Botërori, "shuplakat" historike ndaj Shqipërisë

Botërori, "shuplakat" historike ndaj Shqipërisë
Italia në prag revolucioni pas eliminimit, ndërsa Kroacia, Danimarka e Islanda janë në Botëror. Në mungesë të objektivave, strategjive e analizave, në Shqipëri ngatërrohet suksesi me dështimin sikurse  edhe fajtori me punëtorin

Aranit Muraçi

Kombëtarja shqiptare, në tërë historinë e saj, nuk i ka prekur ende finalet e Kupës së Botës. Ëndrra e çdo futbollisti kur nis karrierën, e shprehur prej tyre, është dhe mbetet pjesëmarrja në një aktivitetet të tillë. Por mbetet ende sot e parealizuar, kjo ëndërr e madhe nga futbollistët kuqezi dhe nuk dihet  arsyeja përse. Eliminimi i Italisë, pas plot 60 vjetësh, si dhe dëshpërimi i Buffon-it, pjesëmarrës në pesë botërorët e kaluar, vërteton atë, se çdo të thotë kjo ëndërr. Mungesa e Italisë pas një periudhe të gjatë në botëror, pritet të shoqërohet me një revolucion të vërtetë në këtë vend. Ky eliminim është edhe një leksion i mirë dhe i pastër për botën, shpesh, komike të futbollit shqiptar, si dhe një shuplakë e fortë mbi euforinë që e karakterizon atë.

Kur nisi fushata e ndeshjeve kualifikuese të botërorit rus, në grupin tonë dalloheshin dy skuadra me ndikim të jashtëzakonshëm, në arenën ndërkombëtare të futbollit: Spanja dhe Italia. Ishte i tepërt, madje rezultoi qesharak, pretendimi siç fatkeqësisht u lakua për disa muaj, se Shqipëria, pjesëmarrëse për herë të parë në kualifikueset e Europianit “Francë 2016”, kishte si objektiv kualifikimin, duke synuar dy vendet e para. Vetëm se nuk u kuptua, “De Biasi e tha me shaka apo “analistët” tanë, që shpesh ndajnë fitoret e rralla të ndeshjeve të Kombëtares, si të ishin ata protagonistët dhe heronjtë e fushës e besuan), derisa vendosi matematika se cila nga dy ekipet favorite të grupit tonë, do të mbetej pas Shqipërisë: Spanja apo Italia? Përfundimi ishte siç e dinë tani të gjithë, ashtu sikurse nuk kishte ndonjë mëdyshje. Në mungesë të një objektivi konkret, në Shqipëri, ngatërrohet shpesh suksesi me dështimin, ashtu sikurse edhe fajtori me punëtorin.

Ajo që nuk pritej nga përfundimi i fushatës së kualifikueseve në zonën e Europës, ishte pra, pikërisht eliminimi i Italisë pas dy ndeshjeve “Play-off’, pavarësisht se cilin kundërshtar do të kishte përballë. Italia renditej deri të hënën mes 10 ekipeve të vetme në botë, që nuk i kishte munguar botërorit 20 vitet e fundit. Italia në fakt, nuk mungonte prej 60 vjetësh. Ishte edhe fituese e trofeut të saj të katërt në Gjermani 2006. Spanja, kampione bote në vitin 2010, renditet aktualisht mes 9 ekipeve që nuk i mungon finaleve të Kupës së Botës në dy dekadat e fundit. Iberikët kualifikohen si pretendentë për të fituar këtë botëror. E ndërsa Spanja vijon udhëtimin e saj, Italia ka paralajmëruar një furtunë të fortë në të gjitha strukturat organizative të futbollit, duke nxjerrë si defekt kryesor punën që është bërë gjatë viteve të fundit, me të rinjtë për një perspektivë më të mirë, duke kërkuar fajtorët.  Puna me “fidanishtet” , që Italia dihet se në ç’nivel i ka klubet e Seria A, çalon. Ka qenë, pak a shumë, i tillë përfundimi i analistëve italianë, që për ringritjen e Italisë kërkojnë largimin e të gjithë  atyre që gatuan dështimin, për t’u fokusuar te brezi i ri i të talentuarve.

Shqipëria, pas përfundimit logjik në kualifikueset e fundit, që të ketë edhe ajo suksesin e vendeve të tjera të rajonit në futboll, siç janë Serbia e Kroacia, vende që u kualifikuan në Rusi 2018, apo si Bosnja që mori pjesë në një botëror më herët, çfarë duhet të bëjë? Nga duhet t’ia nisë? Për të zgjidhur një problem, matematika na tregon se më parë duhet që ai të ekzistojë, ose të shtrohet si problem. Më tej, njerëz të aftë e zgjidhin atë. Ka edhe shembuj: Serbia ishte pas Shqipërisë dhe nuk u kualifikua në Francë 2016, por i zgjidhi kaq shpejt, saqë u rikthye te suksesi. Siç ka bërë edhe më mirë me sportet e tjera masive, sot, në futboll është një nga 13 ekipet e Europës, që kualifikohet në Botërorin Rus. Ndryshe nga Shqipëria që i ka munguar historikisht, ndryshe edhe nga Italia e Holanda, ekipe që i mungojnë finaleve të botërorit spontanisht.

 

Ekipet që nuk i mungojnë Botërorit nga Francë ‘98

  1. Brazil
  2. Argjentina
  3. Gjermania
  4. Spanja
  5. Franca
  6. Anglia
  7. Meksika
  8. Japonia
  9. Koreja e Jugut

 

Injorimi i talentit

Italia mund të mos ketë lojtarë të kalibrit që fituan Kupën e Botës 2006, por konsiderohet një vend që talentet nuk i mungojnë asnjëherë Kombëtares. Problemi kryesor i kësaj fushate katastrofike, është se Ventura nuk preferoi apo nuk përzgjodhi të rinjtë e talentuar. E tëra skuadra italiane që luajti ndaj Suedisë, ishte mbi 25 vjeç, madje gjashtë prej tyre mbi 30-vjeç, ndërsa trajneri mbush së shpejti 70-vjeç. Federico Bernardeschi, Leonardo Spinazzola, Mattia Caldara  apo Lorenzo Pellegrini çuditërisht, nuk janë përzgjedhur.

Ekipet e kualifikuara

Janë plotësuar 32 ekipet finaliste të botërorit “Rusi 2018”, me 32 ekipe. Ekipeve të kualifikuara u shtohet edhe e fundit Peruja që eliminoi Zelandën e Re. Rusia, vendi organizator dhe 31 ekipet e kualifikuara janë: Brazili, Irani, Japonia, Koreja e Jugut, Arabia Saudite, Meksika, Belgjika, Gjermania, Anglia, Polonia, Kosta Rika, Nigeria, Egjipti, Islanda, Serbia, Spanja, Franca, Portugalia, Panamaja, Argjentina, Uruguai, Kolumbia, Senegali, Maroku, Tunizia, Zvicra, Kroacia, Suedia, Danimarka, Australia.

Rasti “Sabien Lilaj”

Në ndeshjet kualifikuese “Rusi 2018”, Shqipëria nuk kishte asnjë lojtar të formacionit bazë nga kampionati shqiptar. Sabien Lilaj ishte i vetmi lojtar titullar në miqësoren e fundit ndaj Turqisë, çka tregon se në Shqipëri nuk ka vend as për talentin dhe as për veteranin, e kjo shpjegohet me dështimin e saj historik.

“I lumtur për rikthimin në Kombëtare. Pata mundësitë të luaj dhe të tregoj cilësitë e mia. Në Kombëtare ka kryesisht futbollistë që luajnë në Europë. Ata kanë kushte mjaft të mira përgatitore, ndërsa ne jemi disi mbrapa”, -  shpjegoi Lilaj, i cili do t’i mungojë Skënderbeut për tre javë, pas dëmtimit në Turqi.

Ironia me Islandën

Botërorit Rusi 2018 nuk i mungon vetëm Italia. I mungojnë edhe ekipe si Holanda, finalistja e “Afrika e Jugut 2010” dhe e treta e “Brazil 2014”, apo  Kili i Vidal e Sançez. Ironikisht është Islanda, vendi me më pak se 400 mijë banorë. Janë kualifikuar edhe Danimarka e Serbia, dy ekipe që u renditen pas Shqipërisë, në kualifikueset e Europianit “Francë 2016”. Shqipëria duke u bazuar në dy dekadat e fundit te lojtarët e talentuar shqiptarë që janë rritur dhe luajnë jashtë, pasi nuk ka qenë në gjendje të kultivojë talentin në vend, pranohet gjerësisht se ka pasur rritje, por sërish nuk ia ka dalë të kualifikohet.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: