A DO TË NDËRTOHEN RRUGËT ME PARÁ TË PISTA? – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

A DO TË NDËRTOHEN RRUGËT ME PARÁ TË PISTA? – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Rrugët e ndërtuara në Shqipëri në çerekshekullin e fundit, janë financuar kryesisht, me kredi të buta nga institucione financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore, BERZH-i, etj. Në një masë më të vogël, financimi i rrugëve është përballuar nga të ardhurat buxhetore të viteve kur janë ndërtuar. Ndërsa në periudhën 2007-2013, u përdorën edhe dy burime jonormale financimi. Së pari, u mor borxh me interesa shumë të larta, në tregun e huaj e të brendshëm financiar (kryesisht për Rrugën e Kombit) dhe së dyti, u ndërtuan rrugë, pa u shlyer detyrimet ndërtuesve privatë, që i ndërtuan ato.

Si rezultat, borxhi publik, nga niveli 55% e PBB-së në 2006-ën, u ngjit në 70% të PBB-së në 2013-ën. Ndërkohë, detyrimet e shtetit ndaj firmave private, arritën shifrën gjigante 720 milionë dollarë. Në një situatë të tillë, qeveria shqiptare iu drejtua për ndihmë FMN-së, e cila i akordoi një kredi të butë 4-vjeçare për 400 milionë dollarë. Kjo me kushtin që brenda katër vjetësh, të shlyheshin të gjitha detyrimet e prapambetura ndaj firmave private dhe të arrihej barazimi i të ardhurave buxhetore me shpenzimet e buxhetit.

Këto dy kushte u plotësuan nga qeveria shqiptare dhe FMN-ja e disbursoi sivjet edhe këstin e fundit të kredisë së butë, duke e këshilluar zyrtarisht qeverinë shqiptare, të mos e shtojë më borxhin publik dhe të mos krijojë më detyrime të prapambetura ndaj firmave private.

Në këtë situatë, Edi Rama, i cili u kritikua fort si kryeministri që nuk përuroi rrugë të reja, gjeti një mënyrë e re financimi, për disa rrugë që do të ndërtohen në vitet e ardhshme (si dhe për disa vepra të tjera publike). Kjo mënyrë financimi quhet, Partneritet Publik-Privat (PPP), dhe në thelb të saj qëndron ofrimi i një shërbimi apo ndërtimi i një vepre publike nga një entitet privat, i cili garantohet nga shteti se do të shpërblehet ndër vite, për investimin e kryer.

Në vetvete, një financim i tillë përbën një borxh publik, të pazyrtarizuar në thesarin e shtetit (borxhi në thesarin e shtetit zyrtarizohet vetëm kur emetohen bono thesari ose kur shteti merr kredi të buta apo tregtare). Sidoqoftë, kjo mënyrë financimi ka dekada që përdoret edhe në vende të tjera.

Por opozita shqiptare pretendon se, financimi i rrugëve të reja me skemën PPP, është në fakt një fasadë që do të mbulojë pastrimin e parave të pista, të fituara nga kultivimi dhe trafiku i kanabisit. Sipas opozitës, firmat private që do të ndërtojnë rrugët, do të marrin kredi në bankat shqiptare, të cilat, nga ana e tyre, do t'i përballojnë këto kredi me paratë e pista të kanabisit.

Në fakt, një skemë e tillë do të mund të funksiononte vetëm në qoftë se sistemi bankar shqiptar nuk do të ishte pjesë e sistemit ndërkombëtar ndërbankar, në të cilin monitorohen rreptësisht depozitat/pagesat/transfertat mbi 10 mijë dollarë. Ndërsa në rastin e ndërtimit të rrugëve, bëhet fjalë për shuma gjigante (Rruga e Arbërit, për shembull, kushton 400 milionë dollarë).

Nga ana tjetër, zhvillimi i punimeve me pará të pista në dorë (pa u pasqyruar në bilancet e firmave të ndërtimit), do të përbënte një objekt lehtësisht të dallueshëm penal, sepse do të krijohej një diferencë e dukshme mes kostove të raportuara në bilanc dhe kostove të deklaruara në preventivat e tenderëve PPP (në qoftë se kompania e ka fituar tenderin me një preventiv 400 milionë dollarë, nuk mund të paraqesë një bilanc me kosto prej vetëm 200 milionë dollarësh).

Por a ekziston një mënyrë tjetër, sesi paratë e pista mund të futen në punë për ndërtimin e rrugëve në Shqipëri?

Ajo ekziston, por kalon përmes parajsave fiskale.

Kështu, një grup që ka akumuluar pará nga trafiqet e paligjshme apo nga korrupsioni, mund t'i transportojë ato fizikisht në një nga vendet që garantojnë fshehtësinë e depozitave dhe të aksionerëve të kompanive që krijohen në to (këto vende etiketohen zakonisht si parajsa fiskale). Pas regjistrimit të një kompanie anonime, në një nga këto vende, këto pará i transferohen legalisht kompanisë së ndërtimit që ka fituar tenderin, për ndërtimin e një rruge në Shqipëri. Dhe pas ndërtimit të rrugës, shteti i paguan çdo vit, këstet kompanisë së ndërtimit, deri në shlyerjen e plotë të rrugës.

Në këtë mënyrë, kompania e ndërtimit është në rregull me ligjin, sepse deklaron që, për të financuar punimet e saj, ka marrë borxh nga kompania X, e regjistruar në vendin Y. Dhe pastaj, me këstet që merr nga thesari i shtetit, shlyen borxhin ndaj kompanisë X dhe siguron edhe fitimin e saj, për punimet që ka kryer.

Për të parë nëse një skemë e tillë pastrimi parash, do të përdoret për ndërtimin e rrugëve me PPP, gazetarët investigativë dhe opozita, duhet të gërmojnë me vigjilencë në burimet e financimit të kompanive fituese të tenderëve. Në qoftë se ndër financuesit e tyre, do të ketë kompani anonime të regjistruara në parajsa fiskale, gjasat do të jenë të mëdha, se do të kemi të bëjmë me pastrim parash.

Përdorimi i parajsave fiskale në të shkuarën

Përdorimi i parajsave për investime në Shqipëri, është tentuar me kohë. Rasti më i njohur është ai i vitit 2012, për blerjen e Albpetrolit për 850 milionë dollarë.

Një kompani anonime e krijuar rishtazi, atëherë në Singapor (që kishte vetëm një adresë postare), u bashkua në një konsorcium me një kompani fare të vogël nafte (që ekzistonte realisht në SHBA), duke fituar kështu tenderin për blerjen e Albpetrolit. Kompania amerikane nuk kishte mjete financiare për blerjen, por vlente vetëm për të plotësuar kërkesën e përvojës në fushën e naftës. Ndërsa kompania fantazmë, e regjistruar në Singapor, do të siguronte paratë. Pak më vonë, u zbulua se pas kompanisë fantazmë, ishte Rezart Taçi, i cili kishte blerë në mënyrë të ngjashme ARMO-n. (Për një arsye ose një tjetër, 850 milionë dollarët, nuk u mblodhën dot dhe tenderi i Albpetrolit dështoi, ndërkohë që edhe ARMO falimentoi).

Gjithashtu, një sërë koncesionesh që u dhanë nga qeveria Berisha (dhe që janë ende në fuqi), kishin si përfituese disa kompani anonime, të themeluara në parajsa fiskale. Pronarët e tyre të vërtetë nuk dihen. Vitet e fundit, në mënyrë të ngjashme, është themeluar banka ABI, e cila zotërohet kryesisht nga një fond i regjistruar në një parajsë fiskale.

Dy fjalë për parajsat fiskale

Shumica dërrmuese e parave që shkojnë në parajsat fiskale, janë më se të pastra. Arsyeja përse paratë shkojnë atje, është se këto vende kanë taksa fare të ulta ose taksa zero, për investimet e huaja. Fitimet nga një fond, kompani apo depozitë e krijuar në to, pothuaj nuk taksohen nga autoritetet lokale. Pikërisht për këtë arsye, kompanitë dhe njerëzit më të pasur në botë, i parkojnë paratë e tyre në parajsat fiskale.

Por parajsat fiskale përdoren edhe nga njerëz që duan të fshehin paratë e pista (të fituara nga krimi apo korrupsioni), apo që duan të fshehin të ardhurat e tyre legjitime, për t'i shpëtuar taksave në vendin e origjinës. Duke shfrytëzuar anonimitetin që sigurojnë parajsat fiskale, paratë e fshehura në to, përdoren për investime në vende të tjera që, në pamje të parë, duken të ligjshme.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: