DETI ADRIATIK- ANËTAR I BE – OPINION NGA FRROK ÇUPI

DETI ADRIATIK- ANËTAR I BE – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Deti Adriatik na bëhet herë si frymor, herë si teatër tragjedish dhe herë... si shtet. Jo se deti vetë i zgjedh këto role, por sepse politikat në brigjet e Adriatikut, e trajtojnë në këto mënyra. Prej disa vitesh, eurokratët e BE-së e kanë trajtuar si një shtet ose si një pretekst, për të ndarë shtetet sipas interesave të tyre.

Adriatiku, si mollë sherri mes Lindjes dhe Perëndimit

Qysh para dhjetë a njëmbëdhjetë vjetësh, kur ata në BE nisën ta ndajnë Ballkanin në dy pjesë, që atëherë u kuptua se një lojë po luhej, veçse nuk kuptohej qartë çfarë ishte. BE-ja i vesh lojërat e saj me misterin e demokracisë dhe qytetërimit më të përparuar. Ndarja e Ballkanit u bë duke pasur si referim Adriatikun. Shtetet që ndodhen afër brigjeve të detit Adriatik ose që lagen prej tij, u quajtën Ballkani Perëndimor. Edhe pse Serbia, Kosova dhe Maqedonia, nuk kanë dalje në det, të gjitha u përfshinë në projektet e BE-së të emërtuara, sipas viteve: “Adriatik 1”, Adriatik 2”, dhe “Adriatik 3”. Në të gjitha përfytyrimet e eurokratëve, shtetet ballkanike të Perëndimit, edhe pse nuk lagen në Adriatik, ato janë adriatikase, ose më në fund, BE-ja do t’u siguronte dalje në det.

Jashtë Ballkanit Perëndimor mbetën shtete të fuqishme si Bullgaria e Rumania, ndërsa Kroacia dhe Sllovenia që kishin qenë Ballkan, nuk pranuan më të “turpërohen” me këtë emër që vjen nga perandoria Otomane. Ballkani mbeti një thelë. Shtetet e fuqishme u pranuan në BE, jo pse e meritonin aq shumë, por sepse, me sa kuptohet, BE-së i duhej që Ballkani të ishte i tkurrur, i brishtë dhe i menaxhueshëm me lidership të lehtë. BE-ja, siç po kuptohet nga ecejaket e këtyre dy viteve të fundit, e projektoi Ballkanin Perëndimor si një fushë eksperimentale për lojërat e veta. Në një kuptim tjetër, BEja e perceptoi Ballkanin Perëndimor si një brez të butë, që aplikohej në periudhën e komunizmit, për të parë gjurmët që e shkelnin. Me formulimin Ballkan Perëndimor, BE-ja mbajti larg Turqinë - vendin që e synon më shumë influencën në Ballkanin mysliman; dhe që fjalën Ballkan e ka në gjuhën e vjetër. BE-ja nuk ishte aq e zonja sa ta pranonte Turqinë si shtet anëtar, prej 30 vjetësh që po aplikon Turqia. Por nuk ishte e zonja as t’i thotë jo. Gjithmonë tha po, por gjithmonë bëri jo. Për ta mbajtur Turqinë larg, BE-ja shpiku kontinentin Ballkan Perëndimor që ka lidhje me Adriatikun.

Adriatiku si kështjellë intrigash mes BE-së dhe vendeve të Adriatikut

Bashkimi Europian (BE) e dobësuar kockë e lëkurë, e pabesueshme në vendet anëtare, e kundërshtuar kudo, më në fund ka gjetur prehje në brigjet e Adriatikut. Njësoj si kështjella e Makbethit, në brigjet e Adriatikut ndërtohen kështjella intrigash politike që nga Trieste, në Durrës, në Raguzën e Vjetër dhe në Puglia. Vetëm intrigat e fundit sikur të shënohen, dhe ndoshta mjaftojnë:

Në korrik 2017 (data 15), në Trieste të Italisë u shkul gjithë ekipi i nëpunësve të BE-së në një mbledhje me qeveritë e Ballkanit Perëndimor. Në atë mbledhje u vendos që të krijohet Tregu i Përbashkët Ballkanik, duke mos e përmendur më Bashkimin Europian. Madje u tha qartë se nuk ka më BE, tani keni TPB (Treg i Përbashkët Ballkanik). Shqipëria dhe Serbia nisën grindjet mediatike, menjëherë pas kësaj, sepse vendimi i Triestes u konsiderua si fillesë e Jugosllavisë së Re, ku Shqipëria do të ishte anëtare. Edhe patriotët, në të dy anët, nisën të grindeshin në distancë. Intriga e BE-së në breg të Adriatikut, në kështjellën e Triestes, e bëri punën e vet.

Por qëllimi i BE-së ishte të intrigonte në dëm të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. BE-ja donte të maste pulsin, nëse këto shtete e kanë me zemër që të pranohen në BE, dhe doli so-so, as me qejf, as pa qejf. Vendet e Ballkanit, madje edhe Shqipëria, nisën të flasin për lidhjen me Rusinë. Kjo iu dogji atyre të kështjellës së Triestes.

Hapi i dytë i intrigës u hodh me 25 gusht 2017. Edhe pse gjithë dynjaja ishte me pushimet e verës, BE-ja i fërshëlleu kryeministrave të Ballkanit të cunguar, që të mblidhen në Durrës. Qëllimi i vetëm pse u mblodhën aty, ishte që komisioneri Hahn të thoshte: Tani jeni në TPB dhe jo më në BE. Me atë rast, deklaroi edhe 150 milionë euro nga BE-ja për Ballkanin, që deri tani kanë shkaktuar vetëm grindje mes shteteve, por asnjë kacidhe akoma.

Para dy ditësh, shefja e lartë e politikës së BE-së, Federica Mogherini, papritur deklaroi në Bruksel se Shqipëria si pjesë e Ballkanit Perëndimor, të bëhet gati për në BE në vitin 2018. Intrigë kundër vendimeve të mëparshme dhe kundër fqinjëve, që po ankohen për krimin shqiptar. Asnjëherë nuk është dhënë ndonjë datë pranimi... Intrigat e BE-së me brigjet e Adriatikut, kanë për qëllim ta mbajnë këtë zonë për vete, edhe pse në jerm, por vetëm për arsye të detit Adriatik.

Deri Adriatik, një shtet si Lichtenstein, ose si Zvicra...

BE-ja, sot për sot, është i pafuqishëm që ta shpallë Adriatikun shtet asnjanës ku luhet çdo lojë financiare, por me siguri, po pret nëse i vjen koha. Deti Adriatik, në një situatë gati të droguar të euokratëve, mund të përfytyrohej jo si det, por si tokë, si shtet më vete. Dhe që në atë moment, deti Adriatik do të ishte pranuar anëtar i BE-së, pa kushte.

Në Adriatik ka pasuri shumë të mëdha dhe të panumërueshme. Kjo është arsyeja. Në Adriatik po luhet loja e trafikut të drogës, që padyshim, luhet me bekimin e njerëzve të BE-së. Në brigjet e Adriatikut mbillet drogë pa fund, e cila është e destinuar për në vendet e BE-së, ku burokratët e saj, padyshim, kanë rol kryesor. Deri edhe vetë shefja e politikës së jashtme, Mogherini, është kapur familjarisht që bën trafikun e drogës në Adriatik, por në një rast banal. BE-ja dhe eurokratët kërkojnë që prodhimin dhe trafikimin e drogës ta bëjnë në mënyrë mbretërore si te Makbethi, d.m.th., me kode të shkruara. Edhe kokaina që vjen nga Afganistani, këtu në “shtetin” Adriatik kalon. Edhe trafikimi i njerëzve, këtu ka ndodhur dhe ndodh, - që nga turmat e furishme të shqiptarëve që largoheshin nga ferri komunist, deri te arabët që largohen nga lufta në Siri, etj. BE-ja e do këtë det për të ruajtur politikën e kufijve të hapur, ku sipas studiuesve të shumtë perëndimor, është politika ku fshihet korrupsioni dhe deeuropianizimi...

Po të mos ishte “shteti- deti” Adriatik, shtetet ballkanike me frymorët njerëz, nuk do të kishin pikën e vlerës për BE-në.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: