Bien kampionët, Partizani “ringjallet” në Kukës

Bien kampionët, Partizani “ringjallet” në Kukës
Java e 11-të/ Skënderbeu gjen një rival tjetër, Flamurtarin, por mbetet +7 pas humbjes së Kukësit me Partizanin. Trajneri, Mladen Milinkoviç, u komunikon lojtarëve dorëheqjen, sot pritet zyrtarizimi

Aranit Muraçi

Skënderbeu barazoi të dielën me Kamzën 1-1, brenda në shtëpi, por ka përfituar sërish duke u shkëputur nga rivalët. Në dy ndeshjet e mbetura të javës së 11-të në Kategorinë Superiore, pas humbjes së Kukësit me Partizanin brenda në shtëpi, në ndjekje të Skënderbeut është vënë Flamurtari, me një diferencë prej 7 pikësh.

Luftëtari-Kukësi

Luftëtari nuk e gjen dot fitoren, madje tre pikët i ikin nga duart në minutën e fundit të kohës së rregullt. Gjoni shënoi për Laçin në 89’, duke barazuar shifrat në 1-1, përballë gjirokastritëve të cilët ndryshe nga një sezon më parë, nuk po gjejnë dot veten në këtë sezon. Ishte i zakonshmi Abazaj, ai që vetëm pas dy minutave lojë, kaloi Luftëtarin në epërsi. Të besuarit e trajnerit Hasan Lika kërkuan golin e dytë, por në minutat e fundit ndryshuan strategji për të mbrojtur rezultatin, çka rriti presionin e Laçit para portës së tyre dhe solli barazimin, që la të kënaqur më tepër miqtë. Pikë me shumë vlerë përballë një rivali direkt për mbijetesë për ekipin e drejtuar nga Gentian Mezini, një javë pas fitores ndaj Partizanit, çka ka shtuar optimizmin në kampin e Laçit për të shpresuar te mbijetesa pak javë para se të mbyllet gjysma e parë e këtij sezoni.

Kukësi-Partizani

Kukësi kalon shumë shpejt në avantazh, në 9’, falë një 11-metërshi që e ktheu në gol Guri. Partizani protestoi ndaj gjyqtarit Koçi për vendimin, kur Kale u pengua në zonë nga Malota. U mendua se Partizanin po e ndiqte humbja e radhës dhe pikërisht atëherë kur nuk e priste askush, përballë kampionëve në fuqi, në fushën e tyre, nisi edhe rikthimi i madh. Të kuqtë hidhen në kërkim të barazimit. Në 21’, Trashi kroson në zonë ku topi gjen Jurgen Bardhin, i cili nuk fal, duke mposhtur portierin Frashëri, e duke barazuar shifrat. Një minutë para se të mbyllej ndeshja, Gerhard Progni realizon golin e dytë. Mbrojtësi Albi Alla gabon në kthimin e topi pas duke pasuar te Bardhi i cili gjen mesfushorin e të kuqve, i cili futet në zonë me shpejtësi dhe shënon golin e epërsisë. Trajneri Mlaen Milinkoviç aktivizon me fillimin e pjesës së dytë Shtubinën e Alijev, por pavarësisht ndryshimeve e rasteve, madje goditën edhe shtyllën, vendasit nuk gjejnë dot rrjetën për të barazuar shifrat për të marrë të paktë një pikë. Një fitore premtuese për Partizanin që kërkon të ringrihet e një humbje dëshpëruese për Kukësin, me pretendime për të mbrojtur kurorën.

Ndeshjet e së dielës

Kamza i bëri një nder kampionatit, duke ndalur Skënderbeun në Korçë. Falë sulmuesit dhe kapitenit Sebino Plaku, Kamza mori një pikë të çmuar përballë kryesuesve, duke treguar se pozitat aktuale në klasifikim nuk janë një rastësi për të besuarit e Ramandan Ndreut. Skënderbeu kaloi në epërsi me Radas në 66’, por goli i ish-sulmuesit të ekipit korçar, Sebino Plaku, u mohoi trepikëshin të besuarve të Ilir Dajës. Vllaznia, edhe me trajner të ri, nuk po kap dot ritmin, duke humbur sërish në Durrës. Arbër Çyrbja me golin e realizuar në 15’, i dha tre pikët Teutës, ndërkohë që ndryshe nga “djemtë e detit”, kuqeblutë ishin pushim gjatë mesjavës, duke qenë se ndeshjen e kaluar ndaj Lushnjës, do ta luajnë më 22 nëntor. Për trajnerin Ernest Gjoka është e qartë se, mbijetesa tashmë kalon nga kjo sfidë ku, përveç fitores, nuk vlen asnjë rezultat tjetër. Por skuadra e momentit është Flamurtari i Vlorës.  Liçaj i futur në pjesën e dytë, shënoi një gol të artë në 90’, në transfertë përballë Lushnjës, duke i dhënë tre pikë skuadrës së tij, që u ngjit në vend të dytë, në pritje të një hapi të gabuar të Kukësit, për të ruajtur këto pozita. Më tepër se rezultatet e fundit, bindëse ka qenë loja e Flamurtarit që po kthehet dalëngadalë në një pretendent për titull, ndryshe nga planet e fillimit të sezonit.  Nga ana tjetër, Lushnja me trajnerin e ri Hysen Dedja, pavarësisht disa sinjaleve pozitive, ka nisur të shfaqë simptoma të theksuara paqëndrueshmërie për të shpresuar mbijetesën në fund të garës.

Kategoria Superiore

Java e 11-të - Dje

Kukësi-Partizani             1-2

Luftëtari-Laçi                  1-1

Të dielën

Skënderbeu-Kamza       1-0

Lushnja-Flamurtari      0-1

Teuta-Vllaznia                1-0

Klasifikimi

Skënderbeu       27

Flamurtari        20

Kukësi                19

Kamza                17

Laçi                     15

Partizani             14

Teuta                   14

Luftëtari              9

Vllaznia               6

Lushnja              5

 

Starova

Trajneri Sulejman Starova u ndëshkua me karton të kuq në momentin e 11-metërshit për protesta, duke u detyruar të ndjekë thuajse të gjithë ndeshjen nga tribuna. Megjithatë, edhe pse larg fushës, ai vazhdoi të bëj detyrën e trajnerit, duke udhëzuar lojtarë.

 

Kukësi

Dorëheqja e Milinkoviç, në pritje të zyrtarizimit  

Mladen Milinkoviç vështirë se do të mbetet trajner i Kukësit, pas humbjes së djeshme me Partizanin. Pritej dorëheqja e tij, ndërkohë që mësohet se ai në dhomat e zhveshjes u ka komunikuar dorëheqjen lojtarëve të Kukësit. “Do të flas nesër (sot), me presidentin Gjici e do të marrim një vendim për të mirën e skuadrës”, - tha Milinkoviç. “E pranoj se kemi gabuar. Në vend që të afroheshim me Skënderbeun, jemi larguar edhe më tepër. Jemi ndëshkuar nga dy gabime tonat, në pjesën e parë. Krijuam raste në pjesën e dytë, goditëm edhe shtyllën, por nuk mjaftoi,” – shtoi trajneri i Kukësit, i cili pranoi se kjo humbje duhej shmangur, duke e mbyllur me frazën se “më tepër se emrat konkretë, vlen Kukësi”. Pritet zyrtarizimi i dorëheqjes së trajnerit Milinkoviç, në një analizë nga klubi verilindor do të zhvillojë mbi ecurinë e deritanishme, duke qenë se objektivi për titullin kampion tashmë, është ndërlikuar së tepërmi. Milinkoviç mori drejtimin e Kukësit në fillim të këtij sezoni, pas një edicioni të sukseshëm me Luftëtarin e Gjirokastrës.

 

Kukësi – Partizani  1-2

Shënues: Guri 9’ (11-m) / Bardhi 21’, Progni 45’

Kukësi: Frashëri, Idrizi, Shameti, Alla, Rrumbullaku, Musolli ( Shtubina 46’), Krkotiç, Kale, Ethemi ( Alijev 46’), Imami (Hoxha 80’), Guri. Trajner: Mladen Milinkoviç.

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Malota, Atanda, Kalari (Krasniqi 43’), Trashi, Vila, Kotobelli, Adorjan (Asani 69’), Bardhi, Progni. Trajner: Sulejman Starova.

Gjyqtarë: A. Koçi, R. Çokaj, D.Rexha

Kartonë të verdhë: Malota, Bardhi, Alla, Shameti

 

Vllaznia

Bashkia e nxjerr në shitje, Valter Fushaj me “një kusht” në pritje 

Ecuria e dobët dhe rreziku i rënies nga kategoria, si dhe pamundësia për të përballuar buxhetin që kërkon një skuadër e Kategorisë Superiore, për të pasur sukses, si Vllaznia, ka detyruar bashkinë e këtij qyteti të vendosë mbi shitjen e aksioneve të klubit. Pritet që para merkatos së janarit, Vllaznia të ketë një sponsor apo president të ri. Këshilli bashkiak i Shkodrës i ka hapur rrugë vendimit për të afruar një investitor në radhët e kuqebluve. Ka shfaqur interes më herët, ish-presidenti Valter Fushaj, madje mësohet se ai kërkon sërish të rikthehet si president. Pra, do të rikthehet nëse i shiten mbi 50 për qind të aksioneve nga bashkia, e cila kontrollon aktualisht 100 për qind të tyre. Humbja e fundit me Teutën, si dhe rreziku i rënies nga kategoria për një skuadër me traditë, por nisur edhe nga eksperiencat e fundit të Kukësit e Skënderbeut, ka bërë që bashkia Shkodër të dorëzohet mbi pretendimet e saj, se është në gjendje të financojë e vetme ekipin për të ngritur në nivelet që kërkojnë futbolldashësit e shumtë të qytetit të Shkodrës.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: