“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet Toto Rina: Jam me origjinë nga Zharrëza e Myzeqesë. Dua këngën e Komisar Katanit...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet Toto Rina: Jam me origjinë nga Zharrëza e Myzeqesë. Dua këngën e Komisar Katanit...
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" sjell sot për ju, si fillim, një lajm mjaft të mirë.

Kryeministri Rama, në gazetën "Koha Financiare", apo siç i thonë në botë "Financial Times", ka dhënë një intervistë ku ka shpallur botërisht se, këtej e tutje, i ka vdekur mami muhabetit të luftës ndaj kanabisit dhe se qeveria, me hir apo me pahir, do ta fitojë betejën me mbjellësit e tij.

Edhe ne si rubrikë, i urojmë Kryeministrit tonë, ta fitojë këtë betejë kaq jetike.

Mendojmë se do ia dali, pasi deri vjet, shkalla e fitores ishte 99.8%, megjithëse kishte edhe dru të shtrembër në qeveri. I mbeten vetëm 0.2% punë. Hiç asgjë, krahasuar me vende si Kolumbia apo Venezuela, ku krimi po bën kërdinë, e ku qeveria mezi shkul 99.7 % të kanabisit të mbjellë nëpër xhungël, e që mezi shikohet edhe nga aeropllanët modernë.

E meqë ra llafi te aeropllanët: Përgëzojmë Kryeministrin për lajmin që na dha dje!

E kemi llafin për Kryeministrin e tanishëm, se ai që ishte, pra shoku Sali, iku me gjithë kompaninë ajrore shtetërore që krijoi.

Ky i tanishmi, lajmëroi se shumë shpejt do të nisë nga puna, kompania "Albania Airways". Nëse kjo kompani do jetë shtetërore a private, ne këtë akoma nuk e dimë, por na ha mendja, se sigurisht, private. Shoku Rama, si një socialist i vërtetë, ka vërtetuar se beson te privati, më shumë se shteti, që pjell burokraci e lidhje me mafien.

E meqë ra llafi te mafia, ne si rubrikë megjithëse e re, kemi siguruar nëpërmjet jo ryshfetit, diçka ekskluzive rreth mafiozit Toto Rina, përpara se të jepte shpirt. Ai i kishte thënë një gardiani që, të përcillej në banesën e tij, ndoshta të fundit, nën ritmin e muzikës.

Themi, "banesën, ndoshta të fundit" se ku i dihet se ç'ndodh më pas me varrin e tij, siç ka ndodhur në plot raste, me varret...

Mund që, varrezat të prishen dhe të mbushet me pallate, si në rastin e "Varrit të Bajramit", apo siç i thonë ndryshe "Vorri Bomit".

Mund t'i ndodhë p.sh., si në rastin e të gjorit Nako Spiru, që herë varrosej te qytetarët në Durrës, e herë te dëshmorët në Tiranë. Mavriu Nako, kushedi sa herë e ka bërë rrugën Durrës-Tiranë dhe kthim. Më shpesh e ka bërë Nakoja, se zëvendëskryeredaktori i gazetës sonë, që shkon e vjen përditë. Ndoshta kështu mund të ndodhë edhe me Toton. Ku i dihet, ç'sjell jeta. Vjen ndoshta një ditë, dhe Totoja shpallet hero, siç disa vetë e shpallën, në komentet e tyre në Facebook.

E meqë e kishim llafin te Totua, po ju tregojmë një sekret, që nisëm ta thoshim...

Përpara se "të shkonte në atë dynja", ai kontaktoi rubrikën tonë. Po, po e dëgjuat mirë.

Ishte një gardian me origjinë arbëreshe, i cili na telefonoi paraprakisht, e na tha që i famshmi Toto, donte të llafoste me ne.

Një gazetareje të redaksisë sonë, desh i ra të fikët kur dëgjoi këtë gjë, por e mbajta unë me duart e mia të forta, pa i futur duart në vende të buta.

Nejse, pa u zgjatur, ja bashkëllafosja e shkurtër që bëmë me Toto Rinën:

Toto Rina: Alo, Toto jam. Desha të flisja me gazetarin tuaj, Albert Zholi. Aty është?

Antena: Jo, për momentin ka dalë. Përse e doni? Mund të flisni me mua, shoku Toto!

Toto Rina: Meqë është intervista ime e fundit, e së shpejti do iki nga kjo jetë, ndaj e doja. Kam marrë vesh që, çdo shqiptar i famshëm që largohet nga jeta, intervistën e fundit e bën me Albertin. Ndaj dua edhe unë që ta kem këtë rast, si shqiptar që jam, ere.

Antena: Ju jeni shqiptar!? Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për rubrikën tonë...

Toto Rina: Jam arbëresh. Ndaj dua që në funeralin tim, të vendoset një këngë shqiptare. Origjinën, me sa më ka thënë mami, e kemi nga fshati Zharrëz i Fierit. Që ta dini ju, më pik' malli për atë vend. Kam dashur të vij, por nuk më lejojnë.

Antena: Nuk ju lejojnë se jeni në burg, sigurisht.

Toto Rina: Nuk më lejojnë mafiozët që nxjerrin naftë në atë zonë, ere. Ka mafiozë më të fuqishëm se unë, ta dish. Unë i ziu namin kam. Nuk kam kohë të llafos e ndaj po e përmbledh shpejt e shpejt. Dua që gjatë funeralit tim të këndohet kënga e bashkëfshatarëve të mi. Ajo ku i këndojnë Komisar Katanit. Ajo "...zhduke mafien, mafien italiane". Sa herë që e dëgjoj këtë këngë, qaj.

Antena: Jeni bërë pishman që vratë njerëz të ligjit, d.m.th.

Toto Rina: Mos më përdor fjalën turqisht "pishman", se nuk do i kemi mirë punët bashkë!

Po mos të vrisja unë p.sh., Falkonen, profesor Kabo nuk do kishte përse t'i pyeste ata juristët që do bënin "vetingun".

Qaj, ere qaj se, më pëlqen kënga e fshatarëve të mi që këndohet nëpër dasma. Ama, më qafsh ere, mos ma harro amanetin! Ja u paguaj unë shpenzimet atyre të grupit muzikor, ere. Sa bën, më thuaj. Le të vijnë të...

Në këtë moment, Totos ju fik llamba e zërit dhe iku nga kjo jetë. Ne, për respekt të parimit të informimit, menduam ta botonim bashkëllafosjen me këtë mafioz të famshëm që, siç na tha vetë, ka pasur frikë të vijë në Shqipëri, por megjithëse asnjëherë nuk e harroi vendin e origjinës...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: