Barazia gjinore, femrat shqiptare më pranë meshkujve vetëm në politikë

Barazia gjinore, femrat shqiptare më pranë meshkujve vetëm në politikë
Femrat shqiptare po e shkurtojnë “distancën” e tyre nga meshkujt, kryesisht në sektorin e politikës, pasi në të tjerët ato ende kanë një hendek të thellë me ta. Kështu pohon të paktën Forumi Ekonomik Global në një raport të tij të fundit mbi barazinë gjinore. Sipas tij, është e vërtetë se Shqipëria ka bërë mjaft hapa para për integrimin e femrave në shoqëri, por ky mesa duket është më i dukshëm vetëm në politikë. Konkretisht, ai e rendit Shqipërinë të 31-tën në botë fuqizimin politik të femrës, mes 144 vendeve të botës. Një tregues mjaft i mirë ky sipas ekspertëve të Forumit Ekonomik Global, sidomos për kuotën zyrtare prej 30% që aktualisht vendi ynë ka përcaktuar me ligj për kandidimin e femrave në listat e zgjedhjeve vendore, por edhe atyre të përgjithshme. Si edhe faktin tjetër, që plot 97 vjet më parë, femra shqiptare është barazuar me meshkujt në ushtrimin e të drejtës themelore të votës, kur kjo ende nuk është bërë realitet në shumë vende të botës. Por mesa duket, Forumi Ekonomik Global nuk ndalet këtu. Ai shkon edhe më tej, duke e listuar Shqipërinë si vendin e dhjetë në botë sa i përket numrit të femrave ministre, renditja më e mirë kjo e mundshme për të gjitha vendet e rajonit tonë. Teksa i ka dhënë vendin e 48-të për numrin e femrave deputete, edhe ky një pozicion i favorshëm, po të mendosh se Shqipëria parakalon për të tregues mjaft vende të zhvilluara. Por a është kjo në të vërtetë situata e barazisë mes femrave dhe meshkujve në vendin tonë? Jo, sepse Forumi Ekonomik Global vë në dukje edhe sektorë të tjerë, ku duket se ajo çalon dukshëm dhe ku femrat vuajnë ende një pabarazi të theksuar me seksin tjetër. Mjafton të përmendim këtu shëndetësinë, për të cilën Shqipëria renditet e 120-ta mes 144 vendeve të botës. Pikërisht për gjendjen shëndetësore të femrave, kundrejt asaj të meshkujve, si edhe për normën e jetëgjatësisë.

Ato sjellin më shumë pará në shtëpi, por janë më të papunat

Ato sjellin më shumë pará në  shtëpitë e tyre, por në fakt janë më të papunat. Fjala është pikërisht për femrat shqiptare, të cilat figurojnë në një normë më të lartë papunësie se meshkujt. Por në të njëjtën kohë, janë kontribueset më të mëdha në ekonomitë familjare. Këtë e pohon edhe raporti i Forumit Ekonomik Global, sipas të cilit, nëse meshkujt e rinj të papunë në Shqipëri janë rreth 20% e totalit, femrat janë edhe më shumë, deri në nivelin prej 32%. Teksa norma mesatare e papunësisë në vendin tonë, për momentin llogaritet të jetë në nivelin prej 17.1%. Nga ana tjetër, femrat rezultojnë që të zënë edhe numrin më të madh të të vetëpunësuarve në Shqipëri. Duke treguar në këtë mënyrë se ato paraqesin vështirësi në zënien e një vendi pune që u ofron kohë të plotë dhe kësisoj, janë të detyruara të sajojnë fronte pune, për të mbajtur familjen e tyre. Dhe pabarazia me meshkujt, sipas ekspertëve ndërkombëtarë shkon edhe më tej, po të mendosh se femrat kontribuojnë më shumë në mirëqenien e familjes së tyre.

 

INSTAT: Femrat dhe meshkujt nuk paguhen njësoj

Në Shqipëri ekziston një hendek gjinor tek pagat, me të cilat paguhen femrat dhe meshkujt. Këtë e ka pohuar edhe vetë Instituti i Statistikave në raportin e fundit “Burrat dhe gratë në Shqipëri, 2017”, sipas të cilit, personat e gjinive të ndryshme në vendin tonë nuk paguhen njësoj, për të njëjtën punë. Një tregues i theksuar ky i pabarazisë gjinore, që ende vazhdon të jetë i pranishëm në vendin tonë. “Hendeku gjinor i pagave për të gjithë punonjësit me kohë të plotë është në nivelin prej 6.3%. Ndërkohë që 56% e punonjësve janë burra dhe 44% janë gra”, citojnë ekspertët. Për të vijuar më tej me faktin se  në sektorët e bujqësisë dhe industrisë nxjerrëse, energjisë, gazit dhe furnizimit me ujë,  paga mesatare e burrave është më lartë se e grave. Duke shtuar se aktiviteti ekonomik i prodhimit paraqet hendekun më të gjerë të pagave nga të gjithë aktivitetet ekonomike në Shqipëri, me nivelin prej 23.3%.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: