“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flasin Lasgushi, Mitrushi, Migjeni: Sa mirë që kryebashkiakët i kemi milionerë. Taulant Balla: Të fala, Silvios (Berluskonit)

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flasin Lasgushi, Mitrushi, Migjeni: Sa mirë që kryebashkiakët i kemi milionerë. Taulant Balla: Të fala, Silvios (Berluskonit)
"Antena Jashtë Familjes" ka marrë vesh që, shtatoret e shkrimtarëve Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli në Pogradec, nga dita e pardjeshme, kanë marrë një shkëlqim vezullues. Shkëlqimi nuk ka të bëjë aspak me motin, pasi siç na spiunoi i dërguari ynë në Poradec, moti këto ditë ka qenë i vrenjtur e aspak me diell. Vezullimi i këtyre shkrimtarëve ka ndodhur pasi kanë mësuar pasurinë e madhe të kryebashkiakut demokratikas të qytetit të tyre. (Bëhet llaf për kryebashkiakun që është aktualisht, jo të atyre që kanë drejtuar këtë qytet më përparë).

Gazetari ynë pranë Lasgushit, na spiunoi se, shumë mirë është ndjerë edhe pasardhësi i qenit të Lasgushit. Ai madje, sapo ka marrë vesh pasurinë e kryebashkiakut të qytetit ku jeton përmendorja e të të zotit të tij, nga gëzimi është larguar nga Lasgushi, në drejtim të bashkisë, e nuk është kthyer akoma.

Rubrika jonë ka mësuar gjithashtu se, edhe shtatorja e Migjenit në Pukë, ka ndritur nga kënaqësia, kur ka marrë vesh që kryebashkiaku i këtij qyteti, ka një pasuri të madhe. Edhe Luli i Vocërr që i rri pranë Migjenit, është parë i lumtur. Ndryshe nga qeni i Lasgushit, Luli që rri pranë Migjenit, nuk është larguar në drejtim të bashkisë. Si duket, nuk ka mundur të shkojë atje, për shkak të këpucëve të tij të shqyera.

I lëmë poetët në gëzimin e tyre dhe merremi me një hidhërim. Bëhet llaf për gjendjen e rënduar psikologjike të shokut Taulant Balla. Sipas mediave jo të kazanit, Lanti, këto ditë, është ndjerë mjaft keq. Arsyen e mësuam dje.

Lanti, figura numër dy e Partisë Socialiste, parti që filozofikisht mbron të vobektët më shumë se demokratikasit, doli dje në konferencë për shtyp, e bëri këtë dekllaratë:

"Kishin bërë një reportazh të ndyrë për Bulqizën".

Me këto llafe që kishte përdorur edhe udhëheqësi i partisë shoku Edi, e nisi deklaratën e tij, shoku Taulant Balla. Deklarata është shpërndarë dje, për mediat jo të kazanit dhe ka të bëjë me ngjarjen e rëndë që ndodhi në median e kazanit, përtej detit tonë Adriatik.

E kemi llafin për emisionin "Le iene", shfaqur në një televizion që për pronar ka Silvio Berluskonin. Ky program televiziv, në kronikën e tij përpara disa ditësh, shfaqi mjerimin në qytetin e Bulqizës në veçanti, e punën e fëmijëve në atë qytet, në përgjithësi.

Ja si vazhdon dekllarata e shokut Taulant Balla:

...Nëpërmjet burimeve tona përtej detit, kemi bërë të mundur të mësojmë se,  gazetarja që bëri atë kronikë, ishte shtyrë nga dy faktorë, të cilat po i bëjmë publike:

a) Gazetarja e kësaj kronike, ka një vëlla që ka një vilë në periferi të Milanos. Vilën e tij, gazetarja e programit, e viziton shpesh. Ne kemi mësuar se, kjo vilë ka si administrator një person nga Saranda. Ky sarandioti është martuar me një vajzë nga Tropoja.

Saliu, babai i Argitës, i ka thënë kësaj vajzës nga Tropoja, që t'i thotë burrit të saj nga Saranda, që ky t'i thotë pronarit të vilës, e ky t'i thotë gazetares, për të shkuar në Bulqizë, e për të nxirë realitetin atje. Ne mësuam se, ajo vajza nga Tropoja, e ka kushëri të katërt Saliun. Nuk është herë e parë që, Saliu përfiton nga këshërinjtë e katërt. Kujtojmë që, përpara disa ditësh, ky plak përfitoi nga këshëriri i pestë, që në detyrën e prokurorit, donte të arrestonte pa të drejtë, drurin tonë të jo të shtrembër, Saimirin.

b) Gjithashtu, shoku Sali, babai i Shkëlzenit dhe i Argitës, ka ndërhyrë edhe te Silvio, pronari i televizionit. Dihet miqësia a e Silvio Berluskonit me Saliun. Ky plak, për inat të udhëheqësit tonë, e kam llafin për të madhin Edi, kishte folur me plak Silvion, e së bashku kishin rënë dakord të sulmonin arritjet e qeverisë sonë, me pamje televizive të kohës së plak Saliut.

Ai, pra Saliu, babai i Argitës dhe i Shkëlzenit, i mbante këto pamje në arkivën e tij, ashtu siç ju mban bashkëpunëtorëve të tij, dosjet e bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit. Saliu ia ka dërguar këto pamje nëpërmjet e-mailit, nëpërmjet kompanisë së internetit të njërit që ka sulmuar pa shkak, udhëheqësin tonë, shokun Edi Rama.

Së shpejti, do t’ju sjellim fakte nga ky skandal. Ne do tregojmë punën e mirë të bërë në mbarë minierat e vendit tonë në përgjithësi, e asaj të Bulqizës, në veçanti.

Saliu, babai i Shkëlzenit dhe i Argitës, me këto makinacione që bën, jo vetëm që nuk do mund të na rrëzojë, por nuk do na lëkundë dot nga rruga e Rilindjes, që kemi nisur të vetëm, para dy muajve. Nuk ka forcë të na ndalë, Sali! Nuk mund ta bësh dot pis, apo siç i thonë në Labëri, nuk mund të na bësh dot kromë, as ti dhe as ata që vijnë nga përtej detit, me porosi prej teje dhe bëjnë reportazhe për kromin.

Eksportimi i kromit, tashmë bëhet i kontrolluar, nga Porti i Durrësit. Ne nuk jemi si ty Sali.

E pranojmë që shtimi i prodhimit dhe kamionëve me krom që shkarkohen në këtë port, ka ndikuar disi në uljen e vigjilencës revolucionare, në lidhje me kalimin e drogës. Ama, ta dish mirë, ti dhe ajo gazetarja e Silvios! Kurrsesi nuk mund të ulet kujdesi ynë ndaj Bulqizës"

Deklarata e shokut Taulant Balla, u mbyll me thënien: Të fala, Silvios!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: