VETINGU SI ÇËSHTJE PAGASH- OPINION NGA PLATOR NESTURI

VETINGU SI ÇËSHTJE PAGASH- OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Çështja e Vetingut duket se po degjeneron si çështje për nivelin e pagave. Në një kohë kur pritej që tema qendrore ku do të fokusohej debati, të ishte mbi reformën në drejtësi, pastrimi i saj nga të korruptuarit dhe si të arrihej më shpejt në rezultate konkrete, prej më se dy javësh, politika mbetet e mbërthyer në diskutimet sa do të jetë paga e komisionerëve dhe e stafit, numri i administratës dhe shpenzimet operative. Nuk dihet sa do të zgjasë ky debat dhe kur do t’i jepet zgjidhje, - nëse vërtet e dëshirojnë një të tillë dhe vijim të punës së komisioneve. Dhe kjo vjen kur komisionet përkatëse që do të merren me Vetingun, sipas prerogativave ligjore të votuara nga 140 deputetët përpara një viti, duhej të kishin filluar punën e të ishin operativë që disa muaj më parë. Tashmë, komisionet janë ngritur, porse ato nuk mund të fillojnë punën, nëse nuk u është caktuar buxheti, zyrat, stafi e gjithçka tjetër është e nevojshme për të ndërmarrë një operacion të tillë, - operacion që nuk ka lidhje si me fushatat e inspektorëve tatimorë e mjedisorë, që mësyjnë për zbatimin e faturave tatimore apo nëse pihet duhan në lokale, por me dosje për të shkulur korrupsionin nga godina e drejtësisë.

Ministrja e Drejtësisë në daljen e saj publike, njoftoi vendimin e qeverisë se do të rritej me 50% niveli i pagës për anëtarët e tre institucioneve të Vetingut. Duket se kemi një tërheqje nga ana e shumicës, e cila kërkonte që pagat e anëtarëve të ishin të barabarta me ato të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese. Gjithsesi, kjo është tepër larg kërkesave që kanë prezantuar vetë këto institucione. Tërheqja e qeverisë për nivelin e pagave, qoftë edhe për aq sa ka shtuar, vjen kur në datën 29 shtator, sapo e ka votuar si ligj reduktimin e bërë nga deputetët e PS-së në Komisionin parlamentar të Ligjeve, të nivelit të pagave që ishte 200% më shumë se aktuali dhe kur numri i stafit administrativ u tkurr me 40%.

Duket se kjo është oferta e fundit nga ana e qeverisë. Ministrja Gjoni shprehet se institucionet e reja, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Komisionerëve Publikë dhe Kolegji i Apelimit, e kanë tashmë buxhetin, infrastrukturën dhe shtesën e pagës dhe tashmë mund të fillojnë punën.

"Tani mbetet të tregohet nga vetë organet e vetingut, vullneti dhe angazhimi për fillimin e këtij procesi", - u shpreh Gjoni. Por, ndërsa ende nuk kemi ndonjë reagim nga këto institucione apo dhe nga organizmat ndërkombëtarë që kanë inspiruar procesin e vetingut dhe e mbështesin atë, ende nuk mund të thuhet se kjo çështje quhet e mbyllur dhe e zgjidhur. Pasi dhe ky lëshim që qeveria detyrohet të bëjë shtesë page, vetëm disa ditë pasi ka votuar në Parlament tkurrjen e administratës ndihmëse dhe barazimin e pagave me ato të Gjykatës së Lartë, duket se ka qenë e detyruar, pikërisht, nga trysnia e institucioneve ndërkombëtare që janë angazhuar me procesin e reformës në drejtësi.

Gjithsesi, debati politik do të vijojë dhe dy forcat në opozitë, PD dhe LSI, do të vijojnë akuzat se tkurrja e buxhetit nga shumica dëshmon për mungesën e vullnetit, për të thelluar reformën në drejtësi dhe zbatimin e plotë të vetingut, që do të sillte pastrimin e gjykatave dhe të prokurorisë nga të paaftët e të korruptuarit. E nëse ky debat do të vijojë me angazhim të plotë, të tjera vonesa do të ketë për zbatimin e vetingut e proceseve të tjera reformuese në sistem. Kjo këmbëngulje nga ana e shumicës për të bërë nikoqiren në pagat e stafin e institucioneve, në fund të fundit, është një debat shterpë e që krijoi veç një konfuzion që shërben veç për konsum të zhurmshëm politik në Parlament. Pasi, kur shtëpia është e mbushur me minj nga bodrumi e deri në tavan, tregohesh më shumë se cingun, kur diskuton sa do ta ketë racionin macja.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: