Ish-ministrja Kodheli: Ligji i luftës, akti i pamerituar por nuk mund të zgjidhet nga një vizitë 3-ditore

Ish-ministrja Kodheli: Ligji i luftës, akti i pamerituar por nuk mund të zgjidhet nga një vizitë 3-ditore
Ish-ministrja e Mbrojtjes, njëkohësisht kryetarja e Komisionit të Jashtëm parlamentar, Mimi Kodheli foli lidhur me bisedimet Shqipëri-Greqi, të zhvilluara gjatë fundjavës në Kretë mes ministrave të jashtëm Bushati e Kotzias.

Teksa u shpreh se këto bisedimet janë më pozitivet e të gjithë viteve, Kodheli deklaroi se së shpejti do të vij një traktat strategjik.

“Jam e bindur që dinamika do të na çojë drejt një traktati partneriteti strategjik, i nevojshëm për Shqipërinë aq sa edhe për Greqinë. Duhet të ecim në këtë rrugë duke shpresuar të heqim ligjin e luftës, por të heqim edhe probleme të tjera që na prekin, si kufiri detar. Probleme që sot duken si të pazgjidhshme, por në fakt nuk janë”, deklaroi Kodheli.

Lidhur me Ligjin e Luftës, ish-ministrja u shpreh se është një akt i pamerituar nga Shqipëria dhe se nuk reflekton marrëdhëniet e sotme.

“Ligji i luftës nuk na ka penguar të emigrojmë, të kalojmë pushimet në fqinjin jugor, apo i ka penguar grekët të vijnë tek ne, por heqja e tij është një çlirim për këdo të interesuar në mbarëvajtjen e punëve mes dy shteteve. Është dhënia e një të drejte, pasi jemi një vend që historikisht nuk është thënë të kemi pushtuar njeri apo të kemi treguar agresiv ndaj fqinjëve tanë. Nuk e kemi merituar asnjëherë vendosjen e një ligji lufte. Është e pamundur që problematika të ardhura nga thellësia e viteve dhe dekadave të mund të zgjidhen nga një vizitë 3-ditore”, tha Kodheli.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: