Ylli Baka: Nëse s’do të isha bërë këngëtar, do isha poet

Ylli Baka: Nëse s’do të isha  bërë këngëtar, do isha poet
INTERVISTA/ Flet këngëtari i mirënjohur: Mendohej se kënga popullore do të “vdiste”. Por jo. Koha bëri të vetën. Në Shqipëri tanimë të gjithë janë kthyer të dëgjojnë muzikën e mirëfilltë popullore, jo më tallavanë.

 Ka filluar të këndojë qysh në moshën 20-vjeçare, por dalja e tij në tregun muzikor shqiptar ka ndodhur para 13 vitesh, konkretisht nga fundi i vitit 2004. Ndoshta ka qenë një talent i lindur. Por talenti lind dhe zhvillohet, sigurisht nëse di të zgjedhësh komponentët kyç të suksesit. Kështu duket se ka ndodhur dhe me talentin e Ylli Bakës, që tashmë është këngëtari më i kërkuar në të katër anët e globit, ku ka emigrantë shqiptarë. Teksa Tepelena për të, mbetet ai vendi i magjishëm që jo vetëm i dhuroi zërin e kristaltë si të Ujit të Ftohtë, por dhe forcën si karakteristikë e asaj zone....

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Z. ZHOLI

 

Një eksperiencë e re, e bukur, “Maratona e këngës” në Tv Klan. Në sa qytete ka udhëtuar Ylli Baka për të kënduar?

Është e vërtetë se “Maratona e këngës” në Tv Klan tashmë ka formatuar një profil të saj interesant. Ka projektuar një rrugë të bukur shqiptare në të gjitha krahinat, nga veriu në jug, duke sjellë kështu thesaret e folklorit, por dhe rrymat e reja të këngës shqiptare. Të kënduarit në çdo trevë tashmë ka sjellë dhe njohjen nga afër të publikut të gjerë, çka tregon se populli ynë është i lidhur shumë me këngën. Personalisht, kam qenë në 8 qytete deri në Konispol, ku kam kënduar këngë të cilat edhe i përshtateshin qytetit ku këndoja. Pra, isha në qytetet e Lushnjës, Divjakës, Vlorës, Konispolit, Korçës, Bilishtit, Poliçanit, por edhe në Tomorr. Sot që po flasim, po nisem për në Selanik, i ftuar nga kryebashkiaku i këtij qyteti të madh për një koncert madhështor të organizuar nga “Ballkan muzikë”. Kurse për festat e nëntorit do të jem i ftuar në SHBA nga disa shoqata. Do të kem sërish një bashkëpunim edhe me Bes Kallakun, etj.

 

Klipet dhe këngët e fundit?

Së pari, dua të flas për këngën e re klip “Po këndon bilbili” të cilën ua kushtoj të gjithë emigrantëve që kthehen në Shqipëri.  Ndaj emigrantëve kemi të gjithë detyrim e për sakrificat e tyre të panumërta. Kam qenë dhe vetë emigrant e ua di hallet dhe shqetësimet. Për më tej, dua të përmend këngën “Gëzuar Baftjar” kënduar së bashku me Bes Kallakun, një këngë humoristike kjo, e cila ka fituar një popullaritet të jashtëzakonshëm.

 

Të fillojmë një bisedë ndryshe. Sot kudo në çdo fushë të jetës, në çdo profesion ka xhelozi, por ka dhe xhelozi të sëmurë. Sa qëndron kjo tek këngëtarët?

Këtu ngelem për të thënë çka mendoj në mënyrë të sinqertë. Unë do ta përcjell pyetjen nga këndvështrimi im. Kjo pasi ka dy lloj xhelozish. Ka xhelozi profesionale, një xhelozi që të shtyn të ecësh para. Unë nuk shikoj ç’bëjnë të tjerët, por ç’bëj unë. Dua të di ku jam dhe si të eci para. Dua të them se janë futur shumë në vallen e këngës. Por koha bën të vetën, ajo ecën dhe sjell seleksionimet. Koha të teston dhe të tregon sa vlen. Mua më pëlqen konkurrenca. Pa konkurrencë nuk ka zhvillim. E dyta, xhelozia pa motiv që vetëm sjell keqkuptime. Vetë nuk e kam në ndërgjegjie.

Një bujë të madhe bëri kënga e re me titull  “Vullkani kuq e zi” për nder të kualifikimit në “Euro 2016” në Francë. Kjo këngë erdhi se jeni tifoz apo ishte kënga e radhës?

Atë këngë edhe unë e kam shumë për zemër. Ndjenja e patriotizmit disa herë të bën me krahë. Të them të drejtën kjo këngë ishte një ide e një këngëtari hip-hop, Vagabondi që u lidhëm me Gramoz Kozelin dhe DeVox. Kishim një ide për të vënë një bashkëpunim të tillë. Sa dëgjova muzikën e propozuar mendova që kjo këngë t’i kushtohej kombëtares sonë. Kjo këngë mund t’i përshtatej ritmit, entuziazmit të tifozërisë sonë për këtë arritje të madhe për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar. Jam tifoz i kombëtares sonë dhe kjo këngë më ndezi. Kishte gjithçka që unë doja. Fitorja për në evropian më dha shumë energji. Gjithmonë ideoja që të bëja diçka për këtë fitore dhe herë pas here formoja vargje se si mund ti përshtatja në një këngë të tillë. Pra, ideoja një refren të fuqishëm. Kështu lindi kënga, ku fillova bashkëpunimin me poetin Arben Duka dhe Jorgo Papingji. Kënga na mori kohë një javë. Filluam bashkëpunimin për realizimin në studio me FolkPlus. Është një këngë e bërë me shumë zemër. Ishte një këngë për një ngjarje historike. Një vend i vogël, në një eveniment të madh. Ndoshta rastësi? Sido që të jetë, rastësia mbetet mbreti i botës. Pas një muaji kur filluam realizimin kënga doli në treg. Punuam në grup poetë, këngëtarë dhe kompozitorë. Duhej që kjo këngë të ngjitej në nivelin e rëndësisë së fitores. Ishte një ngjarje që do ta rriste rëndësinë edhe nëpërmjet këngës. Kishim shumë besim dhe ashtu doli. Sa doli në tregun mediatik, kënga u përpi. Kërkesat ishin të shumta. Kudo që shkonim shikonim se e para ishte kjo këngë. Nuk u zhgënjyem. Ajo për 20 ditë u kthye në një këngë hit. Dhe sot atë këngë e dëgjon të dëgjohet kudo. E veçanta kryesore është se kjo këngë u pëlqye nga të gjitha grupmoshat dhe nga të gjitha trevat. Pra, nuk u pëlqye vetëm nga rinia, por edhe nga fëmijët dhe kam vënë re se këndohet nga të gjithë. Madje sa herë e këndojmë, të gjithë çohen në këmbë dhe këndojnë me ne. E veçanta tjetër është se kjo këngë ka karakter të theksuar kombëtar, pra është një himn i dytë që ka tone të forta bashkimi, vëllazërimi në emrin e përbashkët shqiptar. Këtu edhe zëri më ka ndryshuar ka marrë një ngjyrim tjetër që plotësohet nga Vagabondi, që hyjnë në harmoni në muzikë, zë dhe tekst që e bëjnë këtë këngë shumë të pëlqyeshme. Pra, ka ritëm, temp, harmoni, zë të fuqishëm dhe realizmi i klipit është bërë në Durrës me BBF televizion. Është një këngë jashtë natyrës së përditshmërisë dhe natyrës së këngëve të mia dola nga natyra, u bëra më i moderuar. Ishte një eksperiencë që doli me shumë sukses, ku ende dhe sot e kësaj dite, rezultatet dalin në pah vazhdimisht.

Po në emigracion si është pritur kjo këngë dhe kur e ke kënduar për herë të parë jashtë  Shqipërisë?

Ndoshta s’e beson, por kjo këngë në emigracion është pritur dhe më mirë se në Shqipëri. Kjo ndoshta për faktin se emigrantët kanë shumë mall për atdheun. Kudo që shkojmë, këngët e mërgimit dhe ato patriotike janë shumë të pëlqyera. Jashtë shtetit është kënduar në vitin e ri 2016, në Nju Xhersi, SHBA, në Çikago dhe në disa shtete të tjera. Në Çikago ishim në një sallë me rreth 3 mijë veta ku kënga u kthye tre herë. Jam befasuar. Kemi shtangur. Këtë këngë e këndova dhe me këngëtarin dhe bateristin Ilir Suku, i cili ka një eksperiencë në këtë fushë. Ishte një natë e magjishme që nuk më shlyhet nga kujtesa. Kjo vjen pasi kohët e fundit është rritur ndjenja kombëtare.

Albumet në rritje dhe suksesi në rritje. Le të flasim për albumin e fundit me 9 këngë...

Albumi i fundit “Kënga, mjaltë i dashurisë” ka 9 këngë dhe titulli duket shumë interesant, apo poetik do të thosha. Këtë emërtim e bëra pasi respektova kërkesën e poetit Jorgo Papingji. Bashkëpunimi im me të ka qenë i frytshëm dhe kemi pasur gjithmonë regata të shkëlqyera. Mënyra se si ma serviri poeti emërtimin e këtij albumi, m’u duk shumë provokues. Pra, i dhashë plotësisht të drejtë për të gjitha këndvështrimet që ai më argumentoi emërtimin. Në këtë album bashkëpunëtorët janë poetët Jorgo Papingji, Arben Duka por edhe unë në disa këngë. Kompozitor. Klodian Qafoku, Genci Malaj, Alfred Tase, Kozeli, Ilir Suku etj…

Gjeografia e lëvizjeve me këngën dhe cili vend ju ka bërë më shumë përshtypje?

Kudo ku ka shqiptarë dhe emigrantë shqiptarë.  Duke pasur parasysh stinët vërej se në sezonin dimëror këndoj jashtë Shqipërisë, kryesisht në Evropë, në Amerikë etj, kurse në sezonin veror brenda Shqipërisë.. Jam ftuar dhe kam shkuar në shumë shtete, por Amerika më ka mbetur në mendje padyshim për madhështinë e saj. Pastaj vijnë Londra, Roma, Athina etj. Kurse përsa u përket bukurive shqiptare mbeten të patjetërsueshme,Vlora, Saranda dhe vendlindja ime Tepelena. Kudo që kam shkuar, kam shkuar falë Zotit e punës dhe njerëzve që më kanë mbështetur duke më falur adhurimin e tyre. Më kanë mbështetur duke më bërë që asnjëherë të mos t’i zhgënjej në krijimtarinë time si këngëtar i tyre.

Kënga popullore dhe shqiptarët. Në vitet 1990-1997 u pa një vërshim i këngës tallava dhe largimi nga kënga popullore. Po sot?

Kjo është një e vërtetë e madhe. Pas përmbysjes së sistemit monist në Shqipëri u përhapën shumë rryma këngësh midis të cilave tallavaja dominonte. Mendohej se kënga popullore do të “vdiste”. Shumë këngëtarë të vjetër popullorë  jetonin me dhimbje këtë situatë. Por jo. Koha bëri të vetën. Në Shqipëri tanimë të gjithë janë kthyer të dëgjojnë muzikën e mirëfilltë popullore. Pjesa dërrmuese e tyre e bëjnë këtë dhe mund të them me plot gojën se ata që e dëgjojnë, kanë filluar ta shijojnë, sepse janë velur më pseudo-këngëtarë dhe pseudo-këngë. Aktualisht, kënga popullore ka prurje të shumta dhe shumë të mira në treg për muzikë të mirëfilltë. Shikojmë një shmangie të kopjimit siç ka qenë ritual i yni gjithmonë dhe kahera. Dhe shikojmë gjithashtu një rivalitet të mirëfilltë kuptohet, midis atyre që prodhojnë këngë të mirëfilltë dhe kush prodhon më mirë.

Ylli Baka dhe familja?

Familja ime është e përbërë nga 5 persona, 1 vajzë dhe 2 djem, së bashku me mua dhe bashkëshorten. Fëmijët i dua dhe më duan shumë. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Djemtë binjakë i kam futur në këtë fushë, pra të muzikës, për piano. Dua që të vazhdojnë rrugën time, pse jo të bëhen dhe ata këngëtarë, përveçse instrumentistë. Rruga e tyre është e hapur, pasi i kanë të gjitha mundësitë.

Ylli edhe krijon, po sa lexon?

Ah, dikur lexoja shumë, shumë, por tani...Puna nuk të lë. Librat për fat të keq i kam lënë pak pas dore. Por më pëlqejnë më shumë librat me poezi, pasi janë pjesë e profesionit. Por edhe librat e vjetër rapsodikë shqiptarë. Kur dua të bëj një këngë të re, tekstin e këngës në shumë raste e filloj vetë. Kur nuk e çoj deri në fund, ftoj në ndihmë miqtë e mi poetë, Papingjin apo Dukën. E dua shumë poezinë dhe e them me bindje që nëse nuk do bëhesha këngëtar, me patjetër do të bëhesha poet. Më vjen dorësh për poezi dhe madje gjysmat e teksteve i kam shkruar vetë.

Jeta e përditshme?

S’e ndjej fare ditën, ikën sa hap e mbyll sytë. S’e kuptoj as vetë. Puna jonë është intensive, koncerte, prova, aktivitete.

Jeni shokë të ngushtë me cigaren...

Cigarja është mik besnik. Kur jemi vetëm qajmë hallet (qesh). Çdo njeri ka arsye që mund të jetë vetëm. Unë kur jam rrallë vetëm, kam mik cigaren, kështu që nuk ndihem kurrë i vetmuar. Sidomos me kafen e mëngjesit, sa më shijon. Pastaj kur pi dhe një gotë verë në drekë më shokët, oh sa mirë! Pastaj pas koncerteve dhe lodhjes me këngë dhe të rrethuar me njerëz që të respektojnë, obobo, dy herë sa mirë. Por nuk e teproj, brenda asaj që e shijoj. Pavarësisht se mungon kënga e duhanit, por shkojmë mirë pa e tepruar me njëri-tjetrin. Çdo njeri ka një preferencë, ka një dëshirë që mendon se i plotëson një boshllëk, unë kam cigaren.

Suksesi?

Suksesi vjen nga këmbëngulja, zëri, puna tek miqtë. Kam miq shumë, punoj shumë, por dhe e respektoj shumë punën, vlerat. Nuk fyej dhe nuk shaj, por gjithmonë respektoj atë çka përbën një gjë ndryshe dhe që është e pëlqyeshme. Për të gjitha këto që thashë kam bërë këngën “Jeni miqtë e mi të nderit, ndaj ju them faleminderit”.

Këngë të ndryshme, kur kaloj nga Korça nga Tepelena, Konispoli, Gjirokastra, apo Vlora?

Këndoj për gjithë Shqipërinë. I përkas gjithë kombit tim dhe patjetër do të bëj nga një këngë për çdo krahinë. Dua të respektoj gjithë krahinat e vendit tim. Po ja, isha në Tepelenë, kalova në Mezhgoran, pastaj tek Ura e Dragotit, Leskovik, Pogradec, Korçë, Konispol, kthim në Elbasan dhe pastaj në Tiranë, ku kam vendqëndrimin e përhershëm tani.

Mesazhi për fansat...

Unë jam një fans i madh i kombëtares. Edhe kur isha në Greqi, gjëja e parë që bleva ishte sateliti për të parë ndeshjet e kombëtares. Ndaj ju them, se jam me ju kudo që jeni, në të katër anët e botës. Unë do i këndoj Shqipërisë, kombëtares së futbollit, do ju këndoj juve kudo që të jeni pa dallim, me thënien e famshme “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Ishalla pëlcet “cunami” dhe kualifikohemi më lart në Francë, se kënga ime për ta nuk do shterojë. Ku ka rrjedhur, do pikojë dhe unë do jem pranë tyre kudo ata që duan dhe me këngët që ata më sugjerojnë.

Sot shumë njerëz janë penduar për profesionet e zgjedhura, po Ylli hyn në këtë kategori?

Aspak! E them me bindje se më pëlqen profesioni im, në të cilin sot bëj pjesë. Madje e them me po kaq bindje, se jam i gatshëm që t’i shkoj deri në fund të kësaj rruge që kam nisur të bëj. Edhe nga ana ekonomike, mund të them që unë si këngëtar jam shumë i kënaqur, pasi ajo është e lidhur ngushtës me suksesin. Jashtë ekonomisë, mua më ka bërë ta zgjedh këtë profesion pasioni dhe përkushtimi ndaj muzikës. Në çdo profesion, në çdo zanat, ekziston fjala popullore: “Duhet 99% punë dhe 1% talent”.

A ka vlera konkurrenca mes këngëtarëve?

Ka shumë. Si në futboll. Nëse një skuadër e madhe nuk do të kishte skuadra të tjera konkurrente, do t’i binte bukuria kësaj loje magjike. Më pëlqen konkurrenca, sigurisht po flasim për atë konkurrencë që ka muzikë të mirëfilltë. Dhe më vjen realisht mirë kur ka konkurrencë, e cila gjithmonë ka marrë vlerësimin dhe respektin tim maksimal. Pa këtë konkurrencë nuk do ishim këtu ku jemi, por do binim në vetëkënaqësi.  Realisht sot ka konkurrencë të dyfishtë, si reale, ashtu dhe të pandershme. Pjesë e jetës. S’ke çfarë i bën.

 

Sa orë punon Ylli?

Jeta ime është punë. Kur nuk kam koncerte apo dasma, punoj për këngën e re të radhës. Pra, zgjohem në orën 10 dhe pastaj vetëm punë.

 

Çfarë vlerësoni tek një njeri?

Brenda njeriut ka shumë gjëra. Personalisht vlerësoj sinqeritetin e tij. Miqësia dhe shoqëria kanë qenë dhe janë gjithmonë të pandashme në jetën time.

 

Si do ta përshkruanit vetveten?

Me pak fjalë... Jam njeri i thjeshtë, i komunikueshëm dhe i qeshur, korrekt në punë. Këto them unë për veten, por nuk di ç’thonë të tjerët për mua.

 

Kur flasim për bashkëpunëtorët e afërt, pra kompozitorët dhe poetët?

Kam një bashkëpunim të shkëlqyer me poetin Arben Duka dhe me poetin Jorgo Papingji. Me ta komunikoj në mënyrë të përkryer. Ndërsa për kompozitorët do të them të njëjtat fjalë për  Klodian Qafokun, Adrian Hila, Alfred Tase, Gëzim Mneri, të cilët e kuptojnë zërin tim dhe i dinë ngjyrimet e tij.

 

VLERËSIMI

 “Një këngëtar pa fansa,

është si pema pa gjethe”

“Një këngëtar pa fansa është si pema pa gjethe, pra një trung i tharë. Gjethet janë ato që e lulëzojnë, e zbukurojnë, e freskojnë dhe e rinojnë një pemë. Jam shumë i kënaqur me fansat. Dhe madje kam bërë edhe një këngë dedikuar atyre, sepse e meritojnë e ajo titullohet: “Jeni miqtë e mi të nderit, ndaj ju them faleminderit”! Gjithmonë ata janë të pranishëm edhe në punën time dhe në krijimtarinë tim të re e kjo është një mbështetje e madhe e cila më fal energji pozitive. Të gjitha këngët e mia janë të kërkuara, por kryesisht kur shkoj nëpër dasma preferojnë normalisht këngët e krahinës së tyre, por këndoj edhe këngë të tjera të cilat unë i këndoj me kënaqësi”.

  NDIKIMI

 “Muzika jonë ka një melodi të

pëlqyer, pse të kërkoj gjetiu?”

Nuk ndikon fare për keq. Pra, që të deformoj muzikën shqiptare. Marr eksperiencë, por jo të kopjoj, kurrë. Unë këndoj 100% muzikë shqiptare. Nuk dua të kopjoj. Më pëlqen muzika jonë, kemi muzikë të bukur origjinale, me traditë që vërtet pëlqehet kudo. Unë kam kënduar dhe do këndoj vetëm muzikë shqiptare të pastër. Kështu më pëlqejnë kudo, kështu më respektojnë kudo që ka shqiptarë. Edhe në Kosovë Mal të Zi, Maqedoni dhe kudo ku ka mërgimtarë, mua më pëlqejnë vetëm me këto këngë dhe kurë nuk kam marrë mundimin të këndoj këngë të huaja apo muzikë të huaj. Përderisa muzika jonë ka një melodi ndryshe dhe të pëlqyer, përse të shkoj të kërkoj gjetiu?

MALLI

“Tepelenën edhe Shqipërinë i

kam me vete, kudo që shkoj”

“Tepelena është qytet i rrallë. Qytet me histori, tradita, kulturë, këngë, besë, krenari, konfiguracion.... Kushdo që e viziton befasohet. Një vend që bie në sy dhe të nxit kërshërinë. Tepelenën nuk e harroj dhe e kam gjithmonë me vete. Kudo që të shkoj, kudo që të këndoj, do këndoj edhe për Tepelenën, por në çdo lëvizje patjetër do të shkoj dhe në Tepelenë. Nuk jam egoist, por dua të them se Tepelenën, ku kam lindur dhe jam rritur e kam shumë për zemër. Këngën e parë timen e kam bërë për Tepelenën. Ndaj nuk dua të bëj këngë të dytë, por tashmë kam filluar këngë për shumë fshatarë me emër të Tepelenës, si Bënça, Uji Ftohtë, Memaliaj, Arrëz dhe do dal në Progonat. Ne jemi vend i vogël me bukuri të madhe. Ndaj në një këngë thotë “Lërmë o Zot të rroj, të rroj e të shijoj bukuritë e vendit tim”. Kam shkuar që nga Australia deri në Amerikë, por Tepelenën, por edhe Shqipërinë e kam me vete. Ne kemi një klimë si verë në të katër stinët me lumenj, dete, liqene, male, fusha, kodra, vende përrallore. Dukemi shumë vend i vogël, por kur i shkel dukemi si kontinent”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: