DEMOKRACIA ËSHTË MALL – OPINION NGA FRROK ÇUPI

DEMOKRACIA ËSHTË MALL – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

1.

Në çdo dyqan, gjendet i njëjti mall.

Me siguri, ju keni nëpër duar lajmin më të fundit politik mbi “financimin 1 milion dollarë” nga Partia Demokratike, për lobing në Amerikë. Faturat e pagesave i ka gjetur partia tjetër, që është në pushtet, PS-ja. Edhe prokuroria ka njoftuar se nisi hetimin... Ju mendoni se Prokuroria do të hetojë? Në Prokurori do të paraqiten (ndoshta në mbrëmje, pasi të ketë rënë errësira), të dy palët. Njëra do t’i thotë tjetrës: “E shikon që të kapa, siç më kape?!” Këtu mbaron hetimi... Partia Socialiste “i kapi” 1 milion dollarë të Partisë Demokratike, sepse kërkon “barazim”.

Para disa ditësh, në një makinë të një biznesmeni të majtë (mik i ministrit socialist të dyshuar për krime), u kapën 1 milion dollarë (836 mijë euro) cash. Prokuroria ka deklaruar se janë të gjitha gjasat që 1-milionëshi i përket ministrit socialist Tahiri, tashmë nën hetim për përzierje në krimin e trafikut të drogës. Ky ka qenë lajmi i bujshëm gjatë gjithë këtyre ditëve... Sakaq, Partia Socialiste “kapi” në “makinën” e PD-së, 1 milion dollarë të investuara në Amerikë, pará këto “pa burim”, të “padeklaruara” dhe të dërguara përmes një kompanie fantazmë.

Unë i besoj të dy “krimet”, si nga PD-ja, edhe nga PS-ja. Por pyetja është: Vallë, pse tani PS në pushtet, zbulon “çekun 1 milion” të PD-së? Përgjigjja është shumë e thjeshtë: Partia Socialiste në pushtet dhe nën akuzë se pushteti i saj ka rënë në krim, me këtë akt i thotë publikut: “Jemi njësoj, si PD-ja edhe PS-ja. Dyqani ynë ka të njëjtin mall, ju pse do të votoni në dyqanin e PD-së”? Ky është malli, nuk ka më Demokraci.

2.

Sa shtrenjtë shitet demokracia?

Përsëri te prova 1 milion dollarë. Shumë njerëz pyesin: Vallë, si ndodhi që kundërbalanca mes dy partive, të jetë e njëjtë, fiks 1 milion? Pse nuk ishte njëra dy milionë, gjysmë, ose treçerek milioni? Në fakt, çdo shifër ka vlerën e të vërtetës. Demokracia është nxjerrë në treg nga partitë politike. Këto e shesin aq sa u duhet. PS-ja deklaroi 1 milion, sepse PD-ja kishte akuzuar me të njëjtën shumë. Po të ishin zbuluar 2 milionë në makinën e Sotës (Tahirit), atëherë PS-ja do të kishte ngritur akuzë për 2 milionë dollarë nga PD-ja. Përsëri shifrat do të ishin të vërteta. Të dy partitë, herë njëra e herë tjetra në qeverisje, ia dinë “xhepat” njëra-tjetrës. Edhe sikur 200 milionë dollarë të paligjshme në thesarin e partisë, do të ishte shifër reale... Demokracia ka aq vlerë në dollarë, sa i intereson njërës parti për të balancuar tjetrën. Partitë, të konsideruara nga teoricienët e politikës si “klika” dhe “klane”, tani janë kthyer edhe në banka të paligjshme, ku paratë merren nga populli, por nuk investohen te populli. Kur të vijë dita e votimeve, njeriu do të ketë krijuar idenë se është njësoj: Si të votosh “Ku”, si “Klus” si “Klan”. Së bashku, bëhet Ku-Klus-Klan. Partitë tani nuk janë më instrumente të publikut për demokraci, por dyqane ku tregtohet demokracia për interesat e pak personave.

3.

Demokracia ka çmim shumë të ulët.

Në qoftë se kësaj here, përplasja mes “Ku”, “Klus” dhe “Klan”, u shkaktua për një shifër kaq të lartë, sa ç’është 1 milion dollarë, kjo ndodhi pse një ministër i zhytur “deri në fyt” në krim, ishte edhe budalla. Ai i rriti koston Partisë Socialiste - kjo ia vret ndërgjegjen - jo pse bëri trafik droge dhe armësh. Me këtë rast, “humanizmi” i partive doli zbuluar. Partitë që “vajtojnë” për popull, u paraqitën në çdo familje të popullit, me nga një milion dollarë si “pará xhepi”. Por u paraqitën si zengjini në “shtëpinë e të varfrit”. Nga familjet e votuesve ka mijëra nga ata që në mbrëmje nuk kanë ushqimin e nesërm për fëmijët, ndërsa dëgjojnë nga një spikere televizori, mbështetur në një stol, se “u kapën 1 milion” në xhepat e njërës parti; ose u “kapën 1 milion për bla bla bla dhe për foto”, nga partia tjetër. Nëpër këto familje ka edhe dashnorë të nxehtë partish. Këta dëgjojnë spikeren dhe nuk reagojnë, por bëhen gati të votojnë përsëri “partinë e zemrës”. Partia e zemrës e ka mësuar këtë dhe ul përditë çmimin e demokracisë: Sa më shumë i varfëron njerëzit, aq më shumë e votojnë! Sa më shumë i poshtëron militantët, aq më të nxehtë bëhen...!

Demokracia tani ka çmimin e bukës së gojës.

4.

Në sallë ka mall, nuk ka njerëz.

Njerëz janë edhe këta që ndodhen në sallën e Kuvendit, në sallën e gjyqit ose në sallën e kongresit, por nuk janë njerëzit e duhur për demokracinë. Këta janë njerëz të mallit: Ose të pasuruar këto pak vitet e fundit, përmes shpërdorimit të demokracisë, ose kriminelë të pasuruar përmes vrasjeve, spekulantë që shesin dhe blejnë vrasjen e njerëzve dhe krimin e trafiqeve. Nuk jemi në kohë demokracie, jemi në kohë ujqish. Për këta thashë se “nuk janë njerëz”, edhe pse janë njerëz.

Kuvendi, altari i demokracisë, është i kompozuar kryesisht me tri kategori:

“Të fortë” (d.m.th shula për të vrarë), të cilët bëhen garantë të mallit.

Të pasuruarit brenda dy a tre viteve

...dhe të tjerët leshko dhe derdimenë...

Të gjitha kategoritë i nevojiten partisë.

Të parët për të siguruan “prenë” si në baladën e gjahtarëve. Të dytët për të vjelë dhe për të paguar pará të paligjshme. Të tretët për të mbuluar dy krimet e para, me servilizmin e tyre... Të gjithë këta prodhojnë mall për partinë dhe vetë janë “mall”.

Tani demokracia nuk është vlerë, as dituri. Demokracia është mall.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: