“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Fatmir Xhafa(j): Unë u bëra shkak për puset e ujit...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Fatmir Xhafa(j): Unë u bëra shkak për puset e ujit...
Satirë

Antena Jashtë Familjes" vjen sot me zbulimin e një ngjarje me rëndësi mjaft të madhe ekonomike. E kemi llafin për vendosjen e taksës në puse. Bëhet llaf për puset e ujit, e jo të naftës. Dihet që këto të fundit nuk është se sjellin shumë lekë në buxhetin e shtetit. Ne kemi mundur të shtiem në antenë, bashkëllafosjen midis Kryeministrit dhe Ministrit të Rendit, shokut Fatmir Xhafa(j). Po e botojmë atë, pa i hequr asnjë pikë ujë:

Shoku Edi Rama: Hyr! Po hyr pra thashë!

Shoku Fatmir Xhafa: Përshëndetje Shef! Sapo mora njoftim nga Elbasani. Kanë kapur pranë një pusi në një pusî, 835 mijë euro, së bashku me...

Edi Rama: 835 mijë euro! Marshallah Fatmir! Në ç'pus i kapët?

Fatmir Xhafa(j): Në një pus, ku kishim ngritur pusī, afër Metalurgjikut.

Edi Rama: Kanë ngritur puse ata turqit në Metalurgjik? Mirë kanë bërë! Për momentin nuk kemi ujë që t'ju japim për ftohjen e metalit. Le të përdorin fundja pusin që kanë bërë vetë. Ma la porosi edhe Taipi, që t'i trajtoj mirë, kur e takova në Ankara. Thuaj Agaçit të përpilojë një VKM, që çdo pusi t'i vendoset një taksë. Si mendon ti Fatmir, sa t'ua u vëmë?

Fatmir Xhafa: Shoku Kryeministër! Unë nuk...

Edi Rama: Mirë e ke. Nuk merr vesh nga ekonomia. Kam Benin unë. Ja po marr atë, ta pyes: Beno! Kam Fatmirin këtu në zyrë... Jo mor burrë nuk më ka dorëzuar asnjë lek, akoma. Këtë tani e vendosa Ministër. S'ka bërë lekë për vete. Desha të të pyes, se ti merr vesh nga ekonomia: A të vendosim taksë për puset? Nëse po, sa ta vendosim?... Jo mor plak, nuk them për puset e naftës. Ato ja u kam dhënë shokëve të mi unë. Them për puset e ujit. Je dakord d.m.th.? Kur je ti, edhe unë dakord jam. Ty të kemi mjeshtër të ekonomisë tonë socialiste.

Fatmir Xhafa: Më falni shoku Rama, por...

Edi Rama: S'ke përse më kërkon falje Fatmir! U vendos! Shko i qetë. Çdo pusi që këtej e tutje do t’i vendoset taksë. E imagjinon ti Fatmiro! Vetëm prej një pusi pranë Metalurgjikut, u bënë 835 mijë euro.  Kushedi sa milionë do t’i futen buxhetit, në 25 mijë puse që ka gjithë vendi.

Fatmir Xhafa: Më falni shoku Rama, por... Desha të shpjegohesha.

Edi Rama: Nuk kam kohë për shpjegime, Fatmiro, se po më luan fiqiri nga "çështja Tahiri". Ti Agaço shëno aty vendimin: Puset e ujit duhet të taksohen!

Fatmir Xhafa: Pak më parë, thashë "gjetëm në një pusī". E kisha llafin që këto para i gjetëm në një postobllok që kishte ngritur policia. Mua nuk më pëlqen që të përdor fjalë në italisht. Ndaj në vend të fjalës "postobllok", thashë fjalën "pusï", me theksin te "i"-ja. Ju më keqkuptuat shoku Kryeministër, e menduat se bëhej fjalë për pusin e ujit.

Edi Rama: As Taulant Balla nuk i bën këto gafa, mer Fatmiro!

Fatmir Xhafa: S'dua të përdor fjalën latine "postobllok", Shef! Sidomos pas këtyre ngjarjeve që na bëri peshqesh Italia.

Edi Rama: Nejse Fatmiro...!

Ëngjëll Agaçi: Shef Edi, a ta gris vendimin që çdo pus uji duhet të paguaj taksë?

Edi Rama: Ke ndonjë pus uji ti kështu, në fshat?

Ëngjëll Agaçi: Jo Shef, ç'pus uji kam unë. Shyqyr që më le pak pjesë nga ai pusi në Ballsh. Deri në Kinë dhe madje në Tajvan e kam çuar lajmin që, më ke bërë nder të madh.

Edi Rama: E pra mo! Thashë se nuk ishe i kënaqur. Ti Fatmiro, nuk besoj se ke ndonjë pus?

Fatmir Xhafa(j).: Pus nafte? Jo, më duket.

Ëngjëll Agaçi: Mos ke, e nuk e di ku është...

Edi Rama:  Pusho ti! Pra u vendos. Pusi i ujit do formalizohet. Ne nuk mund të lëmë pa bërë shtet...

Disa orë pasi mundëm të kapnim me antenën tonë këtë llafosje, ne kontaktuam shokun Fatmir Xhafa(j). Muhabetin e pusit, nuk e hapëm. Ishte vetë ai që e hapi. Ne donim të dinim se përse policia kufitare greke kishte lënë në pritje, shqiptarët. Ja bashkëllafosja me të.

Antena: Përshëndetje shoku Ministër! Antena Jashtë Familjes jemi.

Fatmir Xhafa: Përshëndetje edhe juve! Po, flisni ju lutem!

Antena: Sapo morëm vesh që policia kufitare greke...

Fatmir Xhafa: Po e mora vesh edhe unë. Sapo i mora në telefon dhe i sqarova. Madje i sqaroi edhe shoku Ditmir, Ministri ynë i Evropës.

Antena: Çfarë i sqaruat? A mund ta dimë edhe neve, ju lutem!

Fatmir Xhafa: Kishin marrë vesh vendimin e Kryeministrit tonë, për taksimin e puseve. Ju ishte futur frika...

Antena: I ishte futur frika Greqisë nga Shqipëria! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për neve. Shumë faleminderit, shoku Ministër. Po përse ju ishte futur?

Fatmir Xhafa: Menduan se ne si qeveri do kërkojmë të taksojmë edhe "Pusin e Sulejmanit".

Antena: Ç'është ky pus?

Fatmir Xhafa: Është pusi, ku i ngritën pusî Çelo Mezanit. Që i këndohet edhe këngë. I siguruam që neve jemi për respektimin e kufijve dhe vendimi për puset, nuk do shtrihet përtej kufijve. Ne s'po e shtrijmë dot taksimin te puset e naftës këtu, o derman, jo më jashtë...

Shpërndajeni me miqtë tuaj: