ÇFARË DO TË ISHIM PA ADRIATIKUN?!...OPINION NGA FRROK ÇUPI

ÇFARË DO TË ISHIM PA ADRIATIKUN?!...OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Dy herë në historinë tonë të re, Adriatiku u vu në pozitën e ndryshimit tonë të të jetuarit:

Hera e parë ishte viti 1959, ndërsa hera e dytë, sot.

Në vitin 1959, mbreti i perandorisë komuniste ku shteti ynë ishte radhitur, Nikita Hrushovi, na kërkoi që në vend të misrit, grurit dhe patateve, të mbillnim agrume, d.m.th., bimët e përshtatshme për bregdetin.

Hera e dytë është tani. Ekonomia e vendit është vendosur mbi anijen që kalon nga Shqipëria, drejt vendeve të Europës, përsëri në varësi të detit. Vendi ynë nuk prodhon asgjë tjetër, veçse lëndë narkotike, pak për vete dhe pjesën tjetër, për ta trafikuar në Europë...

Të dy epokat kanë lidhje vetëm me detin. Herën e parë, udhëheqja komuniste e kundërshtoi alternativën agrume. Kësaj here, lidershipi pluralist e pranoi qind për qind. Por si kundërshtimi, edhe pranimi, kanë në thelb të njëjtin synim: Të ruajnë hegjemoninë dhe jetëgjatësinë e pushtetit.

Nëse udhëheqja komuniste e Hoxhës, do të kishte pranuar këshillën e udhëheqësit post Stalin të Bashkimit Sovjetik, kishte frikë se pushteti do t'i binte. Ajo udhëheqje, në makabritetin e vet kundër popullit, zgjodhi alternativën: "Më mirë bukën e gojës të siguruar në vend dhe asgjë tjetër (por pushtet të sigurt), se sa një alternativë që mund të rezultonte më e mirë për jetën e njerëzve".

Edhe kësaj here, lidershipi aplikoi plantacionet me drogë në gjithë vendin, por edhe kësaj here, për të siguruar jetëgjatësi në pushtet.

Pushteti jetëgjatë i kësaj epoke është siguruar me lidhjen përmes Adriatikut, me klanet politike e mafioze të vendeve të BE-së dhe institucioneve të saj. Pa mbështetjen e BE-së dhe klaneve aty, në Shqipëri nuk mund të kishte ndodhur që të ishte kultivuar droga në masë, nuk mund të kishte ndodhur që qeveria, përgjegjëse e këtij krimi të shpallur botërisht si krim, të sigurohej në mënyrë kaq të papërfillshme. Nëse qeveria nuk do të ishte qeveri e një vendi buzë detit, atij që na ndan me vendet e BE-së, atëherë askush nuk do të kishte interes të bashkëpunonte..., dhe, për pasojë, do të kishim një qeveri ndryshe.

Nëse ia kërkojmë vetes pse e kemi këtë 'hall' të madh me drogën, dhe me krimin dhe me klanet dhe me rreziqet, atëherë duhet t'i kërkojmë 'Adriatikut dhe Jonit pse ndodhen këtu (!).

Pse sa herë ndryshon "klima" mbi Adriatik, tronditen eurokratët?

1.

Tronditja "Hahn"

Para dy ditësh, komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, fluturoi me urgjencë drejt Tiranës dhe e mbaroi takimin e parë zyrtar, vetëm një orë para mesnatës. Takimi i natës ishte me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha. Akti i nxituar i komisionerit kishte për qëllim të mbyllte vrimën e opozitës, nga ku mund të rridhte lufta; komisionari erdhi për të kërkuar mbështetje ose të paktën heshtje ndaj narkotrafikut. Në dy orë bisedime, me siguri, i dërguari i BE-së ka siguruar që opozita të mbyllë gojën ose të flasë kot, për çështjen e narkotikëve. E vini re? Që të enjten në mesnatë, deri më sot, kryetari i opozitës nuk ka thënë asgjë për çështjen. Me siguri po përgatitet strategjia "flasim, por vetëm flasim e nuk themi gjë" kundër qeverisë. Informacioni tashmë i bërë publik, edhe përmes eksponentëve të shumicës, se ka një marrëveshje të re mes qeverisë dhe opozitës, ka në thelb pikërisht aleancën mbi narkotikët. Klane në BE kanë një lidhje jetike me narkotikët në vendin tonë.

2.

Luhatjet e parimeve të BE

Axhenda dhe parimet e BE-së, po luhaten si të droguara. Vetëm brenda këtij viti, kanë pësuar luhatje marramendëse ndaj vendit tonë. Ja çfarë ndodhi:

Në 26 korrik të 2017, në mënyrë po kaq urgjente sa mbledhja e mesnatës, në Durrës të Shqipërisë thërritet takimi jo-formal i qeverive të Ballkanit. Ishte muaji i pushimeve të përbotshme, ishte moti më i nxehtë i vitit, ishte ditë e diel... Të gjithë në një urgjencë të jashtëzakonshme. Në takimin e Ballkanit në Durrës, Johannes Hahn deklaroi se nuk ka datë për Shqipërinë për aplikim në BE. Është e qartë kjo!?... "Nuk ka datë..." Njësoj si të thuhej, “kurrë Shqipëria në BE”.

Në 15 korrik të po 2017, BE-ja thërriti po këta ballkanikë dhe përpiloi Samitin e Triestes. Vendimi i Triestes ishte Treg i përbashkët Ballkanik, jo i BE-së. Tregu i përbashkët u harrua në Durrës më 26 gusht, vetëm një muaj e gjysmë më vonë... Tani janë harruar të dyja.

Në datën 9 nëntor, të enjten e kësaj jave dhe të premten, vetë Johannes Hahn vrapoi drejt Shqipërisë me flamurin BE-së. Ai deklaroi, sidomos para opozitës se, së shpejti Shqipëria bëhet anëtare e BE-së... Sipas BE-së, Shqipëria ka bërë përparime të dukshme... Por ku? Vetëm në kultivimin dhe trafikun e drogës, në fakt. Perëndimi është i tronditur nga rreziku kriminal që çlirohet nga Shqipëria, ndërsa BE-ja thotë se ky është përparim. Tjetër gjë thuhet gjithë ditën, tjetër gjë në mbrëmje... Luhatjet ndodhin sipas zhvillimeve mbi ujërat e detit tonë; aty është Teatri i epokës së trafiqeve. BE-ja po nxiton të ruajë status quo-në në këtë vend, ku po instalohet vëmendja e SHBA-së kundër krimit dhe narkotrafikimit.

3.

Trazirat për të shpëtuar bandën ku përfshihet ministri Tahiri

Pse niset me urgjencë vetë 'komisioneri i zgjerimit të BE', drejt Shqipërisë? Pse bën të pamundurën për të mbyllur 'thesin'?... Përgjigjja është shumë e thjeshtë: Duhen shpëtuar lidhjet e politikës me krimin që tashmë morën erë në Shqipëri. Duhet mbyllur së pari 'çështja Tahiri dhe Habilaj'. Ky është kusht tashmë për BE: Të mbyllet plaga në ujërat e Adriatikut, dmth., të mbyllet që të mos merret vesh.

Në këto ujëra janë zhvilluar shumë banda trafiku që kanë lidhje me eksponentë të BE-së. Kjo është e para. Gaia Mogherini, 26 vjeç, është e bija e vëllait të zonjës Federica Mogherini, shefe e politikës dhe ministre e Jashtme e BE-së. Ajo është kapur si trafikante droge në ujërat e Adriatikut, shefe në një bandë prej 15 trafikantësh të rrezikshëm, më 15 tetor 2016. Megjithëse vetë Federica Mogherini u përpoq ta mbyllte, duke thënë “nuk flas me vëllanë tim”, kjo nuk piu ujë, as në brigjet tona të Adriatikut. Me rastin e çështjes Tahiri, mund të hapet çështja e bandës së Gaia Mogherini. Nuk mund të jetë vetëm kaq. Me siguri, Moisi Habilaj, po flet në burgun e Catania-s dhe po tregon për bashkëpunimin me evropianët. Ai i njeh lordët e drogës në Adriatik. Askush në BE nuk beson askënd, as italiania Mohgerini, italianët e saj. Të gjithë janë vënë në lëvizje.

Tashmë në Tiranë kanë mbërritur edhe agjentët e FBI-t, dhe kjo i trondit eurokratët e përfshirë në interesa narkotikësh, në pjesën perëndimore të Adriatikut. Mes politikës aktuale amerikane dhe eurokratëve të BE-së, ka një konflikt të pashërueshëm, që buron nga çarja mes George Soros dhe politikës shtetërore në Amerikë si dhe politikave populiste konservatore në Europë.

Politikat lidhen në Adriatik, aty ku lidhen bandat dhe trafiqet. Shumica e emisarëve të BE-së që janë dërguar në Shqipëri, janë militantë të George Soros, që nga Johannes Hahn e deri te Fleckenstein - një aktivist majtist i Soros në Hamburg. Nga dokumentet që kanë rrjedhur prej e-maile-ve të Soros, Fondacioni i tij ka kaluar në sitë 751 eurodeputetët e zgjedhur në zgjedhjet europiane të vitit 2014-2019, mes të cilëve janë përzgjedhur 226 deputetët "të prirë për të mbrojtur" programin e Sorosit dhe për të ndërtuar një marrëdhënie "të fortë dhe të besueshme" me të. Vetë ideja për kanabizimin e Shqipërisë, cilësohet si një projekt i Soros...

Po të mos kishim Adriatik, mund të mos na vinin kaq shumë “miq”. Tani duhet ndarë, janë miqtë tanë apo të Adriatikut...!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: