Vllaznia futet në krizë, Partizani del nga “koma”, Flamurtarit "i qepen" xhekatat e zeza

Vllaznia futet në krizë, Partizani del nga “koma”, Flamurtarit "i qepen" xhekatat e zeza
Kategoria Superiore/ Java e 6-të: Partizani korr fitoren e dytë radhazi, Kukësi vihet në ndjekje të Skënderbeut. Trajneri i Vllaznisë, Cungu, për humbjen me Kamzën bëri përgjegjës disa nga lojtarët

Aranit Muraçi

Skënderbeu fitoi 4-1 me Lushnjën një ditë më parë, duke ruajtur kreun e klasifikimit pas javës së gjashtë në Kategorinë Superiore. Kukësi fitoi ndaj Teutës 4-2, duke mbajtur vendin e dytë me 13 pikë. Flamurtari barazoi me Laçin dhe mban vendin e tretë me 9 pikë, po aq pikë sa ka edhe Kamza që fitoi ndaj Vllaznisë 1-0. Partizani pas fitores së dytë radhazi, ndaj Luftëtarit, ngjitet në vend të pestë me 8 pikë. Laçi dhe Teuta ndajnë mesin e klasifikimit me nga 7 pikë. Vllaznia e Luftëtari pas humbjeve të djeshme mbeten në kuotën e 5 pikëve, kurse Lushnja ka zero pikë.

Partizani-Luftëtari 2-0

Xhevahir Sukaj shënoi në pjesën e parë ndaj Luftëtarit, pas një aksioni të shpejtë të Partizanit, duke i dhënë edhe gëzimin e golit të parë brenda në Tiranë, tifozëve të pranishëm në “Selman Stërmasi”. Partizani nuk kishte shënuar asnjë gol në ndeshjet e deritanishme brenda, ndërkohë që golat edhe fitoren e parë e arriti javën e kaluar me Teutën në Durrës. Ndaj gjirokastriteve, Lorenc Trashi pas një krosi të Prognit, me një goditje me kokë, dyfishoi shifrat në 71’, duke hipotekuar fitoren e dytë radhazi të të kuqve. Gjyqtari Enea Jorgji nxori me të kuq mbrojtësin Gëzim Krasniqi në 75’, pas një ndërhyrje të gabua. Por edhe pse në inferioritet numerik, Partizani mbrojti fitoren, ndërkohë që gjirokastritët nuk dhanë atë që pritej. Partizani e nisi ndeshjen me këtë formacion: Hoxha; Progni, Krasniqi, Malota, Kalari, Adorjan, Batha, Vila, Trashi, Herrera, Sukaj (Bardhi 58′). Luftëtari zbriti në fushë pa portierin e parë Miraka i cili doli me të kuq nga ndeshja e kaluar: Ruçi, Toledo, Beqiri, Rapa, Rapo; Aleksi, Ramadani; Abazaj, Brahimaj, (Lamçja 46′), Bregu dhe Rroca.

Kamza-Vllaznia 1-0

Një gol i Imerit në 87’, i dha fitoren e dytë radhazi Kamzës, në këto 6 javë të para të kampionatit. Kamza, si skuadër debutuese, kishte shënuar edhe tre barazime në fillim të sezonit, duke u ngjitur në vend të katërt me 9 pikë. Vllaznia mbeti në kuotën e 5 pikëve, ose e thënë ndryshe në zonën e ftohtë të rënies në një kategori më poshtë. Një fillim aspak premtues për kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Armando Cungu, për të cilin në kampin shkodran janë krijuar pakënaqësitë e para. Gjithsesi, problemi i Vllaznisë, shihet më i komplikuar se çështja e trajnerit, pasi klubi me traditë në futbollin shqiptar prej vitesh, përballet me vështirësi financiare. “Normalisht që nuk është një situatë aspak e mirë, kjo që po kalojmë,” - theksoi trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu. “Në fushën tonë, kemi marrë vetëm 1 pikë. Si duket e kemi marrë lehtë dhe kemi harruar vështirësitë”, – tha trajneri i Vllaznisë. Më tej, ai shtoi se lojtarët kanë më shumë përgjegjësi. “Nuk e di se kur lojtarët do të marrin përgjegjësi, jo vetëm lojtarët për të shënuar gol. Natyrisht mungon ai sulmuesi kryesor, por lojtarët duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre. Kjo është Vllaznia, këta janë lojtarët që kemi në ekip, por jam i bindur që forca jonë, është akoma më e madhe dhe mendoj se këta djem mund të bëjnë më shumë”.

Laçi-Flamurtari 1-1

Kamza ka po aq pikë sa Flamurtari, me të cilën ndan vendin e tretë e të katërt. Skuadra e drejtuar nga trajneri, Shpëtim Duro, nuk shkoi më larg se një barazim në Laç, 1-1, por nga mënyra sesi shkoi loja dhe si përfundoi, duket si një kopje e ndeshjes së kaluar në Shkodër. Për Flamurtarin shënon Bushiç në pjesën e parë (35’) dhe ashtu si në Shkodër një javë më parë, në Laç vendasit barazojnë falë një 11-metërshi. Reginaldo nuk gabon përballë portierit dhe dy ekipet ndajnë nga një pikë. Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, nuk ka kursyer kritikat ndaj gjykimit. Vetëm në dy ndeshjet e fundit Flamurtari ka lënë katër pikë, pasi kundërshtarët i kanë shënuar nga pika e bardhë e 11-metërshit. Në gjashtë javë Flamurtarit i janë akorduar katër penallti kundër, çka ka ngjallur pakënaqësi të shumta në kampin vlonjate.

Kukësi-Teuta 4-2

Elis Bakaj hapi serinë e golave në 18’. Ethemi në 33’ dhe Hakaj (og) në 82’ realizuan dy golat e tjerë të fitores, por Teuta në 10 minutat e fundit shkurton diferencën në 86’ me Hila, që realizoi me një 11-metërsh, e në 90’ Nijaz Lena krijon “ethe” te vendasit. I futur në pjesën e dytë Alijev vulosi fitoren në 4-2 për kampionët në fuqi të Kukësit, të cilët pas javës së gjashtë ndjekin Skënderbeun me tre pikë më pak. “Jam shumë i kënaqur me rezultatin dhe paraqitjen por i mërzitur me 5 minutat e fundit. Kur jemi 3-0 në favor duhet të menaxhosh ndeshjen pa pësuar gol. Aljev u fut në pjesën e dytë dhe shënoi 2 gola. Ai la Alijev jashtë dhe pas golit pati revoltë nga sulmuesi. “Asnjë lojtarë nuk ndihet mirë në qoftë se nuk është në formacion dhe sidomos lojtarët e huaj. Për mua rëndësi ka që ekipi të fitojë ndeshjen dhe të luajti mirë”, – theksoi trajneri i Kukësit. Trajneri i Teutës Gugash Magani u shpreh se Kukësi e meritoi fitoren, ndonëse pati vërejtje për disa episode rreth gjykimit.

 

Europa League

Skënderbeun e gjykon një polak ndaj Partizanit të Beogradit

Skënderbeu edhe pse i angazhuar në Europa League, kryeson me meritë kampionatin pas gjashtë javëve të para. Prej ditës së djeshme të besuarit e trajnerit Ilir Daja kanë nisur të mendojnë për ndeshjet europiane. Takimi i së enjtes mes Skënderbeut dhe Partizanit të Beogradit do ta gjykojë polaku Daniel Stefanski. Ai është gjyqtari kryesor që UEFA ka ngarkuar për të drejtuar takimin e tretë të fazës së grupeve në Europa League mes ekipit të Skënderbeut dhe atij serb, Partizani i Beogradit, ndeshje që do të luhet në “Elbasan Arena”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: