ASHTU ËSHTË NJË MUHABET – OPINION NGA SONILA MEÇO

ASHTU ËSHTË NJË MUHABET – OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Do të ishte logjike (për aq sa logjike ngjajnë tashmë gjërat në Shqipërinë e paradokseve),  t’i kërkoje sot kryeministrit të vendit, të rrisë ekonominë me të njëjtën madhësi shpenzimesh që bëri për fushatën elektorale. Dhe me shpenzime, kuptoj çdo vlerë legale e ilegale që u vu në shërbim të saj. Por mesa duket, qeveria e ka tejkaluar logjikën, duke u përpjekur të bëjë me ekonominë atë që bëri me shpenzimet e fushatës, të injektojnë në të pará legale dhe ilegale.

Buxheti i vitit të ardhshëm ngjan një algoritëm i vyer, nga ku mund të realizohet një skemë së cilës ia kanë bërë provën e përgjithshme me fushata elektorale. Dhe kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme për çdo shqiptar, që do të dijë si do të shpenzohen paratë e veta, do të fitojë më shumë a më pak dhe nëse djersa e tij do të lajë mermerin e rrokaqiejve të Tiranës, apo koncesioneve të paketuara plot luks në dukje, nën emërtimin “Paketa 1 miliard” për infrastrukturën.

Buxheti është ligji më i rëndësishëm i qeverisë. Për kryeministrin Rama, më i përgjegjshmi e realisti që synon rritje ekonomike e punësim, që nuk rrit taksa dhe lehtëson familjet në nevojë. Buxhet i konsolidimit fiskal dhe uljes së borxhit publik.  Ndërkohë, për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, buxheti i vitit 2018 do të jetë ai i pastrimit të parave, ku krimi i organizuar është shtrirë përtej kanabisit, tek trafiku i kokainës dhe heroinës, si edhe tek kafshimi i ekonomisë publike dhe private, nëpërmjet projektit 1 miliard. Madje, sipas tij,  buxheti duhet të administrohet nga Prokuroria dhe FBI-ja, si një provë e Edi Ramës për pastrimin e parave.

Qeveria vepron mbi mandate, afate të përcaktuara, ndërsa kusuret për shqiptarët, tejkalojnë një, dy apo tre të tilla. P.sh., ajo çfarë vendos sot qeveria për projektin 1 miliard, pra koncesionimi në formë partneriteti publik-privat i projekteve publike, ndikon me breza shqiptarët, stabilitetin e financave publike për një kohë të gjatë dhe kërcënon borxhin publik. E për më tepër, në një vend ku korrupsioni, abuzimi, krimi e kapja e shtetit janë të cituara në raportet e organizmave monitorues ndërkombëtarë (derisa edhe këta të përfshihen në kategorizimin refuzues të kazanit). Thënë ndryshe, kjo qeveri po na kërkon t’i besojmë verbërisht paratë tona, për t’i përdorur në projekte ku ka dëshmuar paaftësi totale, ku ka zënë rrënjë korrupsioni, duke mos i kërkuar llogari dhe mundësisht, duke pranuar që paratë që do marrë për projektet infrastrukturore nga investitorë potencialë, t’ua kthejë nga tonat, edhe në mos përfundofshin, edhe në qofshin me cilësi skandaloze.

“Pse duhet të të besojmë me këtë buxhet?”- pyet publiku. “Se ashtu është një muhabet”, - gjegjet kryeministri.

Atëherë, le ta shohim se ç’gjendet përtej këtij muhabeti, të cilit ka nisur t’i vijë era e lavatriçes që i janë nxehur ingranazhet prej padurimit për të nisur shpëlarjen.

E para, nuk mund të besojmë kryeministrin kur thotë se nuk do të rëndohen më qytetarët. Ja shembulli elementar: skema e përfshirjes në tvsh e mijëra bizneseve të reja, nëpërmjet uljes së pragut të përjashtimit nga ky tatim. Luftë e hapur ndaj më të pamundurve. Por ndërkohë nuk na thotë, a ka kapacitet administrativ të përballojë këtë fluks të shtuar? Kjo administratë së cilës i shënjestroi edhe mënyrën e paraqitjes dhe veshjen, kur bën inspektime. Kjo administratë që rezulton me rekorde negative në çdo raport vendas e ndërkombëtar. Apo këtu, m’u bash këtu, është muhabeti? Një kompani për administrimin e këtij tatimi? Kur rekordet me të shkuarat që hynë për të bërë mrekullinë në tatime e dogana, ikën me dështim dhe faturë miliona euroshe për shqiptarët. Ata shqiptarë që do të paguajnë më shumë taksa edhe për banesat e tyre, nga janari 2018, sepse tatimi mbi banesat do të jetë në përqindje të vlerës së tyre dhe jo një shumë fikse, si deri më tani. Ky ndryshim do të sjellë të paktën një rritje prej 1500 deri në 3000 lekë në vit për çdo familje.

E dyta, nuk e besojmë dot kur premton se buxheti lehtëson familjet në nevojë e zbut pabarazinë, sepse me një shembull aritmetik, na bind për të kundërtën. Asnjë rritje në ndihmën ekonomike, asnjë plan a skemë për familjet në nevojë. Ndërsa dëmton edhe më të varfrit me paketën e re fiskale, i bën nder një numri të vogël biznesesh të majme.  Ndoshta m’u këtu është muhabeti, pas të cilit qeveria jep garanci duke zënë be. Hotelet me katër e pesë yje, përjashtohen nga tatimi mbi fitimin për një periudhë dhjetëvjeçare. Gjithashtu, përfitojnë edhe shkallën e reduktuar të tvsh-së me 6%. D.m.th. i këputuri tatohet 20%, ai me 4 e 5 yje 6%. Reduktim pabarazie apo hendek ku hyn e thyen qafën mirë, për ca vjet?!

E treta, nuk mund të besojmë kryeministrin që siguron shqiptarët me rritje pagash dhe pensionesh, kur e premtoi edhe katër vjet më parë, por nuk e realizoi. Sigurisht, do të kërkojë fajtorin tek bashkëqeverisja, në mos tek statistikat e qeverisë demokrate të 8 viteve të shkuara. Por shifrat janë aty, të heshtura, ama zhurmëmëdha: për vitin  e ardhshëm, buxheti ka parashikuar 1 miliard lekë shtesë në paga, që është 4.5 miliardë lekë më pak, se viti aktual. Rritja e fondit të pensionit është më e ulët se e vitit aktual, nga 2,5 miliardë në 1,8 miliardë lekë.

Së katërti, sërish garancitë e kryeministrit nuk ndërtohen mbi ligjin themeltar të shtetit, Kushtetutën, por mbi vullnetin vetëm të këshillit të ministrave. Të drejtën kushtetuese për vendosjen e taksave, nuk e ka më Parlamenti nëpërmjet ligjeve, por Kryeministri. Meqë po kërkojmë të shohim përtej muhabetit, ja ku qenka thelbi: Kryeministri i qeverisë së ngarkuar me skandale, me procese nën hetim për anëtarë të saj, në vendin e korrupsionit dhe kryeqytetit europian të kultivimit të hashashit, të vendosë për tatimet, pa kaluar nga Parlamenti. Që t’i besosh verbazi këtij kryeministri, ke vetëm një shans, të jesh vërtetë i verbër!

Së pesti, pse duhet besuar kryeministri “se ashtu është një muhabet, se ekonomia do të rritet përgjatë gjithë mandatit”, kur jo më larg se dje, përfaqësuesit e Bankës Botërore në Shqipëri (që mund të përcaktohet Kazan Botëror pas kësaj deklarate), do të pohonte: Rritja ekonomike do të jetë më e ulët pas përfundimit  të projekteve të mëdha të TAP-it dhe Devoll-it, si  dhe mosplanifikimit të projekteve të mëdha. Sipas saj, rritja ekonomike e vendit do të jetë 3.8% në vitin 2017, duke u ngadalësuar më pas në 3.6% në vitin 2018 dhe 3.5% në vitin 2019. Kështu mbështeten pritshmëritë e FMN-së, që uli me 0.4 pikë përqindje parashikimin për zgjerimin ekonomik të vendit vitin e ardhshëm, nga 4.1% në 3.7%.

Së gjashti, si ta besojmë kryeministrin kur flet për buxhet të përgjegjshëm, kur ka mundësi që rritja reale ekonomike si vlerë, mos mbështetet nga paraja e një ekonomie të shëndetshme? P.sh., kompanitë po ndërtojnë me kapitale të veta, pa kredi nga bankat, duke i dhënë një shtysë sektorit të ndërtimit, aty ku po varet si në kremastar rritja ekonomike. Pra, bankat nuk janë burimi kryesor i financimit. Thënë ndryshe, likuiditetet e kompanive janë tejet të larta, në një kohë  që klima e të bërit biznes në Shqipëri, është përkeqësuar ndjeshëm, krahasuar me një vit më parë. Përfundimi është i raportit të përvitshëm të Bankës Botërore “Doing Business 2018”,  që ka vlerësuar faktorët që lehtësojnё ose pengojnë biznesin nё 190 vende të botës për periudhën qershor 2016–qershor 2017. Shqipëria renditet këtë vit, në vendin e 65-të në botë, duke humbur 7 vende krahasuar me një vit më parë... Shqipëria është shumë prapa vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, në drejtim të lehtësimit të të bërit biznes dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Nga ka buruar ky sukses në qarkullim e fitime, kur ekonomia është mbështetur kryesisht në konsum, tek Tap-I e Devolli? Kur klima e të bërit biznes është përkeqësuar, kur taksat janë progresive dhe në këtë vend prodhimi është përqendruar tek produkti par excellence, Made in Albania, kanabis sativa?

Për të ardhur logjikisht te “muhabeti” i vërtetë, ai që sot nuk shpjegohet qartë, por lë vend për të gjitha supozimet e dyshimet e mundshme. Që nga FMN-ja, Banka Botërore, ekspertë të pavarur dhe opozita në Parlament, përfshi përvoja të ngjashme botërore, po e sulmojnë si një projekt që rrezikon të ardhmen e vendit. Nga Britania e Madhe në Kili, PPP-të (partneriteti publik-privat) në një pjesë të konsiderueshme, kanë dështuar. Të shtrenjta, jo efektive në financimin e infrastrukturës, meqë prekin borxhin publik dhe i japin garanci afatgjata shtetërore fitimi kompanive private. Për Bankën Botërore, Shqipëria nuk ka mjetet për të kontrolluar efektshmërinë dhe qeveria duhet të punojë në përmirësimin e mjedisit të ekonomisë, sesa me financimin e projekteve të veçanta nga paketa 1 miliard. D.m.th. i thotë qeverisë, se muhabeti i vërtetë është të shëndoshëshë ekonominë, duke u krijuar mundësi bizneseve të funksionojnë normalisht, para se të zgjedhësh ata që do për të bërë punë, që as i kontrollon dot e të rëndojnë financat, sa mund të të çojnë në krizë. Çfarë paraje do ta kontrollojë ekonominë shqiptare? Në ç’duar e në sa pak prej tyre do të bjerë infrastruktura? Cili është interesi publik, kur rrezikun e sipërmarrjeve të tilla vijon ta mbajë shteti dhe jo privati? Sepse është shteti që nis e paguan privatin për financimin e tij të projektit, para kolaudimit të plotë. Çfarë procedurash ndiqen për përzgjedhjen e kompanive që do të përfitojnë PPP? Kush i garanton proceset të mos jenë fiktive, duke përfshirë garues artificialë për të favorizuar të parazgjedhurit? Si mbrohet vendi nga riciklimi i parave të pista, kur këto skema përdoren gjerësisht në vende me korrupsion të lartë për pastrimin e parave, nëpërmjet pagesave në dorë të nënkontraktorëve? Aq më tepër, kur në mars të këtij viti, Departamenti i Shtetit në raportin vjetor, rendiste Shqipërinë si një nga vendet me riskun më të lartë të pastrimit të parave? (Para se DASH të kategorizohet te kazanëria).

E pra, në vendin nga ku duan shumë të ikin, ata që qëndrojnë, për çdo arsye, duhet ta dinë se jetojnë në një republikë kryeministrore me përkufizim, ku ekonomia, drejtësia, media dhe Parlamenti, janë një teatër marionetash, të cilit marketingun ia bën shefi i qeverisë, ndërsa energjinë për të funksionuar, një Zot e di se kush! Dhe kur dikush nga kazanët vendosur përballë skenës guxon të pyesë kokën e PR-it të këtij teatri, se kush e zotëron tashmë, përgjigjja përsëritet me çdo ngritje sipari, “Ashtu është një muhabet”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: