“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Visho Ajazi: Mustaqet e Erdoganit nuk do ngatërrohen më, me ato të Sadamit...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Visho Ajazi: Mustaqet e Erdoganit nuk do ngatërrohen më, me ato të Sadamit...
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me një lajm të hidhur, nga i cili duhet që të gjithë të vëmë mend. Një personi i vodhën kosheret me bletë, që i kishte vendosur në fshatin Surrel.

Kujtojmë lexuesit e Antenës sonë që, ky fshat gjendet poshtë antenave të Dajtit.

Siç e dinë ata që e dinë, në këtë fshat, tashmë piktoresk, gjendet edhe shtëpia-bunker e shokut Edi Rama, Kryeministrit tonë.

Ne si rubrikë, me thënë të drejtën, në fillim menduam se mos bletët i mori dikush, e ia çoi Kryeministrit dhuratë, mirëpo pastaj ndërruam mendim. "E ç'i duhen Kryeministrit bletët! - tha një gazetare në redaksi. Ai ka bletë plotë në qeveri. Ka aq shumë, sa nuk di ku t'i çojë të vetat"

I këtij mendimi ishte edhe një vajzë tjetër gazetare, e cila tha që edhe nëse dikush ka patur mendim t'ia çonte Kryeministrit në shtëpi, nuk mund ta kryente kurrë këtë gjë, pasi Edi Rama nuk është përfolur kurrë që ka marrë si ryshfet, bletë.

Dikush tjetër tha që bletët nuk mund të futen kurrsesi në shtëpinë e shokut Kryeministër, pasi ajo është si një bunker ku rrinë vetmitarët. E si mund të futen, kur nuk kanë nga të futen, tha ky dikushi.

Ne si redaksi, ngushëllojmë të gjorin bletërritës për humbjen e tij, e herë tjetër mos të kujtojë se, duke qenë pranë një të madhi, është më i sigurt.

Madje e kundërta. Historia ka treguar që kur je pranë tyre, e ha më lehtë, pasi asnjë nuk e ka mendjen të mbrojë njeriun e thjeshtë.

I lëmë bletët në fatin e tyre, e kthehemi te problemet me rëndësi politiko-strategjike, të vendit tonë të vogël.

Para disa ditësh, ndodhi një incident diplomatik mjaft i rëndë, midis NATO-s dhe Turqisë. Njëri që merret me problemet logjistike, kishte vendosur në listën e armiqve të kësaj organizate edhe Taipin, të parin e Turqisë. Si ndodhi, përse ndodhi, a do të ndodhë më? Këto e të tjera pyetje të tjera jo si këto, i shpjegon në llafosjen e tij, shoku Viaho Ajazi, ish-kreu i SHISH-it.

Ja bashkëllafosja që bëmë me të.

Përshëndetje, shoku Visho, e urime për detyrën!

Shumë faleminderit, nga ana juaj!

Donim t'ju pyesnim, ju lutem! Përpara disa ditësh, takuat Kryeministrin e vendit. Çfarë diskutuar me të, meqenëse nuk përbëjnë sekret, e të na e thoni?

Diskutuam së pari, për detyrën e re. Do shkosh ti si i dërguari i Shqipërisë në NATO, më tha. Dhe më porositi që atje të përpiqesha që të rrisnim kapacitetet tona...

Antena: Kapacitetet mbrojtëse? Do përpiqemi të marrim armë të tjera, d.m.th.?

Visho Ajazi: Si fillim, do përpiqem të marr mish.

Antena: Si mish? Apo e thoni në mënyrë të fshehtë, për të marrë ndonjë top luftarak, meqë kemi shprehjen "mish për top"?

Visho Ajazi: Mish, or mish! Ç'top thua! Në fillim ushtria jonë ka nevojë për mish. Po hanë ushtarakët tanë, mish brazilian. Po i zë, më falni për shprehjen, purtha në stërvitje. S'kanë lënë ferrë pa përmjerrë. Kam të dhëna sekrete që edhe ushtarët të cilët dezertuan në Angli, gjysmën e kohës e kalojnë në hale, duke përmjerrë. Akoma nuk u janë rregulluar zorrët. Gjysmën tjetër, lajnë makina, se punojnë si lavazhierë të gjorët! Eee, sa di unë, por s'dua të hapem shumë!

Antena: Jeni i bindur për këto që thoni, apo i thoni nga inati që ju hoqi Kryeministri nga detyra?

Visho Ajazi: Sigurisht që jam i bindur. Këto i di edhe shoku Kryeministër. Ndaj e hoqi Mimin ai, se i mbetën ushtarët duke përmjerrë nëpër ferra, nga mishi që hanin. Kushedi sa të dhëna për ushtarakët që përmjerrin nëpër ferra, i ka dhënë ShIK-u. Eee, sa di unë, por s'dua të hapem shumë!

Antena: Unë kujtova se mos e hoqi për çështjen e radarëve...

Visha Ajazi: Jo mor, ç'radarë! Për radarët, vendoste vetë Edi. Për tenderët e mishit e hoqi, dëgjo mua. Desh na u vranë ushtarakët nëpër ferra. Ndaj vendosi Edi të ndalonte gjuetinë për pesë vjet.

Antena: Si, si thatë? Ndaj ndaloi gjuetinë. Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua!

Visho Ajazi: Po pra, ndaj vendosi ligjin që të ndalonte gjuetinë. Qëllonin gjuetarët në drejtim të të gjorëve ushtarakë që rrinin ferrave. Me aq buxhet sa harxhojnë qeveritë tona, për ushtrinë edhe mishin brazilian, mirë e kanë. Tani po iki, se më ka lënë Kryeministri një porosi.

Antena: Lidhur me atë incidentin në NATO, deshën t'ju pyesnim? Si është e mundur që...?

Visho Ajazi: Për këtë më foli edhe Kryeministri dje. Ma kij kujdes Taipin! - më tha, se si duket e ngatërrojnë nga mustaqet me Sadamin dhe e vënë në listat e armiqve. Pa merak, i thashë. Se mos kam punë tjetër për të bërë unë atje. Hallet tona si shtet, na i zgjidhin aleatët tanë. Nejse, sa të jem unë në NATO, mustaqet e Taipit nuk do ngatërrohen më...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: