Elinara Shehu: Muzika është hyjnore, ne jemi thjesht lajmëtarët e saj

Elinara Shehu: Muzika është hyjnore, ne jemi thjesht  lajmëtarët e saj
Kur u takuam e pimë një kafe bashkë, koha jonë u rikthye aty ku e kishim lënë. Elinara Shehu, një bionde natyrale, me sy të kaltër si dy pasqyra, me veshje lëkure, xhinse të grisura, vëthë e byzylykë, buzë vishnje e një zë ledhatar, por vetëm në dukje. Ishte aq e rrallë dhe e guximshme të visheshe ashtu në ato vite, sa që, realisht, ktheheshin me dhjetëra koka kur Elinara kalonte në parkun Rinia. Në kujtesën time, ajo është vajza e parë që doli në skenën e festivalit me një këngë pop-rrok, ndanim të njëjtin pasion dhe kemi shkelur Shqipërinë pëllëmbë për pëllëmbë me koncerte. Ndaj u gëzova kur e pashë sërish në skenë, me të njëjtën grinte dhe dinamikë. Vajzat i janë bërë shoqe, por Elinara Shehu se ku e gjen atë forcën, që në fakt e ka i gjithë brezi ynë, për të mos u përkulur ndaj asgjëje. Vjen në një rrëfim mjaft intim për Albanian Free Press, këngëtarja e lidhur shpirtërisht me të bukurën e që gjen prehjen vetëm tek ajo.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Je, në kujtesën time, interpretuesja e parë e muzikës alternative dhe rrok në Shqipëri. Nga erdhi ky pasion?

 

Pasioni për muzikën ishte i rrënjosur prej fëmijërisë. Unë jam e mendimit se muzika ka lindur bashkë me mua. Pa i takon përzgjedhjes së rrymës, ka të bëjë me ndikimin e viteve ’90, kjo muzikë ishte gjithëpërfshirëse në përditshmërinë e bashkëmoshatarëve të mi, por dhe pjesë e  natyrës time, mendoj. Këtë njeriu e vërteton me kalimin e moshës, sepse asgjë nuk është e rastësishme. Natyra ime e gjente frymëzimin qysh në atë kohë, tek natyra, mistikja dhe e panjohura. Për masën, të ishe rrok alternative... underground, ishte disi e pakuptueshme, por për pakicën ose për dashamirësit e asaj rryme, ishe super cool dhe të them të drejtën, për kohën e atëhershme, të ishe ndryshe nuk ishte aspak e lehtë, por për mua, që gjithmonë më ka tërhequr e pamundura, ishte gjetje. Unë isha thjesht vetvetja dhe pse ndoshta e padeshifruar për shumicën....

 

Je autodidakte në këngë dhe muzikë; ke pasur përkrahje në fillimet e tua nga artistët më me përvojë dhe kë do kujtoje?

 

Jam autodidakte, pasi nuk kisha shanse në kohën e diktaturës që një fëmijë me prejardhje të deklasuar ose armiku i klasës, të fitonte të drejtën e studimit në një shkollë siç ishte Liceu apo Akademia e Arteve. Në gjuhën e popullit ose të brezit tim, unë isha mbesë kulakësh ose mbesë bejlerësh dhe aso kohe, shihesha si delja e zezë, Këtë e kuptova në tetëvjeçare, kur ngrija dorën në mësim dhe asnjë mësues nuk donte të dëgjonte, nëse kisha mësuar apo jo. Në fillim mërzitesha, por më vonë dhimbjen e ktheva në forcë dhe ngushëllimin e gjeja të muzika. Këndoja dhe këndoja pa fund, që të zbukuroja sado pak botën time fëmijërore. Kam qenë me fat që familjen e kisha tejet të konsoliduar dhe avangardë karshi dëshirave të mia.

Pas viteve ’90 ndryshoi sistemi dhe u hap një portë dhe për ata të sojit tim, kulakët. Për fatin tim të mirë, konkurrova dhe fitova në një auditor të mbyllur, konkursin që organizohej në RTSH, për përzgjedhjen e zërave të rinj. Kështu m’u hap porta për të qenë në atë botë që e kisha ëndërruar qysh fëmijë. Pata mbështetjen e mjaft miqve, janë shumë vërtetë, Aleksandër Gjoka, Markeljan Kapedani, Alqi Boshnjaku, Gent Demaliaj, Bojken Lako, Genti Lako etj., etj., dhe përtej besimit që më dhanë, ne ishim miq shumë të mirë.

 

Në ato vite, vitet ’90, shquheshe për veshjen tënde, xhupat e lëkurës, kambalet, xhinset e grisura. Si arrije t’i gjeje ato veshje?

 

Mamaja ime ishte stiliste dizenjuese dhe që bebe kam qenë e veshur ndryshe nga bashkëmoshatarët. Më pas, në vitet ’90, motra ime emigroi në Itali. Kështu që kisha përsëri shansin të kombinohesha me veshjet që mamaja më dizenjonte, por dhe me ato që i porosisja motrës. Unë jam rritur me  punën e mamasë. Fëmijët e tjerë luanin në rrugë, ndërsa unë qysh e vogël, vishja kukulla në dhomën e provave të klienteve që kishte mami dhe ndërtoja gradaçela me kutitë e brisqeve Astra të tim eti. Kujtoj se asnjëherë nuk kam qenë një fëmijë i zakonshëm, kështu që dhe veshja besoj, lidhet me fëmijërinë time.

 

Edhe sot, ti shquhesh për stil të veçantë në veshje. Është një nga pasionet e tua?

 

Pikërisht, veshja është një pasion të cilin, për fat të keq, nuk pata mundësi ta përdorja për ta shfrytëzuar si profesion. Por të jesh e bindur, e dashur, që nëse do ta ushtroja, stilistet e sotme më në zë, do të më kishin pasur frikë, ha ha ha ha...

Sa kanë marrë nga pasioni yt, vajzat e tua. Si janë marrëdhëniet mes jush, u flet për artin?

 

Vajzat të dyja, e adhurojnë artin, në përgjithësi, për fat të keq. E them këtë, pasi artist në Shqipëri do të thotë fatkeqësi. Të më falin ata që janë tregtare-artistë, se nuk e kam fjalën për llojin e tyre, e kam fjalën për ata artistë që nuk bëjnë kompromise me shpirtin. Edhe nëse nuk ju flas për art, çdo gjë në shtëpinë tonë modeste, ka lidhje me artin, shoqërohemi nga piano, kitarë, bateri, libra, piktura, fashion style by me. Ne nuk shohim TV, nuk ndikohemi nga turma dhe as nga politika. Ne jetojmë në një botë që e kemi krijuar sipas karaktereve tona. Karakteret e vajzave dhe imi nuk mundet të njësohen me çfarë ka përreth. Ne thjesht përshtatemi me realitetin, por nuk bëjmë kompromise me boten tonë. Me vajzat jam shoqe, sepse u rritëm bashkë. Ndjejmë dhimbjen dhe gëzimin e njëra-tjetrës, në çdo rast. Në kohën kur unë u bëra me fëmijë, moshataret e mia kanë qenë me pushime, kurse unë pjesën më të bukur të jetës, ia përkushtova dashurisë për to. Marrëdhënia jonë kalon çdo lloj hamendësimi dhe do të mbetet thjesht unike, hyjnore dhe e patjetërsueshme!

 

Dy këngë me Kastro Zison, dy suksese. Pse mendon që ju përshtateni kaq mirë?

 

Bashkëpunimet me Kastron, vijnë për pasojë të natyrave që kemi. Nuk është rastësi, ka qenë e shkruar. Unë nuk besoj tek rastësia, tek fati po. Ne ngjajmë pak në disa koncepte, kërkojmë të dy të pamundurën, drejtësinë dhe besoj se jemi nga ata artistë që në këtë botë, duam të lëmë një mesazh, muzika është hyjnore, ndaj bashkon shumë njerëz. Ne jemi thjesht lajmëtarët e saj, lum kush do dijë të na deshifrojë.

Lexova diku për poezitë që shkruan. Kur lindi ky pasion? Më trego diçka më shumë, se përse shkruan Elinara, ku frymëzohet dhe kur do të lexojmë një përmbledhje të këtyre poezive?

 

Poezia është pasion i vonë dhe që më  ka ardhur si dhuratë. Kështu e konceptoj, pasi deri para 4 vitesh, nuk më kishte ndodhur të shkruaja. U kujtova para ca kohësh se, diku nga mosha 7-vjeçare, kam shkruar diçka, por e kisha fshirë nga kujtesa. Nuk jam poete, por shkruaj kur ngacmohem nga ndjesi të ndryshme. Janë vargje që më lindin natyrshëm, në momente të caktuara dhe të rralla. Janë miqtë e mi që më ngacmuan me idenë e botimit të një libri, që nuk di të them me saktësi kur del, e dashur... Mos harro faktin që jetojmë në Shqipëri dhe përkushtimi, edukata dhe korrektësia ndaj punës, ekziston vetëm 20% tek të gjithë ne.

 

Je gjithmonë në formë, me linja të pandryshuara, edhe pse je nënë e dy vajzave. Si ia del të ruash këtë formë?

 

Jam me fat që ha gjithçka, në çdo orë dhe çdo ushqim, falë metabolizmit, vetëm se qysh fëmijë, kam pasur si ves të haja shpesh e nga pak. E dua detin, natyrën, diellin pafund dhe notoj e marr ajër të pastër ku të mundem. Kurrë nuk i kam kursyer vetes kënaqësinë e të shijuarit.

Gatuan mirë dhe a të ndihmojnë vajzat në kuzhinë?

 

Tani, pas kaq vitesh, gatuaj të lëpish gishtat. Kur isha tek mamaja, nuk dija të bëja një vezë, sepse isha fëmija i fundit, në fakt, e përkëdhelur dhe profesioni që kisha nuk me lejonte t’i dedikohesha ushqimit... Pasi u bëra me fëmijë, mësova t’i gatuaja të gjitha, por kam një defekt, sot e kësaj dite, nuk gatuaj dot pa muzikë, sepse kur gatuaj dua dhe të kërcej.

 

Të kam ndjekur në rrjetet sociale, ke pasur pushime të larmishme. Je natyrë që të pëlqen aventura dhe natyra?

 

Më pëlqen aventura, por jo pa siguri, kështu që para se të nisem, i marr masat. Unë pa natyrën nuk kam jetë, adhuroj çdo element të saj, gjethet, pemët, lulet, detin, malin, fshatin, zogjtë, bimët, kafshët... Udhëtoj shpesh dhe kur s'janë fëmijët, udhëtoj  vetëm. E dua vetminë time, sepse ndihem një me natyrën, e shijoj dhe pikën e shiut, dhe vesën e mëngjesit, dhe lindjen e diellit, në maksimum. Shumica e njerëzve nuk i bëjnë dot këto të pashoqëruar, unë po... madje, mrekullisht shijoj siç dua aventurën time.

 

Ku e gjen prehjen tënde shpirtërore?

 

Prehja ime shpirtërore ka të bëjë me pyetjen më sipër, tek gjithçka ka lidhje me natyrën, më bën të ndihem mirë... dielli, deti... Unë jam vajzë deti. Kur jam pranë tij, humbas dhe ndihem në paqe, dashuria për njerëzit e mi të dashur, më jep bekimin e çdo dite që jetoj.

 

Ke nostalgji për periudhën e koncerteve të mëdha të viteve ’95 e tutje, kur sallat mbusheshin plot? Pse sot, kjo mungon?

 

Për vitet ’90, nostalgjia do të mbetet e pashmangshme si për çdo njeri që ndoshta, një farë kohe, kujton vitet e asaj moshe të çiltër e për më tepër, për mua që gjurmët dhe kulmin e karrierës time, e pata në ato vite. Por njeriu vazhdon të ecë përpara me kohën, akoma më mirë, kur ka kujtime mbresëlënëse.

Nuk mundet të funksionojë më, si në ato vite, pasi ndryshuan kohërat, sistemi, muzika, interesat, biznesi. Çdo gjë ka lidhje me sistemin dhe mënyra e menaxhimit të artit tek ne, lë për të dëshiruar, është temë shumë e gjatë... ndaj më mirë ta lemë me kaq!

Besnike e muzikës që ke kënduar qysh në nisje. Pse?

 

Nuk e di në jam besnike apo jo, pasi kam lëvruar në disa rryma... rrok, pop, alternative underground..., por gjithçka ka të bëjë me mua, brenda krijimit duhet të jem unë, Elinara. Me një specifikë të patjetërsueshme, që do të thotë se unë nuk bëj kompromis me shpirtin, që në rastin konkret është dashuria për këngën. Ndaj preferoj që njerëzit të më mbajnë mend për atë që jam dhe jo për atë që do donin të isha.

 

Je një nënë konservatore apo liberale? Do të doje që një nga vajzat e tua të bëhej këngëtare?

 

Jam prind si gjithë të tjerët, por konservatore kurrsesi. E dua lirinë e mendimit, veprimit, zgjedhjeve po aq sa do të doja të kenë fat, ta duan dhe jetojnë edhe fëmijët e mi. Kam bërë një punë kolosale, duke iu shpjeguar se cila është e mira dhe e keqja, të jenë me këmbë në tokë, të kuptojnë që jeta është betejë e cila duhet përballuar me kurajë, pasi ka ditë të mira siç ka dhe të këqija, por pa tjetërsuar veten për asgjë dhe askënd në botë!

Do të doja që ato të ndjekin ëndrrat e tyre dhe jo të miat, zgjedhja i mbetet atyre.

Me stilin e shtëpisë tënde, je marrë vetë?

 

Në shtëpinë time çdo gjë është vendosur nga unë, por dhe vajzat... pasi nuk do t’i besoja shijes së kurrkujt për një ambient si shtëpia... E konsideroj oaz shpirtëror!

 

Cilat janë planet e tua për këngën?

 

Për këngën mbetet për t’u parë, nëse frymëzimi vjen dhe është i duhuri, do ta realizoj. Nëse jo, nuk kam kohë të eksperimentoj.

 

Ti vetë, çfarë muzike dëgjon; p.sh., në makinën tënde kur udhëton?

 

Jam njeri shumëdimensional dhe për pasojë hulumtoj dhe dëgjoj zhanre të ndryshme që të udhëtoj në kohë. Kjo varet në bazë të gjendjes shpirtërore.

 

Ke mikesha të ngushta, nga ato që njeriu i ka në krah, prej një jete?

 

Kam mikesha të hershme, ato që i kam njohur prej një jete, por dhe ato jetojnë jashtë kufijve. Jemi në kontakt dhe sa herë ato vijnë, koha ndal si dikur. Kam dhe miq meshkuj që tërë jetën më kanë dashur me pastërti. I kam të rrallë miqtë dhe pse të pakët, por jam me fat që i kam!

 

Nëse del ndonjëherë në darkë, çfarë muzike preferon të dëgjosh dhe a e gjen veten në jetën e natës në Tiranë?

 

Në jetën e Tiranës, nuk para e gjej veten. Ato pak vende ku luhet muzikë e vërtetë, janë të përsëritura dhe nëse shkon dy tri herë, duket sikur koha ka mbetur vend numëro. Jam natyrë që dua të eksploroj dhe këtë mundem ta ndjej vetëm kur dal jashtë Shqipërisë. Preferoj të dal me miq e mikesha para një gotë vere dhe një bisedë me vlerë, se sa të humbas atë çfarë është e shtrenjtë, pra, pikërisht kohën!

 

Si e shikon të ardhmen dhe ku e shikon ose ëndërron të jesh nesër?

 

Të ardhmen e shoh aty ku do më lidhë diçka shpirtërore, pranë diellit, ha ha ha përtej ëndrrave... me Shqipërinë më lidh natyra, por jo njerëzit; më lidh gjaku..., por jo realiteti; më lidh dashuria për këtë tokë, por jo brenga që më shkakton edukimi i keq... dezinformimi ..., tjetërsimi i historisë..., burokracia..., meritokracia..., fukarallëku ..., babëzia..., heshtja karshi dhimbjes që këtij populli i shkaktohet..., plaçkitja shpirtërore e materiale që i bëhet brez pas brezi..., por më shumë më dhemb injoranca, pasi e keqja më e madhe e njerëzimit vjen prej saj. Pra do të doja të ardhmen time, por më tepër të fëmijëve të mi, ta shihja në një vend ku injoranca mos të ekzistonte me doza kaq të mëdha e nëse do zgjatesha pak këtu, të gjitha fetë na kanë lënë gjurmë mesazhesh, vetëm që njeriu të hapë sytë e mos të bjerë prè e injorancës. Nëse do ta kishim kuptuar këtë, do kishim deshifruar çdo fatkeqësi që vjen prej saj...!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: