Eurostat: Lejet e qëndrimit, shqiptarët të parët në Greqi dhe të tretët në Itali

Eurostat: Lejet e qëndrimit, shqiptarët  të parët në Greqi dhe të tretët në Itali
Greqia vazhdon që të jetë ende vendi anëtar i Bashkimit Evropian më bujar për Shqipërinë, sa u përket lejeve të qëndrimit që u akordon qytetarëve të saj. Një dukuri të tillë e konfirmojnë edhe të dhënat më të fundit të Institutit Evropian të Statistikave. Sipas tyre, rezulton se janë pikërisht shqiptarët, të parët në listën e shtetasve nga vendet jo-anëtare të BE-së që kanë përfituar një leje qëndrimi për në shtetin helen gjatë vitit të kaluar, 2016. Konkretisht, Eurostat pohon se janë plot 30.958 të tilla, që autoritetet greke i kanë akorduar ndaj qytetarëve të vendit tonë. Shifër kjo, e cila përkthehet nivelin prej 70.2% të totalit të të gjitha lejeve të qëndrimit, të lëshuara vjet në Greqi, rreth 44 mijë të tilla. Duke lënë pas qytetarët e Gjeorgjisë, të cilëve vjet u janë dhënë 1.408 të tilla, ose 3.2% e totalit. Por edhe komunitetin kinez në Greqi, të cilët kanë mundur që vitin e kaluar të përfitojnë vetëm 1.248 leje, ose vetëm 7.7% e totalit. Nga ana tjetër, për nga niveli i lejeve të qëndrimit të përfituara në territorin e Bashkimit Evropian, shqiptarët kanë edhe një vend tjetër ku duket se janë më të dëshiruar, pas Greqisë. Fjala është pikërisht për Italinë, e cila i rendit ata të tretët në listë, për nga numri i lejeve të qëndrimit të akorduara ndaj tyre, saktësisht me 17.167 të tilla, duke zënë rreth 7.7%. Po aq sa leje u janë dhënë kinezëve në Greqi. Duke u parakaluar nga qytetarët e Nigerisë, të cilëve u janë dhënë 20.562 të tilla, ose 9.2% e totalit; apo ata të Marokut me 17.257 leje, ose 7.8%. Ndërkaq, përveç Greqisë dhe Italisë, dy vendet me të cilat Shqipëria përveçse një miqësie tradicionale, nivel të konsiderueshëm shkëmbimesh ekonomike, por në të njëjtën kohë edhe një prani të lartë të emigrantëve shqiptarë që jetojnë në territorin e tyre, këta të fundit nuk rezultojnë se kanë përfituar kaq shumë leje qëndrimi sa në to, në ndonjë vend tjetër anëtar të Bashkimit Evropian. Ndërkaq, në tërësinë e tyre vendet e BE-së raportohet se gjatë vitit të kaluar kanë lëshuar rreth 3.4 milion leje qëndrimi për të ashtuquajturit “ekstra-komunitar”. “Një numër rekord ky po t’u referohemi të dhënave të krahasueshme që janë në dispozicion nga viti 2015, saktësisht 735.000 më shumë të tilla, ose me një rritje prej 28%”, citojnë ekspertët Institutit Evropian të Statistikave (Eurostat).

Ukrainasit, ata që përfitojnë më shumë leje nga të gjithë brenda territorit të BE

Qytetarët nga Ukraina vlerësohet të jenë më të shumtët në numër, për nga niveli i lejeve të qëndrimit që vendet anëtare të Bashkimit Evropian u akordojnë, krahasuar me të tjerët që s’janë shtetas të tyre. Eurostat jep për ata shifrën prej plot 588.900 përfituesish të një leje të tillë, ku vetëm në Poloni ata thuhet se zënë rreth 87% të totalit të akorduara për “ekstra-komunitarët”. Ndërsa pas ukrainasve, janë sirianët, ata që zënë vendin e dytë lidhur me një tregues të tillë, me 348. 100 leje qëndrimi të akorduara gjatë vitit të kaluar, 2016. Nga ana tjetër, Eurostat sqaron se arsyeja kryesore për të cilën vjet është  një leje qëndrimi ka qenë ajo “për arsye të tjera”, deri në 64% e totalit të tyre. Kurse “për arsye punësimi” deri në 21%; “për arsye familjare” 23.2% dhe “për arsye arsimi” 23.2%.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: