Diplomacia po bëhet ekonomike, infrastruktura strategjike

Diplomacia po bëhet ekonomike, infrastruktura strategjike
Eglantina Nasi

Nëse diplomacia e Shqipërisë po synon së fundmi që të jetë më “ekonomike”, infrastrukturës si e tillë duket se i parapëlqen të jetë “strategjike”. E thënë më thjesht, të mos realizojë më projekte rrugësh, portesh, hekurudhash, deri edhe aeroportesh të destinuara kryesisht për transportin vendas, por që të synojnë një lidhje më të gjerë ndër rajonale dhe hapësinore. Një fakt të tillë madje e ka konfirmuar dje edhe vetë ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, teksa ka raportuar në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe projektet që do realizohen me fondet e tij. “Janë të paktën 42% më shumë fonde të parashikuara në raport me një vit më parë, që kanë në thelb një qasje më strategjike karshi projekteve”, tha ai. Ndërsa gjatë një vizite në Malin e Zi, ai ka kryer bisedime pikërisht mbi nisjen e punës konkrete për realizimin e autostradës Adriatiko-Joniane. E njohur ndryshe si “Korridori Blu”, kujtojmë se ajo u lançua si një projekt mjaft ambicioz dhe strategjik në nisje të mandatit të parë qeverisës të së majtës. Por që mesa duket, në këtë mandat të tyre ajo ka gjasa që të nisë zbatimin e tij konkret. “Diskutuam në lidhje me projektet e infrastrukturës rrugore ku të dyja vendet kanë si projekt prioritet autostradën Adriatiko-Joniane. Kemi marrë financimet e nevojshme për të bërë studimin përfundimtar të fizibilitetit”, do të shprehej ministri shqiptar konkretisht lidhur me këtë projekt. Për të shtuar gjithashtu faktin se me homologët malazez ngriti pikërisht edhe problemin për kompletimin e rrugëve të tjera dytësore që lidhin pika të tjera kufitare me Shqipërinë. Kujtojmë sakaq se së fundmi është përuruar në Tuz edhe stacioni i përbashkët hekurudhor Shqipëri-Mali i Zi, i vlerësuar ky si modeli i vetëm në rajon dhe që shërben për lidhjen më të afërt të këtyre dy vendeve. Sikundër, në planet konkrete të qeverisë shqiptare që kanë të bëjnë me infrastrukturën, një projekt i rëndësishëm për t’u realizuar gjatë këtij mandati është edhe ai i Rrugës së Arbrit, për të cilin po paraqet interes edhe vetë pala maqedonase. Dhe kjo, pasi ky projekt është konceptuar nga pala shqiptare, jo vetëm si një aks i rëndësishëm rrugor për të lidhur kryeqytetin me skajin verilindor të vendit. Por në një këndvështrim strategjik, ajo shihet edhe si një urë e fuqishme lidhje me shtetin fqinj, që do të përmirësojë transportin ndërlidhës rrugor me të.

 

PARASHIKIMET

Buxheti, mot do përfundojnë dhe 10 segmente rrugore brenda vendit

Gjatë vitit të ardhshëm, projekt-buxheti 2018 parashikon që të përfundojnë edhe 10 segmente rrugore brenda territorit të vendit tonë. Konkretisht, fjala është për lotin 2 të rrugës Kukës-Morinë, por edhe atë të segmentit Fushë Krujë-Thumanë. Sikundër, edhe loti 10 i By pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë pritet që të mbyllet në vitin 2018. Për të vijuar me akset e tjera, gjithashtu të parashikuara me finalizim të tyre, të tilla si ai Elbasan-Banjë, apo Këlcyrë-Përmet. Gjithashtu, do të rikonstruktohet edhe rruga  Kodër-Kamëz-Tapizë. Ndërsa parashikohet të nisë mirëmbajtja By passin e Fierit, të Vlorës, apo Tiranë-Elbasan dhe Qukës - Qafë- Plloçë.

 

PROJEKTET

Portet dhe aeroportet, shtohen fondet për nyjat e reja lidhëse

Investimet e reja në portet ekzistuese të vendit dhe nisja e punës konkrete për ngritjen e aeroporteve të reja, të cilat deri tani kanë qenë në fazë projekti, duket se janë një tjetër pikë e rëndësishme e programit të zgjedhur nga qeveria për këtë mandat qeverisës, që ato të shërbejnë si nyja të reja lidhëse me vendet e tjera. Kështu, në këndvështrimin strategjik të qeverisë, për to parashikohet të hidhen shumë pará, në mënyrë që të kthehen në pika konkrete të kontaktit dhe transportit me botën. Vetë ministri i Infrastrukturës ka bërë me dije se qeveria shqiptare do të asistohet nga Turqia për të ndërtuar aeroportin në jug të vendit, i parashikuar në Vlorë, i cili sipas tij do të shërbejë si një nyje e rëndësishme me impakt direkt në turizëm. Nga ana tjetër, synohet që të rritet investimi në porte, të cilat do të financohen përmes kredive të buta, ku do të jenë vetë ato që do t’i shlyejnë ato, përmes të ardhurave që do sigurojnë nga aktiviteti i shtuar i tyre.

 

ARGUMENTIMI

Qeveria: PPP për rrugët e reja, pasi nuk marrim dot më borxh

Forma e Partneritetit Publik-Privat është zgjedhur nga qeveria si mjeti për të realizuar mjaft projekte infrastrukturore vitin e ardhshëm, pasi qeveria nuk mund të marrë dot më borxh tek institucionet e huaja ndërkombëtare. Një fakt të tillë e ka pohuar dje vetë ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, sipas të cilit, një situatë e tillë është krijuar pikërisht nga një nivel i caktuar që ka arritur tashmë borxhi publik në vend. “Varianti më i lirë i financimit të rrugëve do të ishte marrja e kredive të buta nga ana e institucioneve financiare të huaja. Por kjo do të donte një borxh publik të ulët, në mënyrë që të kishte hapësirë fiskale për kredi. Shto edhe skemën piramidale të rrugo-manisë, e cila shtoi edhe një 300-400 milionë tjetër, e bëri të pamundur hapësirën buxhetore, që ne të marrim kredi të bura”, e shpjegoi saktësisht ministri këtë situatë të krijuar lidhur me PPP-të. Kujtojmë se buxheti 2018 parashikon se do të jenë 6 të tilla në sektorin e transportit, që do aplikohen vitin e ardhshëm.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: