Berisha: Ndaj Turqisë nisim udhëtimin drejt finaleve të Euro 2020

Berisha: Ndaj Turqisë nisim udhëtimin drejt finaleve të Euro 2020
Portieri Etrit Berisha një ditë para miqësores me Turqinë e ka vlerësuar këtë ndeshje të rëndësishme si pjesë e udhëtimit që ka nisur drejt kualifikuesve dhe objektivit për të prekur finalet e Euro 2020.

“Ka qenë një javë që kemi punuar shumë, që ta përgatitim sa më mirë ndeshjen. Për ne kualifikimi në Europian fillon që nesër dhe duam që ta prezantojmë Shqipërinë në mënyrë sa më të mirë për të krijuar vetëbesimin që do na shërbejë për të ardhmen,” – tha Etrit Berisha

“Studimi i kundërshtarëve? Kam parë që Turqia ka disa emra të rinj, të cilët kanë kualitet. Edhe ata janë pak a shumë në një moment trazicioni. Ne duhet të përfaqësohemi sa më mirë, dhe nuk po mendojmë se kush do luajë ose jo te kundërshtarët”, shtoi portieri i Atalantës, Berisha, i cili konsiderohet ndër pikat më të forta në kampin kuqezi.

Në mungesë të Ansi Agollit, ai me mbrojtësin e Napolit, Elseid Hysaj do të diskutojnë shiritin e kapitenit në miqësoren e së hënës në Antalia, ora 18:30, ndaj Turqisë.

Trajneri Christian Panucci, mbi këtë miqësore, foli rreth kritikave për thirrjen e disa lojtarëve të dëmtuar, duke shpjeguar se në kombëtare gjithçka funksionon ndryshe dhe mbi rastet e Abrashit, Bashës, Strakoshës e Latifit, ka qenë stafi mjekësor i ekipit që ai drejton, që bëri vlerësimet.

Për Naser Aliji pa ekip, Panucci shtoi se kombëtarja është një familje dhe nuk mund të braktiset një lojtar, me vlera si Aliji, për faktin se për një periudhë ai nuk gjeti dot ekipin e ardhshëm.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: