Buxheti 2018, "përplasje" Rama-Basha në Kuvend

Buxheti 2018, "përplasje" Rama-Basha në Kuvend
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar buxhetin e vitit 2018 në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, duke deklaruar se ekonomia shqiptare po rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe kjo konfirmohet edhe nga të dhënat e institucioneve kombëtare e ndërkombëtare.

Në tremujorin e dytë prekëm kufirin e 4 përqindëshit dhe siç konfirmojnë të dhënat kemi një gjallërim të kërkesës së brendshme private. Dhe këtu vlen të nënvizohet rritja reale e konsumit në gjysmën e parë të vitit që po mbyllim, që vijoi në trendin pozitiv të rritjes reale mesatare të vitit të shkuar.

“Ka rritje të punësimit me mbi 13 për qind për 6 mujorin e parë. Niveli aktual i treguesit të ndjesisë ekonomike qëndron 14 pikë mbi mesataren afatgjatë dhe mbi 17 pikë mbi atë të afatshkurtër”,  u shpreh Edi Rama nga foltorja e Kuvendit.

Gjatë seancës plenare ku po diskutohet pr/buxheti 2018, pati përplasje e debate mes kreut të qeverisë dhe të opozitës, të cilat vijojnë. Rama theksoi se “Shqipëria është i vetmi vend në të gjithë Mesdheun që nuk ka hotele me pesë yje. Ne do t’i ndërtojmë këto hotele me pesë yje duke sjellë në Shqipëri një stad tjetër në të gjitha aspektet, në aspektin e imazhit, të të ardhurave, të punësimit dhe normalizimit të marrëdhënieve të saj me vetveten si një vend i mrekullueshëm përsa i ka dhënë zoti , por i bërë copë e çika përsa i ka bërë robi”.

Jemi një vend ku të gjithë ata që kanë folur në këtë foltore si kryeministra, patriotë ose oratorë të patriotizmit kanë thënë se është më i bukuri, më i miri, është turistik, në të gjithë kilometrat katrorë të tij, me dy dete, me erëra që fryjnë dhe me diellin që lind e perëndon më bukur se kudo. Sot jemi i vetmi vend në të gjithë mesdheun që nuk kemi një hotel me pesë yje, një të vetëm yje, jo ylla të prerë dhe të lyer me të verdhë që kanë vetëm emrin e pronarit dhe një palaskë nga mbrapa”, nënvizoi Rama .

Kreu i qeverisë tha se “ne do të ndërtojmë hotele me pesë yje në Shqipëri dhe për të ndërtuar këto hotele ne nuk kemi bërë asnjë shpikje thjesht kemi adoptuar legjislacion shumë të ngjashëm me vende si Maqedonia, Mali i Zi, Sllovenia etj”.

Sipas tij paketa është shumë e qartë. “E përsëris jo pesë ylla të lyer me të verdhë me emrin e pronarit dhe një palasë nga mbrapa , por marka ndërkombëtare të listuara në top listën e industrisë globale të turizmit”, shtoi Rama.

Lidhur me kërkesën e parë për të ndërtuar një hotel me pesë yje në Shqipëri , Rama tha se “kemi kërkesën e parë, quhet Avni Ponari, votues dhe sponsor i Partisë Demokratike, kërkon të ndërtojë një hotel me pesë yje në Valbonë. Po pastron para, paratë e kujt po pastron . Po investon të ardhurat e tij legjitime”.

Kryeministri Rama duke iu drejtuar kreut të opozitës tha se ndryshimi i madh mes nesh dhe jush, mes meje dhe Lulzim Bashës është se unë nuk i ndaj shqiptarët në tanët dhe të atyre.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë replikave me kryeministrin Edi Rama theksoi se nuk i ndan njerëzit në demokratë e socialistë, por në njerëz të lidhur me krimin dhe të ndershëm.

Në demokratë e socialistë të ndershëm dhe një grusht horrash, kryesisht në partinë tënde, që i ke mbledhur ti duke e shndërruar këtë vend në lavatriçe të krimit. Jemi vendi kryesor për pastrimin e parave të drogës. Ti nuk e pe drogën asnjë ditë, katër vite me radhë, as gomonet, as radarët e fikur, as avionët, as ministrin. U bëre gazi i botës dhe një mëngjes u çove dhe the ‘e mposhtëm drogën’, duke u bërë qesharak”, u shpreh Basha.

Kreu i opozitës theksoi se po gabohesh nëse mendon se jam këtu për t’u marrë me ty. “Nuk më intereson dhe s’më ka interesuar kurrë personi yt. Është detyra ime të paralajmëroj ndonjë njeri që ka mbetur këtu i ndërgjegjshëm të mos e ngrejë kartonin për këtë varfëri të shqiptarëve. Ka hotele me pesë yje, ti dhe ministrat e tu i njihni shumë mirë”.

“Do t’i vëmë kufirin te thana krimit e drogës”, tha Basha.

Ai shtoi se “në Shqipëri ka banka dhe koncensione me pronarë në parajsa fiskale. Edi Rama e banalizon dhe e bën qesharak problemin e pastrimit të parave për të fshehur të vërtetën. Ne duhet të ndahemi njëherë e mirë nga krimi, droga dhe vetëshkatërrimi i vendit”.

Kreu i opozitës tha se Rama e pranon kanabisin, por nuk jep përgjigje ku shkuam paratë e drogës dhe ku janë kriminelët që i bënë.

Nëse Edi Rama qëndron në pushtet, do të thellohet fatura për çdo shqiptar”, nënvizoi Basha.

Kryeministri Rama duke iu kundërpërgjigjur akuzave të kreut të opozitës në seancë tha se “do vish prapë të ulesh me mua, siç bërë kur ishe në çadër dhe unë do të të pres. Vetëm nga e ulura jonë mund të bëhet më mirë për këtë vend dhe këta njerëz. Ndërkombëtarët punojnë me ne për fazën e dytë të një lufte që ne e nismë. Po 900 tonë që prodhoheshin në Lazarat pse nuk u kapën kurrë? Por sot si ka mundësi që nuk gëzoheni, që raporti i Guardia di Finanza i mirëpritur nga gjithë evropianët, të hidhëron. Pse ju hidhëron? A doni që Shqipëria të pastrohet nga ky kancer i trashëguar? Jeni të djathtë dhe doni vetëm djathtë. Ndryshimi mes jush është vetëm djathi”.

Je po ti që vrapove në Kamëz, kur shkove për herë të parë, për të treguar solidaritet për një të arrestuar, që ishte një nga 5 yjet e partisë tënde. Po të jap një këshillë, që nuk do ta dëgjosh ‘mos u ngut, sepse prapë mund të dalësh blof, prapë e vërteta mund të të nxjerrë siç je, i vogël, njeri që tjetër mendon, tjetër thotë dhe tjetër do, mos u ngut”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë i kujtoi kreut të opozitës çadrën, duke theksuar se “kur thua ‘ngrihuni’, kujto çadrën dhe si mbaroi dhe herët ose vonë do ulesh prapë”.

Kufiri ju ka ardhur më afër, pas katër vitesh do iu vijë dhe më afër dhe mund të jeni edhe më pak këtu. Lulin e vocërr e ka bërë Migjeni, ty të ka bërë Saliu, ndaj mundohu të rritesh e të bëhesh burrë. Nuk frymëzoni dot as njëri-tjetrin dhe jo më tjerët”.

Kryetari i PD-së, Basha i bëri thirrje të gjithë deputetëve të mos votojnë pr/buxhetin e 2018, pasi sipas tij “ky buxhet është buxhet i varfërisë”.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: