Ekonomia shqiptare, ndër më të shpejtat në rajon

Ekonomia shqiptare, ndër më të shpejtat në rajon
Ekonomia shqiptare mund të ketë problemet e saj, porse ajo po rritet më shpejt se shumë nga vendet e tjera të rajonit të cilit ajo i përket. Të paktën kështu konfirmon Banka e Shqipërisë, sipas së cilës nga viti në vit, ekonomia shqiptare figuron me rritjen më të lartë, duke u parakaluar vetëm nga Kosova. Konkretisht, ajo konfirmon se rritja ekonomike për vendin tonë sivjet ka qenë në nivelin prej 4.1%, kurse ajo e Kosovës arrin deri në nivelin prej 4.6%. “Aktiviteti ekonomik në Kosovë shënoi një rritje të shpejtë në tremujorin e dytë, me kontributin pozitiv të investimeve dhe të eksporteve neto”, sqarojnë ekspertët bankarë. Duke shtuar më tej se në tërësi “ekonomitë e rajonit kanë rezultuar me rritje në tremujorin e dytë të vitit”, por sipas tyre vetëm Maqedonia përbën një përjashtim”. Ku për këtë të fundit, japin madje një shifër negative të ecurisë së saj, deri në nivelin prej -1.3%. “Ekonomia e Maqedonisë u tkurr në tremujorin e dytë të vitit, pasi situata e paqartë politike ndikoi në dekurajimin e investimeve, të cilat u zvogëluan me ritme të shpejta, sidomos në sektorin e ndërtimit dhe atë të prodhimit industrial. Efekti negativ është ndjerë edhe tek ecuria e eksporteve. Në kahun pozitiv, shpenzimet konsumatore e ato qeveritare janë rritur, duke dhënë kontribute të ulëta pozitive në rritjen ekonomike”, thuhet konkretisht nga Banka e Shqipërisë për ekonominë e këtij vendi fqinj. Dhe ndërsa vijojnë krahasimin e tyre mes vendeve të rajonit, ekspertët marrin më tej si shembull edhe Serbinë, për ekonominë e të cilës thonë se ajo po ecën me ritme mjaft të ngadalta, konkretisht në nivelin prej 1.3%. Duke vënë përballë saj ndërkaq, si shembull edhe një shtet tjetër, i cili po ecën me ritme të larta ekonomike, deri në nivelin prej 5.1%, Turqinë. “Ekonomia e Turqisë u rrit me ritme të shpejta edhe në tremujorin e dytë të vitit. Mbështetësi kryesor i kësaj rritjeje kanë qenë investimet, të cilat janë zgjeruar me ritme të shpejta, kryesisht si pasojë e zhvillimeve në sektorin e ndërtimit. Eksportet janë përmirësuar gjithashtu, ndërsa shpenzimet konsumatore kanë ngadalësuar ritmet e rritjes”, pohojnë ata lidhur me këtë shtet. Për të përfunduar me faktin se “ekonomitë e rajonit, ku bën pjesë edhe Shqipëria, në 2017-ën pritet të rriten me ritme më të larta se një vit më parë, duke u mbështetur në kërkesën e brendshme dhe ecurinë pozitive në vendet e Eurozonës”.

Greqi e Itali, partnerët kyçë me ritme pozitive

“Ekonomitë e vendeve partnere tregtare të Shqipërisë, Italia dhe Greqia kanë shënuar rritje pozitive në tremujorin e dytë të vitit, në linjë me momentin pozitiv të Eurozonës”. Ky është një konfirmim tjetër që ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë dhënë lidhur me dy vendet, me të cilët aktualisht vendi ynë kryen shkëmbimet më të mëdha tregtare, por në të njëjtën kohë, numëron edhe nivelin më të lartë të investimeve të huaja që burojnë prej tyre. Për të argumentuar në njëfarë mënyre rritjen e lartë ekonomike që vendi ynë mban edhe këtë vit. Kjo edhe pse, ekspertët e bankës qendrore shtojnë se “gjithsesi, normat e rritjes ekonomike në Greqi, por edhe në Itali, janë nën nivelin mesatar të rajonit”. “Në Itali, shpenzimet konsumatore, ato qeveritare dhe investimet kanë kontribuar pozitivisht në rritjen agregate, ndërsa eksportet neto kanë ndikuar në kahun e kundërt. Në Greqi, investimet janë tkurrur, por rritja e shpenzimeve konsumatore e atyre qeveritare dhe eksporteve neto ka ushqyer rritjen ekonomike”, saktësojnë ata lidhur me ekonominë e secilës prej tyre. Për të shtuar në të njëjtën kohë se inflacioni në të dy këta vende partnerë tregtarë të njohur të Shqipërisë, ka shënuar vlera në ngadalësim dhe nën mesataren e Eurozonës, në tremujorin e tretë.

Eurozona, ekspertët pranojnë se ekonomia sivjet ka fituar shpejtësi

“Rritja ekonomike në Eurozonë ka fituar shpejtësi në tremujorin e dytë të këtij viti, teksa Prodhimi i saj i Brendshëm Bruto u rrit me nivelin prej 0.6%”. Ky është konfirmimi që ekspertët e Bankës së Shqipërisë japin për ekonominë e vendeve të monedhës së përbashkët, euro. Duke saktësuar se kjo zonë, tashmë është duke përjetuar një moment mjaft të mirë të ecurisë së saj, pas një periudhe të errët që e shoqëroi atë gjatë viteve të fundit. “Kushtet e favorshme të financimit dhe përmirësimi i treguesve të punësimit pritet të nxisin konsumin dhe gjallërimin e investimeve”, argumentojnë ata. Duke shtuar në këtë kuadër, se gjithashtu, forcimi i rritjes ekonomike botërore dhe përmirësimi i kërkesës së huaj të Eurozonës pritet të mbështesin aktivitetin ekonomik. “Inflacioni ka shënuar rritje në 1.5% në muajt gusht dhe shtator nga 1.3% që ishte në muajt qershor edhe korrik”, shtojnë ekspertët.

KRAHASIMI

Në tërësi, për ekspertët, ky vit duket se ka qenë një kohë e mirë për ekonominë botërore në tërësinë e saj. “Ajo ka vazhduar të zgjerohet me ritme të qëndrueshme”, citojnë ata. Duke sqaruar se “treguesit paraprakë ekonomikë për muajt korrik, gusht dhe shtator shfaqen pozitivë dhe mbështesin forcimin e rritjes ekonomike në gjysmën e dytë të vitit”. Për ta argumentuar këtë më faktin se treguesi i prodhimit, por edhe ai i ekonomisë si i tillë, në këta muaj kanë shënuar vlera mbi mesataret e tyre afatgjata, duke sinjalizuar rritje të mëtejshme në sektorët prodhues dhe ata të shërbimeve në botë. Por nga ana tjetër, ekspertët pranojnë edhe rrezikun e çmimeve të larta. “Inflacioni ka regjistruar rritje në muajt korrik dhe gusht, ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të energjisë”, citojnë ata lidhur me një fakt të tillë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: