Bisedimet Greqi-Shqipëri, Bushati: Një kapitull i ri është hapur në marrëdhëniet tona, dosja jo e lehtë

Bisedimet Greqi-Shqipëri, Bushati: Një kapitull i ri është hapur në marrëdhëniet tona, dosja jo e lehtë
Pas dalies për mediat nga ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i cili tha se marrëveshjet duhen zgjidhur sa më shpejtë, ka folur edhe ministri shqiptar Ditmir Bushati.

Megjithëse nuk u konfirmua ato çka po aludohen në media se është arritur një marrëveshje e re detare, Bushati tha se është bërë një punë voluminoze dhe se diskutimet kanë qenë mjaft intensive.

“Siç dihet ne kemi hapur një kapitull të rëndësishëm të marrëdhënieve me Greqinë, ku kemi tematizuar të gjitha çështjet që i konsiderojmë të hapura, apo çështje për të cilat kemi këndëshikime të ndryshme. Natyrisht është bërë një punë voluminoze, sidomos dy vitet e fundit, me ngritjen e mekanizmit të nivelit të lartë ndërmjet dy vendeve tona, dhe këto dy ditë diskutimet kanë qenë me intensive, më të strukturuara pasi ka pasur nga ana tjetër edhe një punë paraprake, të mirë do të thoja, nga ekipet tona rrespektive. Unë e kam thënë edhe herë të tjera, kjo është një dosje jo e lehtë, rreth 70 e ca vjeçare, për pasojë kërkon kohën e vet dhe instrumentet më të përshtatshme për një zgjidhje në frymën evropiane dhe bazuar mbi të drejtën ndërkombëtare”, deklaroi ministri Bushati.

Kujtojmë që ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati prej dy ditësh ndodhet në një takim në Kretë me homologun e tij grek, Nikos Kotzias në kuadët të diskutimeve për çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve siç janë Ligji i Luftës, varrezat e ushtarëve grek, Marrëveshja Detare, etj.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: