A MJAFTOJNË VETËM KRITIKAT PËR RIKTHIMIN E PD-së NË PUSHTET? – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

A MJAFTOJNË VETËM KRITIKAT PËR RIKTHIMIN E PD-së NË PUSHTET? – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nga veprimtaria e përditshme e PD-së, duket se strategjia e saj për rikthimin në pushtet mbështetet tek kritikat pafund ndaj qeverisë, me shpresën se, eventualisht, mazhoranca do të tkurret elektoralisht deri në pikën kritike, kur votat e saj do të bien poshtë atyre të opozitës. Por harrohet se vetë votat e opozitës kanë rënë në një minimum historik.

Kështu, kur PD-ja erdhi në pushtet (në vitin 1992), partitë e djathta (të udhëhequra nga PD) morën diçka mbi 1 milion vota. Ato zbritën në kuotën dramatike të 450 mijë votave në vitin 1997 (kur nuk bënin dot fushatë në jug të Shkumbinit); u ngritën në kuotën e 750 mijë votave në 2009-ën; dhe ranë përsëri në kuotën e 450 mijë votave në 2017-ën (shihni grafikun shoqërues).

Kur u përmend politikanëve demokratë këto shifra elektorale, ata justifikohen se në 1997-ën, kundërshtarët ua morën votat me forcën e kallashnikovëve, ndërsa në 2017-ën, me forcën e kanabisit. Por ata harrojnë të përmendin se, në 2017-ën, partitë e djathta humbën 120 mijë vota në zonat urbane, krejtësisht nga rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje.

Mund të pranohet justifikimi i PD-së për zonat rurale (ku mund të blesh të parin e fisit, për të siguruar votat e gjithë fisit), por s'mund të gëlltitet logjikisht argumenti se 120 mijë votues urbanë të djathtë ndejtën në shtëpi ditën e zgjedhjeve, falë parave të kanabisit (vetëm në 11 ish-minibashkitë e Tiranës, partitë e djathta pësuan një tkurrje prej plot 50 mijë votash).

Që këta votues urbanë të djathtë të rikthehen në kutitë e votimit, nuk mjafton që të kritikohet e denoncohet qeveria e majtë për kanabisin dhe koncesionet. PD-ja duhet të kritikojë e denoncojë me emra konkretë të gjithë ata që, gjatë qeverisjes 8-vjeçare të saj, lejuan kanabisin në Lazarat e Dukagjin, si dhe dhanë koncesione e tenderë abuzivë sa u desh qejfi. Dhe denoncimet duhet të shkojnë deri tek ish-ministrat e ish-kryeministri (apo familjarët e tyre).

Kështu, aktualisht janë në fuqi plot 209 kontrata koncensionare, nga të cilat 135 mbajnë firmat e ministrave të PD-së, 52 mbajnë firmat e ministrave të LSI-së, dhe vetëm 22 mbajnë firmat e ministrave të PS-së. Falë këtyre firmave, në vitin 2018, shqiptarët do t'u paguajnë kompanive koncesionare plot 150 milionë euro (70 milionë prej tyre do t'i paguajnë tërthorazi, përmes buxhetit të shtetit).

Gjatë tetë viteve që PD-ja ishte në pushtet për herë të fundit, janë dhënë me mijëra tenderë, për shumicën e të cilave Kontrolli i Lartë i Shtetit ka denoncuar shkelje, që i kanë kushtuar shqiptarëve qindra milionë euro (më i famshëm është tejkalimi i kostos prej 220 milionë eurosh në ndërtimin e Rrugës së Kombit).

Vetëm kur vetë PD-ja t'i denoncojë në prokurori autorët realë të kasaphanës korruptive që iu shkaktua Shqipërisë gjatë tetë viteve të pushtetit të saj, mund të shpresohet që 750 mijë zgjedhës të votojnë për partitë e djathta, sa ç'votuan në 2009-ën (për 1 milion vota, si në 1992-shin, as që bëhet fjalë).

Por në qoftë se nuk zgjedh këtë rrugë të ndershme, a mund të ketë sukses strategjia aktuale e PD-së?

Me shumë përpjekje, PD-ja dhe satelitët e saj të vegjël mund të arrijnë kuotën e 500 mijë votave. Duke shpresuar kështu se LSI-ja mund të marrë aq vota, sa së bashku, ta kalojnë PS-në dhe satelitët e saj të vegjël. Ose PD-ja mund të presë me shpresë në buzë të detit, që nga përtej tij, të vijnë përgjime të reja të prokurorive të atjeshme, të cilat të inkriminojnë drejtpërdrejt Edi Ramën...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: