Igli Tare shtyn rinovimin e kontratës me Lazio, a është projektuar ai në krye të FSHF-së?

Igli Tare shtyn rinovimin e kontratës me Lazio, a është projektuar ai në krye të FSHF-së?
Ish-lojtarit të kombëtare sonë, Igli Tare, në fund të muajit qershor të vitit tjetër 2018 i skadon kontrata si Drejtor Sportiv i Lazio-s.  Vetëm pak muaj më herët në Shqipëri zhvillohen zgjedhjet për presidentin e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në rast se kreu aktual i FSHF-së, pas katër mandatave radhazi nuk do ta kandidojë për një mandat të pestë dhe me gjasa kështu do të ndodhë, mësohet se të vetmit që mund ta pasojnë atë janë dy nga ish-lojtarët më të shquar të dekadave të fundit, Igli Tare dhe Lorik Cana.

Sigurisht i pari ka përvojë më të madhe, por duket e vështirë të largohet nga Lazio.

Tare dhe Cana mund ta marrin së bashku drejtimin e FSHF-së, teksa është diskutuar se ata mund të çojnë përpara projektin e një lige të përbashkët futbolli mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Tare konsiderohet ndër njerëzit më të besuar të presidentit të ekipit italian, Claudio Lotito, e pikërisht për këtë arsye ky i fundit nuk dëshiron që ta humbasë.

Edhe pse duhen disa muaj nga përfundimi i kontratës, Presidenti i Lazios ka nisur prej disa kohësh tratativat me shqiptarin për të gjetur gjuhën e përbashkët që të vijohet bashkëpunimi mes tyre.

Sipas mediave italiane, Lolito i ka afruar Tares një tjetër kontratë 3-vjeçare, pas asaj që ai firmosi në vitin 2015, por shqiptari ende nuk e ka firmosur atë.

Për të provuar zotësinë e Igli Tares si drejtues, mjafton eksperienca e tij e fundit me Lazio. Skuadra e kryeqytetit italian është rreshtuar mes pretendenteve për titull këtë sezon si dhe merr pjesë në Kupat e Europës. Tare i solli Lazio dy portierë shqiptarë, Berishën e Strakoshën, të cilët po shkëlqejnë tek ky ekip. Tek Lazio nuk është vetëm kontrata e De Vrij tashmë e vështirë për t’u rinovuar.

Por edhe kontrata e Igli Tares. Ky i fundit është në pritje të një propozimi dhe garancie konkrete nga drejtuesit e shtetit dhe futbollit shqiptar. Tare, ashtu si edhe Cana, kanë ndërmend të rikthehen për të kandiduar për postin e presidentit aktual të  FSHF-së, vetëm nëse Armand Duka vendos të mos kandidojë për më tej.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: