Detaje mbi takimin Bushati-Kotzias në Kretë

Detaje mbi takimin Bushati-Kotzias në Kretë
Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe homologu i tij grek, Nikos Kotzias, pritet të takohen të premten më 10 nëntor në Kretë në një negociatë që synon të gjejë rrugët e zgjidhjes për disa probleme të mprehta mes dy vendeve.

Bisedimet e nivelit të lartë do të mbahen në Hersonisos të Kretës, raporton Albanian Free Press duke cituar burime diplomatike nga MPJ shqiptare.

Hersonisos, është një atraksion turistik shumë i njohur i ishullit Kretë, pasi aty ndodhet shpella e njohur në mitologjinë greke si vendi ku perëndesha Rea lindi Zeusin.

Dimitris Plevrakis, Sekretari i Përgjithshëm i Sekretariatit të grekëve jashtë vendit, pohoi në mediat lokale të Kretës, se zgjedhja e palës greke për takimin nuk është e rastësishme.

“Duam ta theksojmë se arsyeja është pozicioni strategjik i Kretës, si pikë stabiliteti dhe sigurie në rajon. Në këtë kontekst, si një ministri e Jashtme, ne po planifikojmë ngjarje të tilla çdo vit.”

Plevrakis pohoi edhe faktin se po në Kretë (Elunda) është zhvilluar edhe takimi mes Kotzias dhe homologut turk Çavushoglu.

Takimi me Bushatin do të zhvillohet në Hersonisos, sepse hotelet në Elunda janë të mbyllura në këtë sezon pragdimri.

Plevrakis ka komentuar dhe përpjekjet për të arritur fqinjësi të mirë, nga MPJ greke, Kotzias: “Ne besojmë se Greqia mund të jetë pol i stabilitetit për të gjithë rajonin e Ballkanit. Dhe në këtë drejtim ne zgjedhim Kretën. Përpjekja e sotme është një përpjekje më shumë për të ardhmen. Në atë që do të na përcaktojë në vitet e ardhshme, në mënyrë që të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet”. /Albanian Free Press/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: