“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Zbulohet raporti pas kontrollit në banesë: Saimir Tahiri kishte grisur librin "Kurbani"

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Zbulohet raporti pas kontrollit në banesë: Saimir Tahiri kishte grisur librin "Kurbani"
"Antena Jashtë Familjes" sjell sot një dokument tepër sekret të dalë nga zyrat e Prokurorisë. Është herë e parë për ne, që arrijmë të marrim një dokument nga ky institucion.

Mediat e tjera, këto lloj zbulimesh i kryejnë përherë, por neve siç duket, e pranojmë, jemi të paaftë që t'i sigurojmë. Ndoshta fakti që jemi të rinj në tregun mediatik, na ndëshkon, apo siç thuhet në gazetari, na penalizon që të sigurojmë të tilla thesare mediatike.

Bëhet llaf për procesverbalin e kontrollit të banesës së shtetasit dhe ish-ministrit të Brendshëm, shokut Saimir Tahiri. Po e sjellim atë të plotë, për ju lexues të rubrikës.

Proces-verbal i Kontrollit të Vendeve (Banesës)

Ne, oficerët e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Krimeve të Rënduara, kryem së bashku si një trup i vetëm, kontrollin e banesës së shtetasit Saimir Tahiri.

Procesi u krye ditën e enjte, por neve, këtë proces-verbal po e mbajmë ditën e premte, pasi s'ka problem një ditë vonesë. Kur nuk kishte problem fakti që ky kontroll të kryhej katër ditë më parë kur e kërkoi Shefi ynë, ç'problem do kishte që ne nuk e firmosëm procesverbalin të enjten, menduam.

Bëjmë me dije se gjatë kontrollit të banesës nuk erdhi të na drejtonte asnjë prokuror. Pra, ne ishim vetë zot, e vetë shkop. (Edhe nëse do vinte ndonjë i tillë, nuk kishte për të bërë më shumë se ç'bëmë neve.)

Sapo hymë në banesë, u gjendëm përpara një pamje të tillë:

Në të djathtë tonën ishte një varëse. Ishte një objekt druri, ku vendoseshin rrobat. Në fillim dyshuam se mos kishim të bënim me varësen për të cilat flitej në përgjimet e italianëve, por avokati i ish-ministrit na tha që këtë varëse, klientit të tij ia ka falur shoku Taulant Balla.

Në varëse ishte edhe një pasqyrë, ku ne si grup hetimor u pamë një nga një dhe vërejtëm se, dukshmëria e saj ishte sipas parametrave optikë.

Gjatë kontrollit, pamë një "mouse", e thënë shqip një mi mbi tavolinë, por nuk vërejtëm asnjë kompjuter. Madje s'pamë asnjë mace, që t'i vinte rrotull këtij miu. Kontrolluam se mos gjenim ndonjë pajisje kompjuterike, por nuk patëm rezultat.

Më pas, kontrollin e shtrimë mbi divanin ku shtrihej ish-ministri.

Pamë me imtësi se mos kishte ndonjë gjë mbi të. As mbi të nuk gjetëm asgjë dyshuese.

Kishte vetëm dy jastëkë, mbi të cilat, në njërin ishte stampuar Ali Pashë Tepelena dhe mbi tjetrin qëndronte po e shtrirë Vasiliqia. Dikush nga ne u mat që të merrte jastëkun "e Vasiliqisë", dhe ta hapte të shikonte se ç'kishte brenda, por pastaj menduam që kjo do përbënte një vepër penale, pasi dënohet kushdo që i fut duart një femre.

Pastaj vërejtëm midis rafteve të librave. Edhe mbi to nuk kishte asgjë që do ndihmonte procesin tonë hetimor. Theksojmë se librat ishin më së shumti në gjuhë italiane. Në këndin e djathtë të raftit, ishte vendosur me kokë poshtë një libër me përmasa ___ (do shkojmë prapë në shtëpi që ta masim, pasi kishim harruar të merrnim me vete metër). Librin e kthyem me kokë lart dhe pamë që mbi kapakun e tij shkruhej "...urbani". Vërejtëm se, një pjesë e kapakut ishte grisur dhe nuk dallohej emri i autorit të këtij libri. Bashkë me to ishte grisur edhe një pjesë e titullit.

Pamë njeri tjetrin në sy. U bashkuam dhe hodhëm ide të ndryshme, se si mund të quhej ky libër. Në fillim, me thënë të drejtën menduam se, libri titullohej "Urbani".

Ky libër mund t'i jetë dashur ish-ministrit, që të udhëtonte me urban, meqë makinën e kishte shitur te ata që ka përgjuar pala italiane, tha njëri prej nesh. Mirëpo i thirrëm prapë mendjes dhe arritëm në përfundimin se, ish-ministri nuk do pranonte kurrë që të shkonte në punë me urban. Ashtu shkon Erion Veliaj dhe nuk ka përse ai të lexojë një libër për urbanët e Erionit. Pas një kontrolli tepër të hollësishëm, pjesën e grisur të librit e gjetëm në dysheme.

E bashkuam atë me pjesën tjetër dhe u krijua titulli i librit, "Kurbani".

Mbi tavolinë ishte shenja e një filxhani kafeje (kështu na u duk nga këqyrja jonë). Avokati na tha se kjo shenjë qëndronte aty që nga koha kur në atë shtëpi pinin dhe nuk dinin a flinin, apo nuk flinin aty, aktivistët e rinj të Partisë Socialiste.

Këqyrja dhe kontrolli kaloi në dhomën e gatimit dhe ngrënies. Në murin nga ana jugore ishte vendosur një kënd kuzhine. Mbi sobë ishin disa tenxhere bosh. "Siç e shikoni, klienti im ka një oreks të madh, e janë llafe ato që i është prerë oreksi nga stresi", tha avokati i ish-ministrit. Fjalët e tij i shënuam në procesverbal të veçantë dhe e këshilluam avokatin të mos fliste.

Kontrolli më pas u zhvendos tek një tavolinë e vogël. Ishte një tavolinë me xham në mes dhe me një gdhendje në anën e majtë, ku shkruhej: "S'keni parë gjë akoma". Na erdhi çudi me këtë mbishkrim, pasi ne i kishim parë të gjitha gjërat në atë banesë.

Shtojmë: Vetë i pandehuri, gjatë procesit të kontrollit, nuk qëndroi brenda në shtëpi, por preferoi që shumicën e kohës ta kalonte në ballkon, me shoqërinë e cigareve.

Vërejtëm se paketa, nga e cila nxirrte cigaret ish-ministri i Brendshëm, nuk kishte pullë fiskale. Ai siç duket, i pi cigaret ashtu si edhe ne. Nga ato që nuk shiten në treg.

Firmosur nga të gjithë të pranishmit, pa pirë qoftë edhe një gotë raki.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: