HARRESA PËR 105-VJETORIN E PAVARËSISË - OPINION NGA ROLAND QAFOKU

HARRESA PËR 105-VJETORIN E PAVARËSISË - OPINION NGA ROLAND QAFOKU
Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga Roland Qafoku

Kryeministri Edi Rama kishte mundësinë, në këtë 28 nëntor, të tregonte si mund të organizohej një përvjetor model i shpalljes së pavarësisë. Njeriu që jo vetëm kritikoi, por përbuzi e u tall me atë që PD-ja bëri në 100-vjetor, duhet të tregonte në detyrën e tij, se si organizohej një festë perfekte. Në fakt, për disa detaje, Rama kishte të drejtë. Pamjet e tortës gjigante që u mor me legenë dhe kazanë nga një turmë e babëzitur, janë nga ato që na bëjnë të skuqemi si popull. Por nuk mund të harrohen lehtë, transferimi i shtatores së Ismail Qemalit nga Muzeu Historik Kombëtar, vendosja e saj në bulevard dhe deri te guri i çuditshëm prapa shpinës së tij, i krisur pak te cepi, që më shumë duhet ta ketë ideuar skulptor Koçi i teto Ollgës, se sa ndonjë anëtar i Komisionit Shtetëror të ngritur enkas për 100-vjetor. Nuk mund të harrohet as gafa e shtatores së presidentit Woodrow Wilson në sheshin e Tiranës së Re, që i mungojnë syzet, një element që e identifikonin aq shumë shefin e Shtëpisë së Bardhë. Për të mos vazhduar me organizimin skandaloz të protokollit që, pas ceremonisë, e la presidentin e Malajzisë të vetëm në sheshin “Skënderbej” dhe që nuk dinte se ku të shkonte. Fati e deshi që “të panjohurin”, e njohu ish-ministri i Jashtëm Arjan Starova, që e mori dhe e shoqëroi vetë deri në hotel. Por këto janë detajet e një dasme që përveç të mirave, ka edhe defekte. Pavarësisht kësaj, kryeministri Berisha duhet të vlerësohet që edhe pse mundësitë e asaj kohe ishin shumë të limituara, bëri shumë punë të mira dhe 100-vjetori mbetet më i miri i organizuar nga shteti shqiptar, që nga shpallja e pavarësisë! Por ironia është se jemi në situatën që përvjetori i 105-të, është pa asnjë organizim. E vini re? Askush nuk e zë në gojë. Askush nuk e përmend dhe askush nuk deklaron një organizim. Nuk e kemi fjalën për ministren e Kulturës, se ajo bën ndonjë punë vetëm nëse ia lë detyrë kryeministri, por fjalën e kemi ekskluzivisht për shefin e qeverisë. Dhe, në këto momente, jemi të detyruar të themi se më mirë një përvjetor me defekte, se sa pa përvjetor fare.

Kryeministri Rama e shpalli vitin 2018, vitin e Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar. Shumë mirë ka bërë edhe për faktin se vitin që vjen, presim të hapen negociatat për anëtarësim në BE dhe aleanca e Perëndimit me Skënderbeun, është prova më e mirë e kujtesës se Shqipëria, jo vetëm është në Europë gjeografikisht, por lidhjet e saj me të, zënë fill 500 vjet më parë, atëherë kur Shqipëria e vogël e mbrojti Perëndimin nga invadimi otoman.

Por përpara vitit 2018 është 2017-ta dhe 105-vjetori i themelimit të shtetit shqiptar, është shumë herë më i rëndësishëm. Ndërsa Skënderbeu na shërben si gravitet për t’u krenuar, se kemi qenë në të njëjtin nivel me Europën, shpallja e pavarësisë na zbret me këmbë në tokë. Na tregon se si ishim dhe ku jemi. Na tregon sa e donim Shqipërinë atëherë dhe sa e duam tani. Një shembull që paraardhësit tanë 105 vjet më parë, na e treguan me vepra; ata 83 delegatë dhe 40 firmëtarë që e deshën Shqipërinë, kur nuk kishte fare Shqipëri. Na tregon se shumë shqiptarë, dhanë nga pasuria e tyre për të bërë shtetin shqiptar. Se të gjithë themeluesit nuk jetojnë më, por na lanë trashëgim një shtet. Se shumë prej tyre u vranë dhe u persekutuan, ndërkohë ende nuk u kemi dhënë nderimin që meritojnë. Se shumë prej tyre nuk kanë fare varr dhe një pjesë e kanë jashtë kësaj Shqipërie, që e krijuan si shtet. Për t’i kuptuar këto, lexoni se me sa emocion e përshkruajnë dy firmëtarë, atë moment. I pari, Ismal Qemal Vlora:

“Menjëherë, pas votimi, të gjithë dolën nga salla për të ngritur, lart në shtëpinë time -në atë shtëpi ku kisha lindur e kishin jetuar stërgjyshërit e mi - mes brohoritjesh të mijëra njerëzve, flamurin lavdiplotë të Skënderbeut, i cili kishte fjetur i palosur gjatë këtyre 445 vjetëve të fundit. Ishte një çast i paharrueshëm për mua dhe ndjeva duart si më dridheshin emocionesh dhe krenarie, kur po ngulja në ballkonin e shtëpisë sime të hershme, flamurin e sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë”. (Ismail Qemali Kujtime, Faqe 418)

Dhe i dyti, Hajredin bej Cakrani:

“Ishim shumë të gëzuar, sa të rrënqethej mishtë, kur mileti i mbëledhur para shtëpisë së Xhemil beut dhe gjithë ai kallaballëk i madh nëpër oda, shkallë e avlli, ishin si mizë lisi. Në ballkonin e shtëpisë së Xhemil Beut, varnë një flamur që se ku e gjeti Ismail beu, po që ish edhe konaku ku kish lerë. Përjashta u mbluadh mileti nga të gjitha kazatë, shihje aty me qylafë, fshaçe, me guna, allafrënga. Të tërë bërtinin, rroftë për flamurë dhe për plakun, doemos se tërvit kur erdhi në Vlorë, vlonjatët ia hoqnë kuajtë e ia ngritnë karrocën në krah. Mileti ishte mizëri dhe bënin muhabet të gëzuara, kush e kush duhet të ishte i parë në të rejat që vinin, sesa telegrame u dërguan. (Hajredin bej Cakrani, Kujtimet e një firmëtari, Faqe 99-100)

Edi Rama që kur ka dashur ka shkëlqyer me idetë e tij, kishte rastin që më këtë 28 nëntor, të mbetej ne histori duke ndërtuar një panteon të atyre 40 firmëtarëve, për t’i nderuar për kryeveprën e tyre. Por çuditërisht, përballë heshtjes këtë vit, panteoni quhet luks. Ka nisur restaurimi i të gjitha varrezave të dëshmorëve të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në të gjithë vendin. Edhe kjo është një nismë për t’u përshëndetur. Por a ka dëshmorë dhe heronj më të mëdhenj se ata që e themeluan këtë shtet dhe që nuk e kanë emrin gjëkundi! Në Tiranë dhe rrethe vazhdojnë që rrugët të mbajnë emrat e çdo lloj “trimi” që nuk e dimë se si u vra. Por skandali është se rrallë rrugët e qyteteve tona mbajnë emrat e këtyre 40 firmëtarëve. Ironia është se edhe në vitet më të vështira të Shqipërisë, ky popull nuk e ka lënë pa festuar përvjetorin e pavarësisë. Festimet më të mëdha të Pavarësisë, janë në 20-vjetor - në 28 nëntor 1932, në 25-vjetor - në 28 nëntor 1937, në 50-vjetor më 1962 dhe në 100-vjetor-më 2012. Ndërsa të tjera si në vitet jubile apo edhe në vite të tjera, kanë qenë të thjeshta. Por asnjëherë Shqipëria nuk ka mbetur pa festuar. Për shumë vite, kam mbledhur fotografi të festimeve të përvjetorëve të Pavarësisë dhe përmes galerisë së krijuar, kam nxjerrë konkluzionin se në luftë e në paqe, në vështirësi dhe në jetë normale, shqiptari nuk e ka harruar kurrë atë 28 nëntor të vitit 1912, datën që na bënë më krenar se në çdo rast tjetër.

Se ata burra, jo vetëm shpallën shtete, por edhe i dhanë nga pasuria e tyre Shqipërisë. Si në këtë bisedë që Hajredin Cakrani, tregon se me çfarë do të mbahej shteti i sapongjizur. Ja çfarë i thotë Ismail Qemali Hajredin Cakranit, vetëm pak ditë pas shpalljes së Pavarësisë:

“Ndaj ti që nuk je kursyer që kur për vatanë, si ke thënë e ke bërë, do zgjidhëç qesen tënde, ti vësh nga lirat e floritë e tua. Po neve tashti kaq fuqi kemi, të të themi tu shtofshin e mos tu mbarofshin!”

Pikërisht për këtë arsye, amaneti i Ismail Qemalit për 10 fëmijët e tij, ishte:

“Bijtë e mi, nuk bëra pasuri. Po ju lë amanet një atdhe”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: