"Çmimet e karburanteve nuk do të ndalen, do t'i paguajë konsumatori"

"Çmimet e karburanteve nuk do të ndalen, do t'i paguajë konsumatori"
INTERVISTA/ Flet për “Albanian Free Press”, kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj

***

 Z.Aliaj, ditët e fundit është vënë re një rritje e re e çmimit të karburanteve në rang vendi. Përse ka ndodhur një gjë e tillë sipas jush?

Po, është e vërtetë se ka patur një rritje të çmimit të karburanteve. Dhe një gjë e tillë ka ndodhur bazuar në tre faktorë. I pari është ai si efekt i vendosjes së taksës së rilicencimit, i dyti ka të bëjë me rritjen e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, kurse i treti lidhet me rritjen e dollarit në bursat e huaja.

Mund të na e shpjegoni konkretisht sesi ndikoi menjëherë futja e taksës së rilicencimit të pikave të karburanteve?

Kësaj i duhet mëshuar, sepse bëjnë vetëm rritje taksash dhe nuk bëjnë asgjë tjetër. Në fakt, rritjet e çmimeve të karburanteve nuk bëhen me parashikime, por bëhen me llogaritjet e herëpashershme sesi dalin kostot. Duhet thënë se është tarifë e rëndë në fakt, 30 milionë të vjetra (shënim i redaksisë) për çdo pikë karburanti në Tiranë dhe 10 milionë nëpër rrethe, edhe pse Gjykata Kushtetuese e shpalli të paligjshme, këta e rivunë prapë. Por në fund, populli i paguan. Se nga do dalin taksat? Nga konsumi do dalin, nuk do bien nga qielli.

Domethënë, po thoni se keni qenë të detyruar ta reflektoni vendosjen e kësaj takse në rritjen e çmimit?

Po nga ta çojmë tjetër? Edhe një gazete, po t’ia rritësh taksën e letrës, të zyrës, etj, ajo do rrisë çmimet.

Po si ka mundësi që kjo rritje është e menjëhershme dhe e njëjtë për të gjitha pikat e karburanteve? Ka ekspertë në fakt që thonë se kemi të bëjmë me një rritje çmimesh të bashkërenduar mes tyre...

Nuk bëhet fjalë për këtë. Sepse kostoja del çdo ditë e njëjtë dhe nafta në të gjithë botën është artikull i përqendruar që kuotohet. Domethënë, në gjithë botën, nafta ditën e premte dhe të shtunë është blerë me 55 dollarë për fuçi. Të gjitha gjërat e tjera janë fikse. Taksat janë njëlloj për të gjithë, akcizat janë njësoj për të gjithë dhe u mbarojnë rezervat dhe çmimi del i njëjtë për të gjithë, megjithëse duhet thënë se ka edhe çmime të ndryshme. Prandaj nuk ka marrëveshje të fshehta midis kompanive, sepse është e pamundur. Nuk ka sesi të ketë. Kompani biznesi janë nja 3-4, por pika karburanti janë mbi 1 mijë. Edhe po të duash, nuk bën dot marrëveshje me kaq shumë të tilla.

Meqë pohuat se ka qenë pikërisht taksa e rilicencimit që ka ndikuar në rritjen e çmimit të karburanteve, kjo do të thotë se nuk mund të ketë një ulje të tyre në të ardhmen?

Se çfarë pritet që të ndodhë në të ardhmen me çmimet e karburanteve në Shqipëri, kjo do të varet nga bursa ndërkombëtare. Por nga faktorët e brendshëm, nuk mund të pritet ulje, se çfarë do të ulim?

Një situatë e tillë do të jetë edhe për gazin? Meqë tani në sezonin e ftohtë të vitit, ai gjen një përdorim të shtuar...

Edhe tek gazi ndikon një situatë e tillë, tek pikat e tij të shitjes. Sepse edhe ai ka varësi nga bursat ndërkombëtare, del një herë në muaj çmimi i tij atje dhe po të jetë rritur, do të reflektohet edhe te tregu i brendshëm në Shqipëri.

A zotëroni ju ndonjë studim që tregon ndonjë lidhje të mundshme mes rritjes së çmimeve të karburanteve dhe sasisë së konsumit të tij në vend? Apo shqiptarët i blejnë njësoj ato, edhe kur ato rriten?

Shqiptarët aktualisht konsumojnë produkte karburantesh në kufijtë e nevojave. Ata janë në kufijtë e konsumit minimal.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: