Basha takon përfaqësuesit e NDI-së: Lidhja e krimit me politikën rrezikon gjithçka kemi arritur

Basha takon përfaqësuesit e NDI-së: Lidhja e krimit me politikën rrezikon gjithçka kemi arritur
Gjatë një takimi me përfaqësues nga Instituti Demokrat Amerikan (NDI), kryetari i PD-së, Lulzim Basha foli lidhur me situatën e rënduar politike në vend pas “skandaleve” për lidhjet e qeverisë me trafikun e drogës.

“Ndërlidhja e krimit me politikën rrezikon të kompromentojë rëndë gjithçka ka arritur Shqipëria në këto vite, si edhe të asgjësojë çdo reformë për zhvillimin e vendit”- tha Basha.

Në takimin me delegacionin e NDI, i drejtuar nga Robert Benjamin, Drejtor për Europën Qendrore dhe Lindore, Basha vuri theksin te zgjidhja e ngërçit politik dhe krijimi i një qeverie anti-mafia si dhe ti jepet fund problemit të blerjes së votës.

“Për këtë qëllim zbatimi i identifikimit biometrik dhe votimit elektronik, si dhe kontrolli i financimit të rreptë të partive, është domosdoshmëri jetike për zgjedhje sipas standardeve demokratike”, tha Basha.

Delegacioni i NDI-së është në Tiranë për t’u ofruar partive politike asistencë për transparencën, menaxhimin dhe mbikëqyrjen financiare. PD është e gatshme ta zbatojë këtë përvojë, por Basha shprehu shqetësimin e përdorimit të parave të pista në fushatë, siç është faktuar nga përgjimet e anti-mafias italiane se Saimir Tahiri shpenzoi 20 milionë euro, të ardhura nga trafiku i drogës, për fushatën e PS-së në Tiranë në zgjedhjet e fundit.

Sipas zyrës së shtypit të PD-së që ka zbardhur takimin, “përfaqësuesit e Institutit Demokrat Amerikan e vlerësuan shqetësuese situatën në Shqipëri dhe treguan gatishmëri për të dhënë mbështetje duke përshtatur eksperiencat më të mira ndërkombëtare në problematika të ngjashme”.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: