E tashmja dhe e ardhmja, Strakosha në gjurmët e Buffon

E tashmja dhe e ardhmja, Strakosha në gjurmët e Buffon
Thomas Strakosha, “xhevahiri” i portës së Lazio-s në derbi ndaj Romës 

Të shtunën, ora 18:00, luhet derbi Roma – Lazio. Dy ekipet e kryeqytetit italian, pozicionohen pas 11 javëve të para: Lazio në vend të katërt, me 28 pikë; Roma në vend të pestë, me 27 pikë. Seria A kryesohet nga Napoli me 32 pikë, që pret Milan-in në mbrëmje, në ndeshjen e javës së 13-të. Por si Lazio ashtu edhe Roma, kanë luajtur një ndeshje më pak, çka do të thotë se fituesi i derbit mund të rikuperojë edhe tre pikë të tjera, që të rreshtohet krah ekipeve pretendente për titullin kampion.

Një ditë më pas, Inter pret Atalanta-n dhe Juventus-i udhëton në Genoa, ku përballet me Sampdoria-n. Ndërkohë, kjo javë i gjen skuadrat italiane pas eliminimit të kombëtares nga botërori, Thomas Strakosha, i larguar nga kampi kuqezi për arsye dëmtimi, para miqësores me Turqinë, është gati për ndeshjen derbi. Stafi mjekësor i Lazio konfirmon prezencën e portierit ndaj Romës. Sikurse ka entuziazëm për shumë skeptikë të kaluar, mbi paraqitjet e Thomas Strakosha. Lazio e ndërtuar në dy vjet nga Simone Inzaghi, pasi konfirmoi portierin shqiptar në portë, i rinovoi edhe kontratën deri në vitin 2022. Tani, ai shihet si një nga pikat më të forta tek të cilët Lazio po ndërton të tashmen dhe të ardhmen e saj.

Një trofe kundër Juventus-it, në atë që Strakosha tha se ishte ndeshja më e bukur në karrierën e tij të deritanishme. Edhe pse për disa momente, tifozët e Lazio-s u trembën, “Thomas” në fakt pas karrierës së nisur me të rinjtë dhe ekipit të parë, ka luajtur deri 7 ndeshje derbi. Nga 7, 6 janë fitore ndaj Romës, ndërsa e vetmja e humbur, ka qenë ajo e fundit më 4 prill, kur skuadra e Spalletti-t fitoi në kupë 3-2, por nuk arriti të kualifikohet, pasi humbi 2-0 ndeshjen e parë. Një humbje pa dhimbje për Thomas, i cili është gati për të rritur statistikat në favorin e tij. Do të jetë ndeshja e 42-të e Strakoshës me ekipin  e parë të Lazio, në derbi, dhe po kaq ndeshje portieri 22- vjeçar, ka luajtur edhe me të rinjtë e klubit italian. Ai sapo e ka nisur karrierën.

/a.muraçi/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: