BB: Rritja ekonomike shqiptare do ngadalësohet

BB: Rritja ekonomike shqiptare do ngadalësohet
Rritja ekonomike e Shqipërisë nuk do të jetë më si më parë. Ajo do të vijë duke u ngadalësuar. Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar, tani është Banka Botërore e cila e konfirmon një fakt të tillë. Konkretisht, në raportin e saj më të fundit për Ballkanin Perëndimor, brenda të cilit ajo pohon qartë se rritja ekonomike e Shqipërisë nga parashikimi prej 3.8% për këtë vit, do të bjerë në 3.6% për vitin e ardhshëm. Madje ajo do të ulet akoma dhe më shumë në vitin 2019, duke arritur deri në nivelin prej 3.5%. Duke e shpjeguar një gjë të tillë me frenimin e investimeve të huaja direkte, të cilat sipas ekspertëve të Bankës Botërore, kanë qenë pikërisht ato që kanë krijuar një nivel të lartë të rritjes ekonomike shqiptare sivjet, deri në 3.8%. Por që mesa duket, nuk do të mund të qëndrojë më në të tilla nivele optimiste vitet e ardhshme, siç edhe e parashikon qeveria shqiptare, deri në nivelet 4%-5% përgjatë tyre. “Dinamikat e investimeve janë të lidhura me progresin në dy projekte të mëdha energjetike të financuara nga IHD-të (gazsjellësi Trans Adriatik dhe hidrocentrali i Devollit)”, saktësojnë ekspertët e BB-së, duke lënë të nënkuptohet se përfundimi i tyre do të ulë menjëherë ritmet e larta të rritjes ekonomike të vendit. “Përsa i përket financimit, IHD-të u zvogëluan me -7%, pasi aktivitetet që lidhen me dy projekte të mëdha të energjisë, të cilat arritën kulmin në 2016, filluan të bien”, saktësojnë ata. Por nga ana tjetër, nuk lënë pa përmendur edhe ato të cilat i quajnë “dobësi që lidhen me reformat e papërfunduara në sektorin e energjisë” dhe që e bën sipas tyre qeverinë të rishikojë herë pas here buxhetin, pikërisht për shkak të shpenzimeve të domosdoshme për blerjen e energjisë elektrike. Nga ana tjetër, ekspertët e Bankës Botërore parashikojnë edhe risqe të tjera për ekonominë shqiptare, të tilla si ato që normat më të larta të interesit në nivel global do të ushtronin presion mbi buxhetin, duke shtrënguar kushtet e financimit për qeverinë. "Tani është më e domosdoshme se kurrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të ruajnë tempin e reformave, me qëllim krijimin e mundësive dhe përmirësimin e standardeve të jetesës për të gjithë qytetar/t e Ballkanit Perëndimor", cilësoi Linda Van Gelder, drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. Duke përfunduar se "është inkurajuese të vërejmë se afro një dekadë pas krizës financiare globale, punësimi më në fund po rimëkëmbet në nivelet e parakrizës në pjesën më të madhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Paketa “1 Miliard”, të përdoret jo për rrugët

“Ne rekomandojmë që këto kontrata të trajtohen në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ministria e Financave duhet të forcojë kontrollin mbi PPP-të edhe për shkak të detyrimeve që rrjedhin nga ligji organik i buxhetit”. Ky është rekomandimi që Banka Botërore ka dhënë për programin “1 Miliard Euro” i parashikuar të aplikohet nga mot prej qeverisë shqiptare. Kështu, Ilda Shijaku, eksperte për Shqipërinë tha se Banka Botërore pranon që ky program është një paketë e madhe investimi, porse sipas saj, qeveria duhet të bëjë një analizë të qartë dhe të hollësishme për përfitimet që vijnë nga këto projekte. “Për ne më i rëndësishëm është përmirësimi i ambientit të ekonomisë se sa financimi i projekteve të veçanta nga paketa “1 Miliard”, apeloi ajo. Duke shtuar më tej, se përveç rrugëve, mirë do të ishte që qeveria të investonte në sektorë të tjerë si hekurudhat, etj. Banka Botërore është kështu në një linjë me FMN-në, që ka kërkuar një analizë të hollësishme kosto-përfitime për të gjitha projektet Partneritet Publik Privat, si dhe raportim të tyre sipas standardeve ndërkombëtare, çka nënkupton që ato të regjistrohen si borxh publik dhe të mos jenë borxh i fshehur.

Ballkani Perëndimor, rritje ekonomike jo më shumë se 2.6% gjatë këtij viti

Rajoni i Ballkanit Perëndimor ëhstë vlerësuar me një rritje relativisht të ulët ekonomike prej Bankës Botërore gjatë këtij viti. Vetëm në nivelin prej 2.6%, ai rezulton madje që ta këtë këtë tregues edhe më të ulët krahasuar me vitin pararendës, 2.9%. “Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të kenë rritje ekonomike në 2017. Ndërkohë parashikohet që ritmi i rritjes rajonale të përshpejtohet në nivelin prej 3.3% në vitin 2018 dhe 3.6% në vitin 2019”, citon raporti i BB-së. Duke saktësuar më tej sesi “investimet nxitën rritje të fortë ekonomike në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, ndërkohë konsumi çoi në një rritje të qëndrueshme në Bosnje dhe Hercegovinë”. “Kriza më e hershme politike në IRJ të Maqedonisë si dhe dimri shumë i ashpër në Serbi, shkaktuan tkurrje të rritjes ekonomike në këto dy vende”, sqaron gjithashtu BB-ja.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: