Buxheti 2018, sa pará të qytetarëve do shpenzojnë institucionet e shtetit?

Buxheti 2018, sa pará të qytetarëve do shpenzojnë institucionet e shtetit?
Qytetarët shqiptarë do të paguajnë vitin e ardhshëm nga xhepi i tyre, rreth 300 miliardë lekë për të mbajtur “në këmbë” institucionet e shtetit të tyre. Para’ këto që do mblidhen prej secilit prej tyre në formë taksash dhe tatimesh, e që do shërbejnë për të funksionuar Presidenca, Kuvendi, Kryeministria e dhjetëra ministri apo institucione vartëse të tyre. Kjo shifër konfirmohet nga projekt-buxheti 2018, i cili tashmë është miratuar në parim prej deputetëve të Kuvendit. Sipas tij, është pikërisht ministria e Financave dhe e Ekonomisë, ajo që është parashikuar të shpenzojë më shumë para’ vitin e ardhshëm, plot 68 miliardë lekë. Ku pjesën më të madhe prej tyre, e zë pikërisht zëri i “sigurimit shoqëror”, ose siç njihet ndryshe, ai i “pensioneve”, me 44 miliardë lekë që do shpenzohen për këtë kategori. Pas saj, renditet ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për të cilën qeveria ka parashikuar 60 miliardë lekë shpenzime. Nga këto, pjesën më të madhe të tyre do ta marrin shërbimet dytësore dhe përkujdesi social, përkatësisht me 22 dhe 21 miliardë lekë secili. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës është një tjetër dikaster tek i cili do derdhen shumë para’ të taksapaguesve shqiptarë vitin e ardhshëm, plot 48 miliardë të tilla. Ku edhe ajo, si dy ministritë e lartpërmendura, është krijuar në këtë mandat të ri qeverisës, si një bashkim i dy ish-ministrive dhe për këtë arsye, i ka shpenzimet më të larta sesa vitin e kaluar. Konkretisht, pjesa më e madhe e parave të saj do të shkojnë për rrugët, plot 24.6 miliardë lekë, 1.2 miliardë lekë për hekurudhat, ndërsa për atë ajror nuk janë parashikuar thuajse fare fonde. Dhe gjithmonë nëse e vazhdojmë radhën me ministritë, shpenzimet e parashikuara vijojnë me ministrinë e Arsimit, rreth 38 miliardë lekë. Pas tyre, vijojnë ministria e Mbrojtjes me 19.7 miliardë lekë dhe ajo e Rendit me 19.7 miliardë lekë.

Kuvendi, ia tejkalon Presidencës e Kryeministrisë për shpenzime

Kuvendi renditet i pari në listën e institucioneve shtetërore, për nga niveli i shpenzimeve që do të kryejë vitin e ardhshëm, plot 1.1 miliardë të tilla. Duke lënë pas institucionin e Kryeministrisë, që do të kryejë vetëm 960 milionë lekë shpenzime. Apo atë të Presidencës, e cila mot do të shpenzojë 217 milionë lekë në total. Ku rreth 6 milionë lekë prej tyre janë parashikuar për rikonstruksion dhe mobilim të zyrës së punës së Presidentit, por edhe të sallës “Skënderbej”. Për të vijuar me 11.5 milionë lekë, që Kuvendi nga ana e tij do t’i shpenzojë për të blerë pajisje të reja. Sikundër, edhe Kryeministria ka parashikuar që të rikonstruktohet sërish mot, duke harxhuar jo pak, por plot 110 milionë lekë nga arka e buxhetit të shtetit. Këto janë vetëm disa nga shpenzimet e planifikuara prej këtij të fundit, në formë investimesh prej institucioneve kryesore në vend. Për të cilat, 290 milionë lekë janë parashikuar që të vijnë në formë financimi të huaj, ndërsa të gjitha milionat e tjera do t’i merren buxhetit të shtetit, i mbushur me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Shërbimet qeveritare, 1 miliardë lekë nga fondet publike

Shërbimet qeveritare si të tilla kanë një kosto të caktuar, e cila në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar në shifrën e 4 miliardë lekëve. Ku vetëm për shërbimin “e-qeverisja”, do të shpenzohet më shumë se gjysma e këtij fondi. Ndërsa për  “shërbime të tjera”, do të shpenzohen 680 milionë lekë. Gjithashtu, një pjesë të mirë fondesh do të marrin edhe shërbimet që kanë lidhje me administratën publike, rreth 257 milionë lekë. Nga ana tjetër, qeveria ka parashikuar një fond të posaçëm edhe për “shërbimet ndaj diasporës”, 17 milionë lekë. Pa harruar edhe prokurimin publik si të tillë, i cili do t’i akordohen 73 milionë lekë. Kjo mesa duket, edhe në kuadrin e mjaft koncesioneve që qeveria ka parashikuar të vërë në zbatim vitin e ardhshëm, të përfshira në programin “1 Miliard Euro”.

Shteti 200 milionë lekë partive politike, dyfishin e tyre institucioneve të drejtësisë

Fonde të posaçme për partitë politike, por në të njëjtën kohë edhe për institucionet e drejtësisë. Kjo është ajo çka parashikohet mes të tjerash në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm. Konkretisht, shteti do t’u akordoje partive politike jo pak, por 200 milionë lekë, para’ këto të cilat do të shkojnë kryesisht për mbështetjen e tyre. Nga ana tjetër, plot 463 milionë lekë janë parashikuar nga arka e përbashkët e buxhetit të shqiptarëve për institucionet e drejtësisë, kjo edhe në kuadrin e reformës së posaçme që ka nisur të zbatohet në rang vendi. Ku 93 milionë prej tyre do t’i kalojnë aktivitetit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Të mos harrojmë se qeveria ka parashikuar shumë para’ edhe për Institutin për Studimin e Krimeve të Komunizmit, 33.7 milionë lekë.

Akademia e Shkencave nuk lihet pa para’ për vitin e ardhshëm, i caktohet një fond

Megjithë debatin politik të bërë javët e fundit në vend për institucionin e Akademisë së Shkencave, qeveria duket se nuk e ka lënë pa para’ për vitin e ardhshëm. Porse ajo i ka caktuar një fond të posaçëm, respektivisht rreth 110 milionë lekësh, nën argumentimin “Për veprimtari akademike”. Kjo, edhe pse ndaj saj, tashmë ka nisur veprimi për ndërmarrjen e një reforme, të lançuar nga vetë kryeministri Edi Rama. Nga ana tjetër, tabela e shpenzimeve buxhetore për vitin e ardhshëm tregon edhe një fond të posaçëm që qeveria ia ka kushtuar Mbështetjes së Shoqërisë Civile, plot 123 milionë lekë. Apo 1.544 miliardë lekë për Shërbimin Informativ Shtetëror dhe  16.8 miliardë për Fondin e Zhvillimit Shqiptar, për gjithë rrugët e reja që do ndërtohen.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: