesioni. Kur të tjerët bëjnë plazh, ne argëtojmë të tjerët. Më pëlqen më shumë t’i bëj jashtë pushimet në verë, por... Ndaj dhe unë bëra pushime në pranverë, pa hyrë vera.

 

Idhujt apo të preferuarit e tu dhe muzika e preferuar?

Dikur kam dashur të eci në gjurmët e këtyre këngëtarëve: Fitnete Rexha, Havza  Zyberi, Myslym Lela, Ramadan Krasniqi. Por, por…më pëlqejnë  shumë këngët  turke. Ky është dhe pengu im, të kisha bërë një shkollë në Turqi, ngaqë  më pëlqen shumë kënga turke.

Albumet dhe suksesi më i madh?

Shpeshherë nuk i ndaj dot albumet. Por të jem korrekte, suksesin më të madh e kam pasur tek albumi i tretë. Unë njihem shumë  me fabulën e këngës “Hall me burrë dhe hall pa burrë”. Ishte një punë shumë dinjitoze, ku kam bashkëpunuar me kompozitorin Edi Balili dhe të gjithë  suksesin unë ia dedikoj Edit. Suksesi i këngëtares mbështetet tek disa elementë. Teksti, muzika, orkestra, shtëpia diskografike. Në këtë album shtëpi muzikore  ishte ajo e  Edit, tekstet të autorit Jorgo Papingji. Pra, ishte një staf i kompletuar në këtë album. Ishte një punë në grup. Kur  punon për një album në grup dhe me përgjegjësi, ai del shumë cilësor. Me këtë album kam marrë shumë urime e përgëzime. Për të ardhur deri këtu pas sukseseve erdhi albumi i parë  me ndihmën e kompozitorit të shquar Fatmir Lela, pra ai i ka shkruar tekstet dhe regjistrimet e këngëve janë bërë ne studion e Shpëtim Saraçit. Këtë album e titullova "Një natë me hënë". Pas disa vitesh, pra në vitin 1996 nxora albumin e dytë "Sa më mungon o nënë" , të cilin ia kam dedikuar nënës që më vdiq aq shpejt. Albumi i tretë del në vitin 2007, titullohet "Hall me burrë e hall pa burrë", album ky i cili kishte një titull shumë intrigues. Albumin e katërt e realizova në vitin 2009, në të cilin janë të përfshira këngë popullore të Shqipërisë së Mesme dhe balada. Tashmë bashkëpunoj me kompozitorët e talentuar siç janë Edi Balili, Armand Trebicka, poetin Jorgo Papingji, etj, me të cilët kam pasur shumë sukses.

Lindja e djalit tuaj, Deanit?

Deani është mrekulli e Zotit për mua, familjen time, por edhe për fisin tim. Tani është 2 vjeç e gjysmë dhe nën kujdesin e motrës time. Kur e linda, ndjeva një gëzim të paparë dhe mendova se Zoti m’i dëgjoi lutjet. Ai është në qendër të vëmendjes, pasi është i pari djalë e për pasojë e mbajnë pak me kimet. Dhe pse mundohem të gjej kohë për të gjithë si për punën, miqtë, familjen e të afërmit e mi po e them me zemër se  gjithë përqendrimi dhe dashuria është e fokusuar tek Deani. Kjo për shumë arsye pasi në familjen tonë donim shumë të kishim një djalë, ngaqë kemi qenë vetëm vajza. Ndaj Deani është i përkëdheluri ku fokusohen të gjithë e sidomos kur jemi të gjithë të mbledhur. Prindërit e mi e deshën shumë një djalë, tek Deani kanë gjetur ëndrrën e tyre.

 

Këngët më të pëlqyera

“Hall me burrë, hall pa burrë”,  “Çfarë të donte zemra ty moj goce”,  “Baba e nona të kan rrit” - Valbona Halili, Shyhrete Behluli & Ismet Peja,

“Çunat e Tironës”, “Digje moj nane dasmën”, “Emigrantët”, “Fajtor pa zemër je”, “Gocat janë më ledhatare”, “U bu bu mi Mome”,  “Kopuku”, “More djalë vetull sy zi”, “Nuse ka, e nuse s’ka”, “Për midis Pazarit Durrësit”, “Në der du Pajtonin”, “Putpuri këngësh tironse”, “S'ka si çuni”, “S’ka kufi kur flet dashnia” - Blerim Gashi & Valbona Halili, “Shkallet e Tujonit”, “Sonte do ta tundim” - Valbona Halili, Muharrem Ahmeti & Vagabondi, “Tata”, “Tjetër vend si Vlora s’ka”.

 

 

TRADITA

“Në materialet e mia nuk ka pasur huazime”

 

Në materialet e mia nuk ka pasur huazime, janë gjithmonë materiale dhe kompozime të reja, pa lënë mënjanë materialet e vjetra (të ripunuara), të mbështetura në tabanin popullor. Këtë e kam kërkuar dhe vetë, por ka qenë dhe zgjedhja e vetë kompozitorëve me të cilët kam bashkëpunuar. Kënga po huazohet shumë, por është publiku ai që i dëshiron dhe i mirëpret autoktonet. Publiku është lodhur me këngët e huazuara.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: