Aleksandër Ypi: Do bëj muzikë “rrok”, deri në frymën e fundit

Aleksandër Ypi: Do bëj muzikë “rrok”, deri në frymën e fundit
Është një djalë i ri, që studion për t’u bërë një ditë jurist, ndërkohë që shtatin e lartë e vë në dispozicion të basketbollit. Por në shpirt dhe në pasione, është një djalë “rrok”. Aleksandër Ypi është një talent i ri i muzikës, që po debuton në skenën e festivalit “Kënga magjike”, me një baladë rrok që titullohet “Motivi”, por ai e ka lëvruar këtë pasion edhe më parë. Njihemi në këtë rrëfim ekskluziv, me një personazh të veçantë që është pjesë e atyre të rinjve të paktë që dashuron muzikën e vërtetë, siç edhe vetë e quan, muzikën e legjendave të skenës, muzikën “rrok”.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Je ende shumë i ri, por ke kaluar disa skena të rëndësishme, si Top Fest. Sot je në “Këngën magjike”. Nga buron ky pasion për rrokun, në mes gjithë kësaj muzike dance?

Pasioni im për muzikën rrok, vjen qysh nga vogëlia, kur me shumë pasion, dëgjoja kasetat e grupeve të njohur Whitesnake, Queen, si dhe të këngëtarit italian Vasco Rossi. Sa i takon muzikës dance, nuk kam asgjë kundra, por thjesht nuk më tërheq. Meritë e edukatës artistike familjare, prej vogëlisë sigurisht.

Në një intervistë, shpreheshe se studion juridik, punoje, merreshe me muzikë dhe ndërkohë luaje basketboll. Nuk i doje kafenetë. Mendon se moshatarët e tu humbasin kohën kot, ndonjëherë?

E vërtetë, kam luajtur basketboll, punoj, merrem me muzikë dhe nuk para i frekuentoj kafenetë, sepse jam dhe pak tipi që nuk mund të qëndroj gjatë ulur në kafene. Ka dhe raste përjashtuese, sigurisht. Sa për moshatarët e mi, mendoj thjesht se atë lloj jete dhe mënyrë kanë zgjedhur, për të kaluar kohën.

Kur ke kuptuar se muzika do të ecte bashkë me ty?

Gjithmonë e kam menduar që muzika do të më shoqërojë gjatë gjithë jetës time. E dua me shpirt muzikën, kështu që detyrimisht, do të jetë bashkudhëtare me mua, përgjithmonë.

Ke idhuj nga muzika rrok?

Idhulli im, frymëzimi im në muzikën rrok, është themeluesi dhe vokalisti i grupit “Whitesnake”, David Coverdale. Sigurisht, shembuj të tjerë të rrugëtimit artistik janë dhe “Scorpions”, “Guns ‘N Roses”, “Steelheart”, Bon Jovi, “Gotthard”, “Metallica”, “AC/DC”, “Queen”, “Europe” etj.…

Specialistët e fushës thonë se ke shtrirje dhe ngjyra vokale të veçanta. Po cilësi të tjera që të dallojnë si këngëtar, a mendon se ke?

E vërtetë. I kam dëgjuar shpesh specialistët të shprehen për këto cilësi të miat dhe ndihem i vlerësuar. Mendoja se kam një ndjeshmëri të lartë për çdo notë, çdo fjalë të këngës. Arrij të depërtoj në filozofinë e këngës. E dashuroj atë!

Si u ndjeve në skenën e festivalit “Kënga Magjike”? Si ishte rruga jote deri atje?

Skena e “Këngës Magjike” ishte si vetë emri i festivalit, magjike! Ngjitem në atë skenë, pas një pune shumë të madhe me pjesën e vokalit. Eksperiencë e bukur? Do të thosha e mahnitshme, e mrekullueshme!

Na e zbulo pak, pse të thërrasin në fakultet fotografi?

Sepse, në fakt, unë jam një nga fotografët zyrtar të universitetit ku aktualisht studioj.

Në vitin 2015, ke dalë në skenë me “Dashuritë e mëdha”. A ka ende sot, dashuri të mëdha? E ke një të tillë e nëse jo, a do të doje ta kishe?

Kanë kaluar më shumë se dy vjet ha ha ha. E vërteta është që edhe në atë kohë që është lançuar kënga, nuk ka pasur një dashuri të madhe në jetën time, e nuk ka as sot. Shpresoj në të ardhmen të ketë ha ha ha.

Sa kërkesa ke për këngët që interpreton? Si i preferon ato dhe a u jep rëndësi teksteve të tyre? Vetë, a ulesh të shkruash muzikë ose poezi?

Me raste, ç’është e vërteta, sepse gjithçka varet nga muza e momentit. Mund të rrish një vit, 6 muaj ose dhe 1 muaj, për të shkruar diçka dhe nuk e bën dot, sepse nuk ke frymëzim. Ndërsa e bukura e kësaj situate artistike, është që mund të rrish 3 minuta dhe mund të krijosh gjëra brilante.

Nga mbiemri je me origjinë nga jugu. Sa ka në formimin tënd, motive nga zona jote e origjinës?

Origjina është e largët shumë dhe nuk më ndikon aspak.

Tani që je personazh në publik, a i druhesh mendjemadhësisë? Sa je ti me këmbë në tokë?

Nuk i druhem aspak. Garantoj që do të jem njeri i thjeshtë, ashtu siç jam shfaqur deri tani, përpara njerëzve. Sigurisht, njerëzit kanë dëshirën të të etiketojnë si të tillë, por unë vazhdoj përpara, pa u ndikuar nga fjalët. Bashkëngjis dhe shprehjen e të madhit, Sir David Coverdale: "Audienca do të të bëjë të ndihesh si gjysmëperëndi, por kur të lësh skenën, përgatitu të rikthehesh në njeri."

Një copë e zezë e lidhur në dorë, shenjë metalarësh... nuk të duket vetja pak në vështirësi, teksa dëgjohet e këndohet shumë muzikë komerciale?

Absolutisht, jo. Përkundrazi, i jap një mesazh të fortë asaj audience që fatkeqësisht këtu në Shqipëri, është shumë e madhe dhe që e etiketon muzikën rrok si të dalë “jashtë mode”. Nuk ka muzikë të vjetër apo muzikë të re. Ka muzikë të vërtetë dhe muzike kalimtare. Muzika rrok është muzika e vërtetë, muzika e shpirtit dhe për mua, absolutisht vetë jeta. Muzika që ma zbukuron ditën, jetën. I’ll Rock, til my last breath! (Do bëj muzikë rrok, deri në frymën e fundit).

Për çfarë do luftoje më shumë në jetë?

Arsyeja e luftës së jetës së një personi me norma të larta njerëzore dhe shoqërore, është të pasurit e një familjeje të sigurt dhe gjithmonë pranë vetes, fizikisht dhe shpirtërisht.

E shikon më të vështirë karrierën, duke qenë se je një zë mashkull në Shqipëri, pra pamja nuk është një plus?

Secili artist punon dhe lufton për të arritur majat gjatë një karriere muzikore. Mendoj se pamjen, në rastin e mashkullit, e zëvendëson bukuria e artit të tij. Shpresoj t’ia arrij dhe unë qëllimit.

Sa të ka mbështetur familja në këtë pasion? A ishin ata dakord për këtë rrugë tënden?

Familja më ka mbështetur në gjithë këtë periudhë kohore, në të cilën vendosa t’i futem këtij rrugëtimi artistik. Ata janë gjithçka, janë si ato dritat e autostradave që të shoqërojnë gjatë gjithë rrugës.

Ndërkohë, po bashkëpunon me një band apo je ujk solitar?

Jam një luan solitar, ha ha ha. Për momentin kam performancë solo, por më vonë nuk i dihet, ndoshta mund të jem dhe unë një Aleksander Coverdale.

Personazhet rrok imagjinohen kontrovers, që pinë alkool dhe janë radikalë në ndjenja. E shikon veten të tillë një ditë?

Kjo përshtypje është për dëgjuesit ose këngëtaret e kësaj rryme. Por e vërteta është që ka shumë personazhe botërore që nuk i kanë këto cilësi. James Hetfield, vokalisti i “Metallica”, për shembull. Ndoshta vetë potenca e muzikës rrok, si rrymë, i bën njerëzit të bien në këto përfundime.

Doja të shtoj se ekziston një dashuri tjetër në jetën time artistike, që quhet “La musica italiana”. Jam ndjekës i rregullt i Festivalit të San Remo-s.

Sa rrok je ti vetë? Miqtë i zgjedh rrok apo pop?

Jam shumë “Rock” dhe grupi shoqëror mendon që unë e teproj me këtë Rock-izmin tim të theksuar. Por jam shumë i lumtur dhe krenar që ajo rrymë më përfaqëson dhe plotëson si person. Mjafton të jenë dëgjues të një muzike cilësore dhe është shumë OK. Femrat rrok janë shumë interesante dhe më ngjit biseda me to. Shoqen time të jetës do të doja ta kisha “A Rock Woman”, ha ha ha.

Një xhiro pasditeje që përfundoi me një vizitë në një dyqan muzike (në zonën e Shallvareve) kur isha 8 vjeç, ndryshoi komplet jetën time, duke më futur në një botë aq madhështore dhe të pafundme, siç është muzika. Falënderoj zotin dhe familjen, për gjithçka jam!

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: