“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoqja Olta Xhaçka: Mbretëresha e Britanisë u mahnit me bukurinë time, ndaj do na ndihmojë...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoqja Olta Xhaçka: Mbretëresha e Britanisë u mahnit me bukurinë time, ndaj do na ndihmojë...
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me Ministren e Mbrojtjes, shoqen Olta Xhaçka, të cilën shkuam e takuam në Mat, teksa ajo po bënte vëzhgim, apo siç i thonë në gjuhën ushtarake dhe gazetareske, inspektim. Me të zhvilluam këtë bashkallafosje, teksa ecnim rrugës me baltë.

Antena: Përshëndetje shoqja Ministre!

Olta Xhaçka: Përshëndetje! Kush jeni ju?

Antena: Ne jemi "Antena Jashtë Familjes".

Olta Xhaçka: Nuk m'u ndanë antenat dhe radarët, mua të shkretës. Ç'dëshironi? Doni të sjell edhe te ju ndonjë fadromë, që të hapë rrugën për në fshatin tuaj?

Antena: Për momentin jo, se nuk na është bllokuar. Thjesht erdhëm t'ju komplimentojmë dhe t'ju pyesim: Si ndiheni pas kësaj vizite? Morëm vesh që këtë fshat me plot vuajtje dhe kusure, nuk kishte ardhur asnjë politikan i lartë, gjatë 25 viteve, e kusur.

Olta Xhaçka: E lodhur ndihem. Këmbën e djathtë nuk e ndjej fare. Të majtën, si e majtë që jam, e ndjej. Po nuk e ndjeva unë, kush mund ta ndjejë tjetër. Unë dhe Kryeministri, d.m.th.

Antena: Keni vendosur që të hapni rrugët e fshatrave, me ç'lexova. Urime për nismën!

Olta Xhaçka: Po është e vërtetë kjo që thoni. Kam menduar që çdo muaj, të bëjmë të mundur hapjen e rrugëve të fshatrave, me mjetet e rënda të ushtrisë. E kam menduar së bashku me Kryeministrin dhe do e realizojmë.

Antena: Do fusni forcat e ushtrisë në punë, d.m.th. Shumë mirë do bëni...!

Olta Xhaçka: E po punë tjetër nuk kanë. Asnjë nuk po na sulmon. Kështu më tha edhe Kryeministri.

Antena: Kaq shpesh që e mbani në gojë Kryeministrin, do e zë lemza.

Olta Xhaçka: Ne po s'mbajtëm të Kryeministrit, kujt do t’ia mbajmë emrin!

Antena: Po shoh që këmba e majtë ju dridhet. Mos jeni e sëmurë, shoqja Ministre?

Olta Xhaçka: Jo, unë vetë nuk kam asgjë për t'u shqetësuar. Thjesht tani po lundron një skaf në det. Është dridhje profesionale.

Antena: Dridhje profesionale?! Ç'do të thoni me këtë togfjalësh?

Olta Xhaçka: Kam ca muaj që më dridhet këmba e majtë...

Antena: Kur filloi të shfaqet kjo gjë?

Olta Xhaçka: Pasi mora vendin e shoqes Mimi, në Ministri të Mbrojtjes.

Antena: U shfaq menjëherë, apo erdhi e përshkallëzuar?

Olta Xhaçka: Menjëherë, por mos pyesni shumë ju lutem, se përbën sekret...!

Antena: Ne nuk keni si gazetarët e tjerë shoqja Olta, që dalin e bëhen tapë me uiski, a vodka nëpër lokalet ku mblidhen VIP-at... E shumta që do e themi, është në gazetë, tamam siç do ma thoni, jo siç do e thonë gojë pas goje...

Olta Xhaçka: Atëherë po e them. Para disa ditësh, sapo mora detyrën, erdhi e më takoi një gjeneral i ushtrisë britanike.

Antena: Po, po e mbaj mend si ngjarje.

Olta Xhaçka: Atë e kishte dërguar vetë Mbretëresha e Britanisë.

Antena: Kishte dërguar gjeneralin e ushtrisë së saj, vetë mbretëresha britanike?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Shumë faleminderit shoqja Ministre, që e ndave me mua këtë të dhënë, apo siç i themi në shqip, informacion.

Olta Xhaçka: I tillë duhet të jetë njeriu, të ndajë gjerat. Jo si disa ish socialistë që edhe në grevën e urisë nuk më jepnin as një copë pice që na sillte baza e partisë. Ndonjë copë të vogël buke të thekur më jepte ndonjëherë ai që tashmë është bërë bashkëshorti im.

Antena: Kot nuk thotë populli që, dashuria vjen nga stomaku.

Olta Xhaçka: Nejse... Sapo më kishte parë mbretëresha në televizor, kishte thënë: Po kjo çupa qenka alamet pjeshke. -Kush është kjo? kishte pyetur pastaj. Ata që i mbanin uturakun, i kishin thënë, që unë isha Ministre e Mbrojtjes së Shqipërisë. -Të shkojë gjenerali ynë Peach, (Pjeshka), që t'i bëjë një vizitë kësaj "Pjeshkës", kishte dhënë urdhër Mbretëresha në Londër. Dhe t'i plotësohet çdo kërkesë profesionale, me ulje çmimi, se qenka alamet femre!

Antena: Eeeehhh, lum ju, që jeni e bukur! Ishallah vazhdoni të rrini gjatë në këtë detyrë, pasi edhe ajo "pjeshka" e Tatimeve, e bukur ishte, por "ra shpejt nga pema".

Olta Xhaçka: Nuk i dihet politikës, por nuk besoj se do bie shpejt. Ndaj para disa ditësh p.sh, bëra vizitë në bazën tonë ajrore në Farkë, që të mësoj "të rri lart në fluturim".

Antena: A ju dha ndonjë gjë ai gjenerali i Ushtrisë Britanike, meqë kishte marrë edhe urdhër nga Mbretëresha që t'ju ndihmonte?

Olta Xhaçka: Po, po na dha llafin që do na sjellë ca radarë, për të kontrolluar mjetet që fluturojnë. Radarë që, nuk mund të fiken. Më ftoi edhe në Londër, për një vizitë pune.

Antena: Nuk besoj se do shkoni, pa u sjellë radarët. Kur mbërrijnë ato...?

Olta Xhaçka: Së shpejti, besoj. Sa të firmosë Mbretëresha dekretin. Asaj i merr kohë firmosja, se mezi e lëviz dorën e djathtë. Pleqëri hesapi. Pastaj edhe klima me reshje, bën të vetën. Shton reumatizmën. Por do vijnë besoj, brenda vitit. Deri atëherë, taksirati im.

Antena: Përse thoni, "taksirati im"?

Olta Xhaçka: Deri sa të vijnë radarët e rinj, do më dridhet këmba e majtë mua.

Antena: Ç'lidhje ka këmba e majtë, me radarët, shoqja Olta?!

Olta Xhaçka: Kur mora detyrën, më tha Kryeministri; "Këmbën të ngash, blerje radarësh deri në fund të vitit nuk ka!" Kështu që "po ngaj këmbën", derisa të vijnë radarët. Tani më është bërë këmba e majtë, radar. Sa del ndonjë skaf në det, apo ngrihet ndonjë helikopter në ajër, mua më dridhet direkt këmba...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: