Bizneset e vogla, motori më i madh i ekonomisë në Shqipëri dhe në BE

Bizneset e vogla, motori më i madh i ekonomisë në Shqipëri dhe në BE
Punësojnë vetëm një deri në katër persona, por ama së bashku në tërësinë e tyre, përbëjnë një motor të vërtetë për ekonominë shqiptare. Fjala është për bizneset e vogla të këtij vendi, që përbëjnë jo pak, por 90% të totalit të gjithë sipërmarrjeve private. Në shifra konkrete, gjatë vitit të kaluar janë numëruar 96.616 të tilla, me vetëm 1-4 të punësuar, nga 108.528 që është totali i bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre privat në vendin tonë. Ndërsa bizneset e mëdha, me mbi 50 të punësuar gjatë vitit të kaluar zunë vetëm 1.1% të totalit, ose 1.148 të tilla në shifra konkrete. Një situatë e ngjashme kjo në fakt edhe me Bashkimin Evropian, ku sërish bizneset e vogla përbëjnë shumicën. “Ndërmarrjet e vogla edhe të mesme (SME) me deri në 249 persona të punësuar, konsiderohen si “shofere” të ekonomisë së Bashkimit Evropian, duke krijuar vende pune dhe duke kontribuar në rritjen ekonomike”, citon Instituti Evropian i Statistikave. Duke shtuar se ato gjitha- shtu kontribuojnë ndjeshëm në tregtinë brenda BE-së. “70% e totalit të ndërmarrjeve janë mikro-ndërmarrje, me deri në 9 persona të punësuar dhe ato janë përgjegjëse për gjysmën e tregtisë së mallrave në BE. Në detaje, ato përbëjnë 51% të importeve dhe 45% të eksporteve brenda BE-së”, cilëson raporti i fundit i Eurostat-it. Logjikë kjo që vlen në fakt edhe për rastin e Shqipërisë, kur flitet për impaktin që sjell në ekonomi kjo shtresë e biznesit. “Nga rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve vërehet se ndërmarrjet me 1-4 të punësuar kanë kontributin më të madh të shitjeve neto me +1.7%, të ndjekura nga ndërmarrjet me 50 edhe më shumë të punësuar me +1.5% në ndryshimin vjetor gjithsej të shitjeve neto”, cilësojnë ekspertët e Institutit shqiptar të Statistikave (INSTAT). E thënë më thjesht, janë pikërisht bizneset me deri 1-4 të punësuar, ato që realizojnë edhe xhiron më të madhe të aktivitetit të tyre.

“Gjatë 2016, nga vrojtimi i treguesve sipas madhësisë së ndërmarrjeve rezulton se ato me 50 dhe më shumë të punësuar përbënë vetëm 1.1% të ndërmarrjeve aktive dhe realizuan një nivel prej 44.5% të shitjeve neto. Këto ndërmarrje zunë 40% të të punësuarve gjithsej dhe realizuan 47.3% të investimeve”, cilëson gjithashtu INSTAT-i.

Eurostat: Ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme, gjenerojnë eksportet

Ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme, gjenerojnë një fuqi të shtuar për ekonominë në shumë vende të Bashkimit Evropian, pasi ato vlerësohen të jenë forcë e madhe potenciale kryesisht për eksportet. Kështu konfirmon Eurostat-i, sipas të cilit, janë të paktën pesë vende anëtare të BE-së, ku pikërisht të tilla ndërmarrje gjenerojnë më shumë se dy të tretat e vlerës së përgjithshme të eksporteve të tyre. Konkretisht, ato janë Qiproja (88%), Letonia (81%), Belgjika (70%), Estonia (68%) dhe Holanda (67%). Sikundër ka edhe vende të tilla si Belgjika, ku vetëm ndërmarrjet e vogla arrijnë të krijojnë deri në 46% të vlerës totale të eksportit të tyre brenda BE-së. Pasuar nga Malta me 37% të tyre, Hungaria 26% apo Mbretëria e Bashkuar me 23% dhe Rumania e Suedia, të dyja me 19% të totalit të eksporteve, që gjenerojnë pikërisht ndërmarrjet me një numër minimal të punësuarish.

Tregtia dhe shërbimet, aty ku ende po investohet

Tregtia dhe shërbimet, janë dy sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, ku ende sipërmarrësit e tyre po vazhdojnë që të investojnë. Dhe kjo mesa duket, pikërisht për arsyen, pasi ato po tregojnë një ecuri të mirë të tyre nga viti në vit. “Në vitin 2016, ndërmarrjet që operojnë në aktivitetet e prodhimit të të mirave dhe shërbimeve realizuan 1.882 miliardë lekë shitje duke rezultuar me 4.4% rritje të xhiros së tyre, krahasuar me vitin 2015”, citon Instituti i Statistikave lidhur me një situatë të tillë. Duke shtuar se investimet e realizuara pikërisht në këta sektorë arritën në vlerën e 221 miliardë lekëve nga 208 miliardë të tilla në vitin pararendës 2015, duke shënuar një rritje prej 6.3%. “Në këtë periudhë, numri gjithsej i të punësuarve u rrit me nivelin prej 7.9%”, shton sakaq INSTAT-i. Për të përfunduar se në prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve apo tregtisë operojnë, numri i bizneseve të tyre u rrit me nivelin prej 3.8%, krahasuar me vitin pararendës, 2015.

Industria e restorantet, sektorët që kanë

shënuar xhiron më të ulët vitin e kaluar

“Gjatë vitit 2016, sektori i tregtisë zë peshën më të lartë të shitjeve neto me 48.1%, i ndjekur nga sektori i ndërtimit me 11.5%. Sektorët me peshën më të vogël janë ai i akomodimit dhe restoranteve 2.3%, si dhe sektori i industrisë nxjerrëse me 3.4%”. Ky është një tjetër konfirmim që ekspertët e Institutit të Statistikave japin në lidhje me xhiron reale që realizojnë bizneset e sektorëve të ndryshëm të këtij vendi. Për të treguar kështu se si tregtia apo ndërtimi vazhdojnë që të mbeten sektorë kyçë të ekonomisë. Sipas tyre, një situatë e ngjashme paraqitet edhe për treguesin e punësimit. “Dy sektorët me peshën më të lartë të punësimit për vitin 2016 janë sektori i tregtisë me 24.3% të punësimit dhe sektori i shërbimeve të tjera (arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike, etj.) me 21.7%, të ndjekura nga sektori i industrisë përpunuese me 20.3% të të punësuarve gjithsej”, sqaron gjithashtu INSTAT.

Energjia elektrike edhe uji, vjen zunë

42.4% të totalit të investimeve gjithsej

Në Shqipëri, sektori me vlerën më të lartë të investimeve të realizuara është ai i energjisë elektrike dhe i ujit, i cili për vitin e kaluar 2016 ka investuar plot 94 miliardë lekë duke zënë 42.4% të totalit të investimeve gjithsej. Kjo është situata që ekspertët e Institutit të Statistikave paraqesin në lidhje me sektorët se ku po investohet në këtë vend. “Peshën më të vogël të investimeve e zënë sektorët e akomodim dhe restoranteve, 2.2% dhe industria nxjerrëse prej 2.8%”, cilëson INSTAT-i. Në këtë mënyrë, ai sërish i nxjerr këta dy sektorë të fundit me një potencial të ulët ekonomik, si në rastin e punësimit, ashtu edhe në atë të investimeve. “Sektori i industrisë nxjerrëse është i vetmi sektor me ulje të shitjeve prej 22.9%”, është një tjetër fakt që vë në dukje INSTAT-i.

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: