“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoqja Albana Koçiu: Drejtuesit që s'kanë patur dikë në pushtet përpara vitit 90-të, do largohen nga detyra!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoqja Albana Koçiu: Drejtuesit që s'kanë patur dikë në pushtet përpara vitit 90-të, do largohen nga detyra!
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" kjo rubrikë tashmë e padashur nga shumë politikanë, ka mësuar se fituese te lotarisë së Policisë Rrugore, (kujtojmë se kjo lotari u krijua midis mjeteve që do ecin me shpejtësi të vogël në rrugë), janë shpallur paraprakisht 10 ambulanca dhe 10 mjete zjarrfikëse.

Asnjë mjet tjetër rrugor, nuk ecën më ngadalë se ato, e ky çmim ju takon.

Policia Rrugore u ka bërë thirrje mjeteve rrugore fituese që, ato të nisen sot, e mundësisht të mbërrijnë nesër paradite në ish-Kinostudio, për të tërhequr çmimet bashkë me shumën e parave.

Ne si antenë, kemi mësuar gjithashtu se, firma që ka marrë për detyrë të ndërtojnë pa gropa dhe gunga shumëkalimëshin në Fier, apo siç i thonë në shqip Bypass-in, është larguar nga vendi, apo siç thuhet në shqip "ju bëri gungën dhe gropën" punonjësve.

Shpresojmë që punëtorët, t'i marrin paratë e djersës së tyre, përpara darkës së Vitit të Ri.

Edhe nëse nuk i marrin deri atëherë, mos të shqetësohen, pasi qeveria ka menduar për prindërit e këtyre punonjësve, që janë në pension. Qeveria do u japë shpërblim të njëjtë me shumën që ju dha edhe një vit më parë.

Kjo tregon se qeveria, (kjo e tanishme, se ajo e Saliut një herë në disa vite kujtohej për shpërblimin), nuk bën dallim nëse një vit është zgjedhor, apo jo).

Edhe punonjësit e administratës madje, do marrin shpërblim.

E meqë ra llafi te administrata, po ju spiunojmë se dje, mundëm të takonim të parën e administratës, shoqen Albana Koçiu. E gjeta me kokën varur mbi tavolinë, nga pesha e punëve. Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoqja Albana! Nga antena kemi ardhur.

Shoqja Albana Koçiu: Nga Antena! Meruar jeni deri këtu?! Flisnim në telefon, pa problem.

Antena: Nga "Antena Jashtë Familjes". Morëm vesh për provimin që do kenë...

Shoqja: A, kuptova. Ja me të po merrem. Po përgatisim pyetjet. Për momentin nuk janë akoma gati.

Antena: A mund të na bëni publike ndonjë pyetje, shoqja Albana?

Shoqja Albana Koçiu: Posi jo, me kënaqësi! Pyetjet do jenë të tilla, p.sh., "Autoriteti Kombëtar i Ushqimit" do ketë pyetjen: Bananet e Cacit, a duhet të kontrollohen? Së pari, a e njihni kush është Caci? Ose pyetje nga hidrokarburet për ata të Inspektoratit që merret me to:

Nafta e shokut të Shefit tonë, a duhet kontrolluar? Nëse po, a do ikni vetë nga puna si inspektorë, apo t'ju heqim ne?

Antena: Po nëse nuk ikin vetë?

Shoqja Albana Koçiu: Atëherë do i heqim ne.

Antena: Kështu si thoni ju, ata mund të padisin institucionin në gjykatë.

Shoqja Albana Koçiu: Nuk do ketë aspak problem, pasi shumë gjyqtarë i kam ndihmuar unë që të vendoseshin me punë aty. Pastaj, ç'fat të kemi...

Anten: -Meqë ra llafi te fati. Ndonjë pyetje për inspektorët e lojërave të fatit, a mund ta bëni publike?

Shoqja Albana Koçiu: Një pyetje p.sh., do të jetë: A duhet që kur shkoni të kontrolloni pikat e lojërave të fatit, të keni fatin e keq që mos të merrni lekë?

Antena: Si duhet t'i përgjigjet inspektori, kësaj pyetjeje?

Shoqja Albana Koçiu: Përgjigja e saktë është "Po!"

Antena: Pra, duhet që të marrë lekë?

Shoqja Albana Koçiu: A t'i qenke aguridhe fare! Përgjigja ishte "po", pasi në logjikën formale, mohimi i mohimit përbën pohim. "Po, unë nuk duhet që të marr lekë nga kushdo që ka një biznes të lojërave të fatit", duhet të përgjigjet inspektori. Kuptoni?

Ka biznese që lekët ia japin direkt Njërit që e njoh mirë unë, e po e mori vesh Ai që inspektorët marrin ryshfet nga këto kompani ku luhet me kombinimin e ngjyrave të frutave, i "piu ngjyra e zezë". Largim direkt nga puna. Kuptoni? Gjithsesi jo të gjithë do kenë belara.

Antena: Që do të thotë se...?

Albana Koçiu: Ata që kanë bërë lekë dhe një pjesë të tyre dinë ku ta japin, nuk do largohen. Gjithashtu, ata drejtues që s'ishin të aftë për të bërë lekë, do largohen menjëherë.

Aftësia do të jetë bazë e matjes së punës; d.m.th. edhe ata drejtues që nuk kanë patur dikë në pushtet përpara viteve 90-të, do largohen nga detyra! Pikë!

Tani të më falni, se po përgatis pyetjet e tjera...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: