Çelja e negociatave, Hahn : Integrimi i Shqipërisë, të jetë objektiv kombëtar

Çelja e negociatave, Hahn : Integrimi i Shqipërisë, të jetë objektiv kombëtar
Komisioneri për zgjerimin e BE-së, Johanes Hahn, dhe kryeministri Edi Rama, dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, pas takimit të sotëm mes tyre.

“Shqipëria meriton të hapë negociatat” - tha Rama, ndërsa Hahn u shpreh “Presin që rezultatet e para të vettingut t'i shikojmë në fillim të vitit 2018.” Ai nënvizoi se nuk është shtyrë raporti për Shqipërinë.  “Vendet e rajonit të ndihmojnë dhe jo të bllokojnë njëra-tjetrën,”  theksoi komisionari për zgjerim Johanes Hahn.

“Në vlerësimin tonë Shqipëria është në rrugën e duhur dhe aspirata europiane duhet të jetë një objektiv kombëtar që mbështetet nga të gjithë elementët, partitë politike, shoqëria civile e madje edhe media”, deklaroi Komisioneri Hahn. Ai përmendi se ka patur arritje në luftën kundër kanabisit, e po ashtu edhe uljen e numrit të azilkërkuesve. Komisioneri nënvizoi rëndësinë që ka procesi i Vetting-ut dhe pritshmëritë që ka BE te reformimi i drejtësisë, si hap drejt Europës.

Komisioneri deklaroi se vitin e ardhshëm do të organizohet një Samit për Ballkanit Perëndimor në Bullgari, 15 vite pas atij të Selanikut.

“Kjo tregon angazhimin e Bashkimit Europian për të ardhmen europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ai.

Kryeministri Edi Rama tha se e njohu Komisionerin Hahn me luftën e qeverisë kundër kultivimit dhe trafikut të kanabisit.

“Biseduam për suksesin e qartë të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, i mishëruar në raportin analitetik të dalë pas monitorimit të qenësishëm të Guardia di Finanza dhe i konsideruar prej qeverisë shqiptare si përmbyllja e fazës së parë”, tha Rama.

“Ndamë me komisionerin objektivat dhe ambicien tonë dhe hapat që kemi planifikuar të bëjmë për t’ja dalë me sukses përmes task forcës speciale dhe operacionit Forca e Ligjit”, shtoi kryeministri.

Rama tha se vendi ynë i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave dhe e meriton hapjen e tyre.

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës bëri të ditur se do të takojë në fillim të dhjetorit Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker. Kryeministri pranoi se ka marrë një ftesë nga Presidenti, dhe në qendër të diskutimeve do të jetë integrimi i Shqipërisë në BE.

“Jemi të inkurajuar nga zhvillimet e fundit që në një farë mënyrë po e kthejnë erën në favor të rrugëtimit tonë europian duke e sjellë edhe mesazhet inkurajuese nga Presidenit Junker, të cilin me shumë kënaqësi do ta takoj në fillim të dhjetorit pas ftesës së marrë ditën e djeshme.|

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: