“Firo” kosovarësh, s’na vijnë më për pushime

“Firo” kosovarësh, s’na vijnë më për pushime
“Dikur ata i prenotonin dhomat e hotelit që në fillim të muajit maj. Kosovarët m’i mbanin plot deri në fund të sezonit. Kurse sivjet, pati dhoma bosh...”. Kështu rrëfen për “Albanian Free Press”, pronari i një hotel-restoranti tek Ura e Dajlanit në bregdetin e Durrësit, i cili zotëron edhe një pjesë plazhi privat para tij. Por Lulzim Metallia, paraqet në të njëjtën kohë shqetësimin se të ardhurat që ka siguruar kësaj vere nga aktiviteti i tij privat kanë qenë më pak se gjysma e atyre të mbledhura gjatë sezonit të kaluar turistik. Dhe gjithçka e lidh me pakësimin e pushuesve nga Kosova, pasi sipas tij çmimet nuk kanë ndryshuar aspak. Pikërisht me dukurinë, të cilën e kanë konfirmuar së fundmi edhe të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave, sipas të cilave rezulton se gjatë këtij viti ata kanë qenë jo pak, por -21% më pak në numër sesa sezoni i vitit të kaluar. E thënë ndryshe, një në pesë kosovarë tashmë nuk zgjedh më Shqipërinë për pushime. Konkretisht, në shifra, nëse vitin e kaluar, për muajt janar-tetor në Shqipëri erdhën rreth 2 milionë pushues nga Kosova, për të njëjtën periudhë të këtij viti kjo shifër ka qenë rreth 1.6 milionë të tillë. Një rënie e dukshme kjo, e cila ka vijuar muaj për muaj, ku vetëm për atë të fundit, tetor, ka rezultuar në 0.4%. Sipas ekspertëve të turizmit, për një trend i tillë sivjet mund të kenë ndikuar edhe pengesat që iu bënë autobusëve me pushues nga Kosova për të hyrë në plazhin e Durrësit. Çështje kjo e cila krijoi një debat të madh mes palëve. Por në të njëjtën kohë edhe periudha e muajit të Ramazanit, apo dhe ajo e zgjedhjeve të përgjithshme të cilat u mbajtën në 25 qershor. Megjithëse këto të fundit kanë ndodhur edhe herë të tjera, e megjithatë nuk është se kanë krijuar një “firo” të tillë të pushuesve nga Kosova. Mesa duket, sipas ekspertëve, me ta mund të ketë ndodhur edhe një “ngopje” me turizmin shqiptar tashmë, të sprovuar për vite me radhë, duke u vënë tashmë në kërkim të eksperiencave të tjera, pse jo edhe të ofertave më të favorshme që shfaqin vendet e tjera të rajonit, sidomos Greqia. Gjë e cila në fakt, nuk duket se ka ndodhur për shembull me pushuesit nga Maqedonia në plazhet shqiptare, të cilët kanë rezultuar me rritje. Konkretisht, për këtë vit, ata kanë shënuar një nivel rritës jo të vogël, por deri në 14%. Ku vetëm për muajin e kaluar, shtimi i vizitorëve të këtij vendi drejt vendit tonë ka patur një shtim prej 34%. Respektivisht, në 58.7 mijë vizitorë, nga vetëm 42.7 mijë që erdhën prej Maqedonisë në territorin e Shqipërisë gjatë tetorit të vitit të kaluar, 2016.

 

“Boom” turistësh polakë, sivjet rritje deri në +75%

Për ata mund të thuhet se kanë shënuar një “boom” të vërtetë gjatë këtij viti. Fjala është për pushuesit nga Polonia, me një rritje deri në nivelin prej 75% të tyre për periudhën e muajve janar-tetor 2017. Konkretisht, në shifra, ata arritën deri në 113 mijë të tillë përgjatë saj, nga vetëm 65 mijë të tillë që ishin për të njëjtën periudhë gjatë vitit të kaluar. Ku rreth 10 mijë të tillë u shënuan vetëm në muajin tetor të këtij viti, duke treguar në këtë mënyrë se kjo kategori pushuesish kanë njohur një rritje të konsiderueshme gjatë këtij viti. Dhe siç thonë vetë përfaqësues të agjencive të ndryshme turistike në vend, një fakt i tillë ka ardhur pikërisht për arsye se agjencitë turistike të këtij vendi kanë bërë një promocion të fortë ndaj vendit tonë. Por nga ana tjetër, ka edhe shtetas nga vende të tjera të Evropës kryesisht, të cilët e kanë zbuluar tashmë vendin tonë si një destinacion të favorshëm turistik dhe pikërisht për këtë arsye, e zgjedhin atë si vend për të kaluar pushimet e tyre të përvitshme. Të tillë mund të përmendim turistët gjermanë, por edhe ata nga Zvicra, të cilët për këtë vit shënuan një rritje deri në nivelin prej 50% në krahasim me vitin e kaluar.

 

Shqiptarët po preferojnë gjithmonë e më shumë që të dalin jashtë vendit

Që shqiptarët po preferojnë gjithmonë e më shumë që të dalin jashtë vendit të tyre, këtë e faktojnë edhe të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave. Sipas tyre, në tërësinë e tyre, ata kanë shënuar një shtim vizitash deri në nivelin prej 11.3% gjatë këtij viti. Ku vetëm gjatë muajit tetor të këtij viti, numri i tyre të dalë nga territori i Shqipërisë, ka qenë plot 430.505 të tillë. “Krahasuar me muajin tetor 2016, ky numër është rritur në nivelin prej 7.6%”, sqarojnë ekspertët e statistikave. “Ndërsa në tërësi, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në 10-mujorin e 2017-ës është 4.368.360, duke u rritur me nivelin prej 5.8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, citojnë gjithashtu ekspertët e statistikave.

VIZITAT

Të huajt që vijnë në Shqipëri, mbërrijnë kryesisht për qëllime personale. Ndërsa më pak, për pushime. Për të vijuar më tej listën për qëllime të tjera, siç mund të jenë edhe ato për trajtim shëndetësor apo edhe fetare. Konkretisht, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, rezulton se nga 4.5 mijë të huaj që kanë hyrë në vendin tonë gjatë periudhës së muajve janar-tetor 2017, gjysma e tyre e kanë bërë këtë për të kaluar pushimet. Ndërsa 460 prej tyre kanë ardhur posaçërisht në këtë vend për t’u trajtuar nga ana shëndetësore, apo 502 të tjera për qëllime fetare. Ndërkaq, të larta janë edhe vizitat ditore në vendin tonë, deri në 265 mijë të tilla gjatë këtij viti.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: