Edith Mihali: Një fletërrufe ishte sebepi që "u bëra" soprano

Edith Mihali: Një fletërrufe ishte sebepi që "u bëra" soprano
Kur Edith Mihali dilte në skenë, i madh e i vogël binte në heshtje të thellë. Zëri i saj na sillte ariet më të njohura në botë dhe paraqitja skenike të bënte të ndaloje e ta ndiqje, pavarësisht nëse ishe i pasionuar pas muzikës operistike ose jo. Flokë biondë, portret me mollëza të bukura dhe lëkurë porcelani, një trup i gjatë e i drejtë, ndoshta edhe vlerë e ardhur nga origjinat mjaft të përziera turke, vlonjate, shkodrane, krutane dhe sllave. Aq shumë jemi mësuar, nëpër dekada, me figurën elegante e krenare të “Artistes së Merituar” dhe “Mjeshtres së Madhe”, Edith Mihali, në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, sa që edhe sot, ajo është sopranoja më e njohur shqiptare. Nxënëse e denjë e së madhes Marie Kraja, nuk pati aspak një rrugë të lehtë drejt suksesit, por teksa më rrëfen jetën e saj, në një kafe poshtë shtëpisë, me shumë thjeshtësi, ndalon që nga kënaqësia kur mori apartament e deri tek pasioni për një shtëpi të bukur. Një DIVA në skenë, por një zonjë e thjeshtë dhe amvisë, në jetën e përditshme, dedikuar tërë jetën bashkëshortit, edhe ai muzikant, djalit dhe nipit të saj, që e ka pikë të dobët. Në këtë rrëfim ekskluziv për Albanian Free Press, le të njohim më nga afër sopranon, që u bë ikona e talenteve të muzikës lirike shqiptare, në vitet më pas.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Keni qenë vetëm 7-vjeçare, kur shkuat në konvikt në Liceun Artistik; nuk ishte shumë e vështirë për një fëmijë?

Unë ndoqa në Lice studimet për violinë. Nëna ime ishte tepër e pasionuar pas artit, pas së bukurës e unë gjithmonë e dëgjoja. Kujtoj që këndonte nëpër shtëpi, këngët e zonës së Shkodrës. Ajo ishte nga Kruja, por me origjinë të largët nga zona e Shkodrës. Nëna rastësisht, kishte njohje me kompozitoren e njohur Dhora Leka. Kur isha vetëm 5 ose 6 vjeç, nëna më çoi të më vlerësonte Dhora Leka dhe ajo i tha se unë isha për në Lice. Por në atë kohë, unë fillova klasën e parë më 1957, dhe im atë filloi të ndiqte Fakultetin e Mjekësisë, i cili u hap në Tiranë. Gjendja ekonomike, kuptohet, me një rrogë e me tre fëmijë, ishte e vështirë. Konvikti është vuajtje, sigurisht, por sot i them faleminderit. Aty çdo gjë do t’i bëja vetë. Mendo pak, një 7-vjeçar sot, është i papërgatitur, edhe çantën do t’ia varësh në sup, kurse unë do bëja çdo gjë vetë. Më kujtohet se edhe krevatin duhet ta rregulloja vetë dhe aq drejtë, sa që të mos më kthente mësuesja pas, që ta rregulloja përsëri. Ende kujtoj edhe duart e këmbët që m’i zinte morthi nga i ftohti, sepse nuk kishte soba. Deri në klasë të gjashtë, kam qenë në Liceun e vjetër, tek rruga e Kavajës; më pas në Liceun e ri. Konvikti më ka përgatitur shumë, për të qenë zot i vetes dhe e kujtoj me nostalgji, sepse ishte një sistem në vazhdimësi, me të njëjtën shoqëri nga klasa e parë e deri në maturë. Konvikti kishte një rregull dhe disiplinë që më vlejti më vonë.

Si keni qenë në karakter fëmijë, natyrë e butë?

Tepër e butë dhe e tërhequr. Madje, gjithmonë në lojë më përfshinin të tjerët, sepse unë nuk kisha guxim vetë. Me botë të brendshme, por që nuk i shfaqja ndjenjat jashtë. Isha e urtë e me disiplinë, fëmijë i bindur, që vetëm mësoja.

Cila ka qenë vështirësia e parë për ju, sepse besoj keni pasur, si artiste...

Ohhh! Ka qenë një mundësi që m’u hap mua si nxënëse e përzgjedhur në Lice, nga drejtuesi i asaj kohe, i cili tregonte mjaft kujdes me elementët e talentuar, për të shkuar në një udhëtim në Kinë. Atë dhimbje nuk do ta harroj kurrë, sepse isha vetëm 16 vjeç dhe ishte viti 1967. U organizua një grup i madh nga Fronti Demokratik dhe madje, as që e dinim se ku do të shkohej. Sigurisht u lumturova dhe prisja me padurim! Imagjinoni se si u ndjeva kur më hoqën nga ai grup, për arsye pa arsye. Gjetën një kleçkë kot në biografi, por që në të vërtetë donin sigurisht, të dërgonin dikë tjetër. Aq u pezmatova, sa që kujtoj se në atë kohë vuaja nga migrena dhe shkoja tek nëna të më bënte gjilpërë analginë kundër dhimbjeve; humba të gjithë dëshirën për çdo gjë, nga tronditja e madhe.

Por përsëri e gjetët forcën për të vazhduar me artin?

Eh, po ka njerëz të këqij në këtë botë, por ka edhe njerëz të mirë. Në atë kohë, isha në maturë dhe përgatitesha të shkoja në Akademinë e Arteve. Ndërkohë në ato vite, funksiononte mjaft mirë sistemi shkollor. Ne kishim drejtor, drejtor artistik, drejtor konvikti. Dirigjenti ynë në udhëtimin për në Kinë, ishte Simon Gjoni, i cili ndjeu keqardhje që unë, një 17-vjeçare, u hoqa aq padrejtësisht nga aktiviteti në Kinë. Simoni arriti deri aty sa që nuk e pranoi kurrë zëvendësuesen time - këtë e kam mësuar kohë më pas. Ai më ndoqi hap pas hapi, në përgatitjen time për në Akademi, mua bashkë me disa shoqe të miat, praktikisht na mori të gjithave e na tha të shkonim patjetër. Dhe unë që isha gjithmonë shumë e bindur ndaj më të rriturve, sigurisht që shkova. Ne shkuam në klasën 1, që është edhe sot, njëshi i pianos quhet, ku ishte e madhja Marie Kraja, Llukë Kaçaj dhe Mihal Ciko. Kam qenë e turpshme dhe nuk ndihesha rehat të këndoja përpara tyre. Hyj në klasë e më bëjnë provë zëri, deri atëherë nuk kisha kënduar asnjëherë, përveç në korrin e shkollës, e më thonë se duhet të studioja kanto.

Dhe shkuat?

Në asnjë mënyrë! Shkova në Akademi për kritikë Muzike, siç fola edhe më profesor Simonin, dhe e quajta të mbyllur historinë. Por Marie Krajës i mbeti në mend zëri im dhe nuk e di si e mori vesh nëna ime dhe unë e dëgjova atë.  Pra, pa hequr dorë nga Kritika e Muzikës, vazhdova edhe për Kanto. Shto këtu edhe dashurinë me Kopin, u bënë tre. Ha ha ha.

Kopi, siç të gjithë e thërrasin bashkëshortin tuaj, në atë kohë erdhi në jetën tuaj?

Jo, më parë. Kopi erdhi në kohën e Kinës, sepse edhe atë e hoqën, ashtu si edhe mua. Ai kishte studiuar në Çeki e me sa duket, shkëmbente ndonjë letër me ndonjë vajzë andej, e për këtë e kishin merak. Është bërë sebep edhe kunati i tij, që ishte në sigurim dhe ka menduar ta mbanin këtu, se mos ndoshta Kopi arratisej gjëkundi. Por kjo i bëri edhe atij dëm të madh, sepse mbetej si njollë, nëse të kishin hequr nga një grup. Kopi më kishte parë në grup dhe rrinte-rrinte e më vështorinte. Nuk ka qenë dashuri me shikim të parë, për mua; sepse unë mendoja me vete se ç’donte ky burrë i madh me mua, pasi kishim shumë diferencë, rreth 16 vjet.

Paska qenë burrë me shije të hollë Prokopi, bashkëshorti juaj...

Eeeee, poooo, tepër qejfli. E shikoja që më vinte rrotull. Unë shkoja me nënën të pyesja përse nuk kisha shkuar në Kinë. Vinte edhe ai, shpesh na shoqëronte, bisedonte me nënën mbi shqetësimin tim, deri sa një ditë, nëna e ftoi për kafe në shtëpi. Më pas, unë fillova Skademinë dhe Kopi ishte student i vonuar, në vit të tretë. Pra, në shkollë u lidhëm seriozisht, pavarësisht se me kundërshtimin kategorik të nënës time.

Nëna juaj nuk e donte këtë lidhje?

Nuk e deshi asnjëherë. Ajo më mbyllte në shtëpi, që të mos e takoja Kopin. I thoshin njerëzit: “E pamë me një me biçikletë të kuqe”, dhe ajo tërbohej, sepse e dinte kush ishte ai me të cilin unë shoqërohesha. Asnjëherë nuk e pranoi me gjithë zemër, madje më dha ultimatum, të merrja valixhen e të ikja nga shtëpia, nëse doja të rrija me të. Dhe unë atë bëra, mblodha ato tre rroba dhe ika në shtëpinë e Kopit.

Si një dashuri filmash, më duket kjo....

Ime ëmë as që nuk më bëri martesë. Unë nuk kam bërë dasmë. Më pas, nëna, kur mbeta shtatzënë, më mori në shtëpi, sepse kisha shtazani jo të lehtë dhe ajo deshi të më rrinte pranë. Unë kam shkuar të jetoj përsëri me Kopin dhe djalin pas 17 vitesh, kur ne morëm apartamentin ku jam sot.

Atëherë ky do të ketë qenë sekreti i zgjatjes së marrëdhënies, sepse keni qenë si të dashur, tërë kohës....

Po, e vërtetë, por ndërkohë edhe jemi zënë shumë në këtë kohë, sepse Kopi ishte shumë, po shumë fare, xheloz.

Xheloz? Po ju ishit artiste, kjo do t’ua bënte karrierën të pamundur...

Po, por ai ishte xheloz dhe kishim shumë mosmarrëveshje për këtë. Se atëherë nuk kishte as celularë e nuk kishte asnjë mundësi të më kontrollonte, si sot. Hahaha! Kjo edhe në shkollë, unë nuk flisja dot me shokët kur dilja nga klasa. Kështu edhe në role, nuk duhet të kisha afërsi të madhe me personazhet meshkuj në opera.  Kujtoj kur nëna ime, që e dinte xhelozinë e tij, i thotë Ramiz Kovaçit se patjetër unë duhet të shkoja në turne dhe se djalin, që ishte i vogël, do ta mbante ajo. Për herë të parë, unë që gjithmonë ndihesha në faj kur ai bëhej xheloz, vendosa veten time të parën dhe mora vendimin të shkoj. U bëra e fortë, i thashë se do shkoja. Të nesërmen, të gjithë i përcillte dikush, ai nuk erdhi. Qëlloj në dhomë me Vaçe Zelën dhe i them se do shkoja t’i bëja një telegram Kopit, se ishim zënë. “Jo mi, budallaqe! A e ke parë veten ti, se kush je? Ai është me fat që të ka ty! Shko dhe bëji telegram nënës tënde dhe jo atij!”- më tha Vaçja prerë. Ashtu bëra, zgjodha të ruaja krenarinë time dhe mendoj se Kopi e mori mesazhin e duhur.

 

Ju e keni nisur me operën “Mrika”; rol tepër i vështirë për një nisje, apo jo?

Ne kishim program dhe përgatitje që na mundësonte menjëherë, të ishim gati për role të rëndësishme. Ishte fat i jashtëzakonshëm për mua, që pata atë rol. Është vërtetë shumë i vështirë. Nuk ishte nga ato premierat që të bënte bujë, por kishte rëndësi për kritikën e rrethit artistik, që më uruan shumë, - si mua, edhe bashkëshortin tim, - duke u shprehur se jo shumë soprano e kanë arritur. Marie Kraja e cila kishte teknikë të përsosur, Nina Mula të cilën do ta quaja një soprano të mençur e një ose dy të tjera më pas, kur u hoq nga repertori.

Pse mendoni se keni lënë kaq gjurmë te publiku i çdo moshe dhe njiheni si soprano më e njohur shqiptare?

Ndoshta jetëgjatësia në skenë, sepse janë mbi 34 vite në role solistike në TKOB dhe me qindra koncerte dhe etyde në aktivitete të ndryshme. Rëndësi ka pasur edhe media, pavarësisht se fatkeqësisht unë kam pak filmime të koncerteve të mia. Unë kam ardhur në opera në janar 1975, dhe kam qenë aty deri në vitin 2009, ndërsa interpretimin e fundit e kam në vitin 2014, në Tetovë.

Pas mbarimit të Akademisë, ju shkuat direkt në Teatrin e Operës dhe Baletit, soprano?

Jo, unë kam qenë mësuese në Liceun Artistik. Pikërisht nga xhelozia e bashkëshortit, i cili absolutisht nuk donte që unë të shkoja në opera. Unë isha më e qetë të jepja mësim në Lice. Në atë kohë, kisha shumë presion nga miq e kolegë që të shkoja në Opera, aty ku kisha talentin. Por ja që një fletërrufe u bë sebep që gjërat të rridhnin ndryshe. Ishte një fletërrufe mbi faktin se unë kisha ikur nga një mbledhje e Bashkimeve Profesionale, djali ishte pak muajsh. Në atë kohë, fletërrufeja ishte një fakt tepër i rëndë. Kjo gjë u bë sebep, që unë të bëja konkursin për të hyrë në opera. Pra, ishte një e keqe e cila më çliroi. Rroftë fletërrufeja! Në janar 1975, hyra në teatrin e Operës dhe Baletit. Kësaj i shtohet edhe përvoja si Drejtoreshë Artistike në kohën kur drejtonte Zana Çela dhe më pas Zhani Ciko.

Ju keni qenë pedagoge e jashtme në Akademi, që në moshën 29-vjeçare. Sot, çfarë mendoni për këtë institucion nga ku ju vetë dolët?

Ishte kërkesë e kohës që unë, pavarësisht se kisha fëmijë të vogël dhe isha në opera, të kisha edhe mësimdhënien paralel. E deri më sot, që jam Profesor i Associuar, vazhdoj ende me pasion të mbaj veten të lidhur me Akademinë. Por situata sinqerisht, është mjaft ndryshe nga koha kur unë isha studente. Ende nuk e kam të qartë se, cilat janë kriteret që vlerësohen sot, si të domosdoshme për mësimdhënien në këtë fole të artit. Di që, dikur, kriteret kanë qenë të rrepta. Por problematika fillon nga shkolla e mesme, pra Liceu, ku nxënësit kanë vakuume katastrofike, edhe p.sh., në solfezh, e ky zinxhir vazhdon sigurisht më pas.

Më kujtohet se në vitin 1989, m’u kërkua të shkoj si pedagoge e brendshme në Akademi dhe për disa arsye, nuk shkova. Ndërkohë, në vitin 1998, kërkova unë të shkoja dhe nuk m’u pranua, m’u mbyll dera. E pra, isha po unë ajo, plus dhjetë vite përvojë. Ka pra paradokse në mësimdhënien e Akademisë dhe kriteret e saj, paradokse që kanë kosto tek nxënësit.

Pasioni juaj jashtë muzikës dhe kantos?

Shtëpia dhe rregullimi i saj. Jam një amvisë, jashtë skene, e cila dëshiron të ketë një mjedis sa më të bukur estetikisht dhe sa më të rehatshëm. Dikur përpiqesha me ato që ishin. Kujtoj shumë me dashuri, letrat e zonjave të ambasadorëve, me të cilat, ndër vite, kam pasur gjithmonë marrëdhënie. Kujtoj fjalët e tyre magjepsëse, kur më shkruanin pas ndonjë shfaqjeje, marr e i shfletoj kur dua të kujtoj kohët e shkuara. Kujtoj Fiqirete Shehun që më përgëzonte, pas “Il barriere di Siviglia”, duke gjetur fjalët e duhura që të mos keqkuptoheshin nga pushteti dhe më pas kujtoj që kur e dënuan, s’dija ku të fshihja kartolinën e saj, se mos ma gjenin. Kujtoj sa përshtypje më bënte shtëpia e ambasadorit anglez, në vitin e vështirë 1997, dhe si kërkova kudo për të gjetur e për të blerë detajet që kishte ajo. Ja, këto janë pasionet e mia, e bukura, në muzikë dhe jo vetëm.

Jeni nostalgjike për brezin nga vini?

Jam për përkushtimin që ka pasur nga studentë e pedagogë, për disiplinën, për vlerësimin e talenteve, për marrëdhënien mes brezave. Aq sa kishte diferencë, aq kishte edhe respekt. Për këto gjëra po, jam nostalgjike.

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: