“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Bashkëllafosje mes shoqesh, Elisa i telefonon Blerinës: Kujdes nga gjiza, kur ha peshkun

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Bashkëllafosje mes shoqesh, Elisa i telefonon Blerinës: Kujdes nga gjiza, kur ha peshkun
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me bashkëllafosjen midis shoqeve të PS-së, Elisa Spiropali dhe Blerina Gjylameti. Kujtojmë lexuesin tonë se shoqja Elisa u vendos koordinatore për mbarë Shqipërisë, ndërsa shoqja Blerina, u vendos kryetare për mbarë Tiranën. 

Bashkëllafosja midis tyre është bërë në rrugë celularonike. Se si, e qysh na ra në valën e antenës tonë ky komunikim, ne për momentin nuk e themi. Do e themi si pardje një vit më pas, kur kjo ngjarje të festojë 1-vjetorin e saj.

Elisa Spiropali: Bleri, urime! Elisa jam. Të pashë që dole nga godina me Kryeministrin...

Blerina Gjylameti: Edhe ty urime, Elisa! Po, po, me të dola. Më dha disa udhëzime për punën.

Elisa Spiropali: Është i madh Edi, për zotin. Ku je tani?

Blerina Gjylameti: I madh është, po. Po shkoj në Breg...

Elisa Sporopali:  Ç'ne në Breg ti moj shoqe?! Bregun e kam unë si zonë mbulimi. Apo të tha të shkosh aty Edi?

Blerina Gjylameti: Ai më tha, po.

Elisa Spiropali: Do më ndihmosh mua, me një llaf. Shumë mirë do bësh, se edhe unë kam nevojë për ndonjë ndihmëse, ndonjëherë. Apo po shkon për të ngrënë ndonjë peshk?

Blerina Gjylameti:  Ku ka peshk aty moj shoqe! Aty e shumta, gjizë ka.

Elisa Spiropali: Si nuk ka peshk?! Kur nuk peshk në zonën e Bregut, ku mund të ketë? Nejse, mos rri gjatë, se të enjten kemi seancën në Kuvend. Dhe kujdes, se mund të të bëjë reaksion gjiza kur shoqërohet me peshk! A fryn erë aty, që ta di çfarë të vesh, se do vij edhe unë këtë fundjavë. Nuk rrihet në Tiranë fare.

Blerina Gjylameti: Fryn ca, fryn.

Elisa Spiropali: Dmth të vishem trashë unë. Po shkoj atëherë të bëj një kostum dhe pallto apostafat  për erën e Bregut. Sa janë koordinatat e Bregut, se mua më internet ma nxjerr 40.ca gradë gjerësi gjeografike dhe 19.ca gradë gjatësi gjeografike, po nuk e di a ma nxjerr mirë ky telefoni im?

Blerina Gjylameti: Po ku di unë sa jane koordinatat, moj Elisë. Ç'i do koordinatat gjeografike, aman më qafsh...!

Elisa Spiropali: Si ç'i dua, moj shoqkë! A jam koordinatore unë. Po nuk i dita unë koordinatat, kush duhet t'i dijë? Unë ndaj jam koordinatore. Që të di koordinatat gjeografike. Punët e tjera me koordinim me Edin i zgjidhin të fortët që kemi nëpër zona. Se mos më pyet mua njeri nga ata. Apo nuk do të m'i tregosh?

Blerina Gjylameti: 41 gradë e 21...

Elisa Spiropali: 41 gradë e 21... ?! Po pse mua ma nxjerr 40 gradë e 16...?! Unë e kam edhe telefon të ri këtë!

Blerina Gjylameti: Si duket ma tregon gabim koordinatën gjeografike ky telefoni im, se ka tre vjet si telefon.

Elisa Spiropali: Po pra, se s'ka mundësi tjetër. Unë telefonin tim e bleva direkt pasi thashë që Ed Kryeministri është si Skënderbeu. Po porosis nesër ndonjë telefon të ri, të më vijë nga Amerika. Ti shoqkë, kujdes në Himarë, se janë inatosur disa banorë atje! Mos kalo andej! Le që kush të njeh ty andej edhe po kalove...

Blerina Gjylameti: Po ç'ne në Himarë unë m'i gocë! S'kam përse shkoj atje.

Elisa Spiropali: Po kalon nga rruga e Sarandës?

Blerina Gjylameti: Ka një lokal këtu ne fakt që quhet Sala, pa shkuar te Bregu i...

Elisa Spiropali: Mirë pra, kujdes! Edhe siç të thashë; mos harro kthehu shpejt se kemi seancë në Kuvend të enjten! Unë po nisem të bëj një kostum të ri. Si mendon, si ta qep? Ngjitur pas trupit, apo ta lë pak të më të gjerë lart?

Blerina Gjylameti: Ku di unë e shkreta, se si. Unë përgjithësisht tuta vesh kur shkoj në bazë.

Elisa Spiropali: Qyqja moj shoqkë! Si mund të shkohet në fshatrat e Bregut me tuta? Ata janë njerëz që e njohin modernizmin, më parë se kushdo në Shqipëri. E kanë rrahur kurbetin, që para 100 vjetësh, e më tepër. Po nuk u vesha mirë atje, ku të vishem unë, apo në Theth! Meqë ra llafi. Do shkoj javën tjetër në Theth. Është bukur atje. Kam qenë disa herë. Mrekulli fare. Ke qenë ti moj shoqkë?

Blerina Gjylameti: Kam qenë nga dy herë për turizëm...

Elisa Spiropali: Unë kam shkuar me shërbim, kur isha në Doganë. Mora makinën e punës se gjasme do bëja një inspektim në Han të Hotit dhe shkova fjeta në një han në Theth. Në dokumentin e shërbimit e shënova sikur isha në Han të Hotit. Se mos ndryshon shumë. Nga Hani në han. Mos ta bëja kaq gjë për veten time, për kë do e bëja!

Blerina Gjylameti: Po e mbyll, se po i afrohem Bregut të Lumit dhe aty nuk ka shumë valë telefonike. Ndaj nëse s'të përgjigjem, mos ma merr për keq!

Elisa Spiropali: Po i afrohesh Bregut të Lumit?! Cilit lumë po i afrohesh moj çupkë?

Blerina Gjylameti: Lumit të Tiranës, pra. Do takoj disa njerëz këtu.

Elisa Spiropali: Pse moj shoqkë, nuk je në zonën e Bregut të Detit ti?!

Blerina Gjylameti: Jo mi Elisa, ç'punë kam në zonën e Bregut të Detit unë. Erdha këtu në Breg të Lumit të Tiranës, të koordinoj banorët e zonës, me qeverinë.

Elisa Spiropali: Qyqja moj Blera, u bëra lëmsh. Ndaj s'më dilnin koordinatat njëlloj me ato që më dhe ti! Gjithsesi telefonin do e blej të ri, se i dhashë llafin vetes. Edhe unë budallaqja që mendova se mos të kishte dërguar Edi në fshatrat e Bregut.

Blerina Gjylameti: Jo, mi Elisa. Mua më ka për brigjet e lumenjve, partia. Tani shyqyr, do kem rastin të dal ndonjëherë edhe nga Blloku, po më la Pandeliu.

Elisa Spiropali: E pra, se e humba fare. Si mund të të vendosë ty si koordinatore për gjithë vendin ai, kur ti s'ke pasur asnjë post. Të bredhësh nëpër Shqipëri duhen lekë. Ishallah moj shoqkë, ke edhe ti fatin ndonjë ditë që të behësh drejtoreshë e doganave. Unë ca kohë u bëra dhe i thashë fukarallëkut, tutje. Gjithsesi, shumë prapa jam me pasurinë. Saimiri bënte 5 milionë euro në muaj, thanë ata në përgjime. Unë aq mezi i bëra për disa vite në punë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: