Ish-ministri i Jashtëm komenton “Kretën”: Këngë, valle e darka, Kotzias mori atë që deshi

Ish-ministri i Jashtëm komenton “Kretën”: Këngë, valle e darka, Kotzias mori atë që deshi
Deputeti i Partisë Demokratike, ish-ministër i Jashtëm dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit të Jashtëm në Kuvend, Tritan Shehu, e shikon si me përfitim të njëanshëm takimin e Kretës.

“Ministri Kotzias, në fakt, mori atë që i nevojitej nga ai takim”, shkruan Shehu në rrjetet sociale.

Sipas ish-ministrit të Jashtëm, takimit i përshtatet titulli i Remarkut “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”.

“Mbas rreth 48 orë biseda të paraprira nga trumbeta propagandistike, midis Zz. Kotzias e Bushati, mbas disa këngëve, valleve e darkave aty, Ministria e Jashtme e Shqipërisë nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar për ecurinë. I vetmi burim zyrtar informacioni është njoftimi i parë i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, i cili, edhe “midis rreshtave”, nuk transmeton asnjë mesazh konkret”.

Duke vlerësuar si “gjithnjë pozitiv” çdo lloj takimi, Tritan Shehu akuzon “politikat rajonale aventureske të Rilindjes” që kanë “agravuar problemet prej vitesh” dhe se këto probleme nuk mund të zhbëheshin për 48 orë.

Ish-ministri përcakton edhe piketat, sipas tij, që mund të zgjidhin problemet me Greqinë:

“Për lëvizjen e lirë duhet të punohet menjëherë për tejkalimin e çështjes së toponimeve.

Për pronat duhet të aktivizohet komisioni i parashikuar në Traktat.

Për çështjen e “Ligjit të Luftës” dhe kufijve tokësorë duhet mbështetur përsëri në atë Traktat.

Për Marrëveshjen Detare duhet punuar mbi modelin e përparshëm të saj”.

Deputeti Shehu thotë se, “duke ecur me ‘hapa të shkurtra’, siç deklaroi Bushati në Komision, do të ngelim gjatë këtu ku jemi”. /a.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: