Juve feston e futet mes Inter e Napolit, në valle edhe Roma, përmbytje në “Olimpico”

Juve feston e futet mes Inter e Napolit, në valle edhe Roma, përmbytje në “Olimpico”
Inter la dy pikë, në përballjen e javës së 11-të të Seria A ndaj Torinos. Eder në 79 shpëtoi Inter nga humbja pas golit të Falque në 69’.

Barazimi zbriti Inter në vend të tretë, pasi fitoi Juventus ndaj Benevento, ndonëse me vështirësi duke u afruar vetëm një pikë larg nga kryesuesit e Napolit, që lanë gjithashtu dy pikë në trasnfertë me Kievon.

Por Inter mund të përfundojë në vend të katërt, nëse Lazio fiton me Udinen, ndeshje që u shty për shkak të shirave. Një diferencë prej dy pikësh ndan tre ekipet kryesuese të Seria A.

Juventus u befasua nga Benevento brenda në shtëpi, gjatë pjesës së parë pas golit të Ciciretti në 19’. Benevento në 10 javët e para nuk kishte marrë asnjë pikë, ndërkohë që mesfushori shqiptar i kësaj  skuadra Ledian Memushaj u la në stol. Berat Djimsiti ishte titullar e bëri një paraqitje të mirë. Në pjesën e dytë barazoi Higuain në 57’ e kaloi Juven në avantazh Cuadrado në 66’. Humbja e 11-të radhazi për ekipin e dy shqiptarëve të thirrur nga Panucci, për ndeshjen miqësore të 13 nëntorit ndaj Turqisë.

Fiorentina barazoi dy herë golat që realizoi Gerson në pjesën e parë të ndeshjes, por Manolas në fillim të pjesës së dytë kaloi në avantazh Romën, 3-2.  Tre minuta para se të mbyllej ndeshja Peroti vulosi fitoren në 4-2 për Romën. Kujtojmë se Roma ka një ndeshje më pak dhe me 27 pikë mund t’i shtohet valles për titull.

Napoli, kryesues i Seria A vuajti shumë ndaj Kievos në Verona për të gjetur rrugën e rrjetës, me qëllim që të përfitonte nga gabimi i Inter e të shkëputej në krye të klasifikimit. Sulmi i Napolit hasi vështirësi në mbrojtjen vendase, ndërsa Hysaj me shokë në mbrojtjen e Napolit garantuan portën të paprekur.

Kaljari përmbysi golin e shpejtë të Veronës, duke fituar 2-1 brenda në shtëpi.

Ndeshja mes Lazio e Udinese nuk u zhvillua për shkak të reshjeve të shumta. Një rrebesh shiu pushtoi Romën pak momente para se të nis kjo ndeshje, duke përmbytur pjesë të kryeqytetit italian ku përfshihej edhe stadiumi “Olimpico”. Tifozët e pranishëm, në pritje të këtij takimi, u lajmëruan nga spikeri që ndeshja anulohet për shkak të përmbytjes së fushës.

Në ora 18:00 Atalanta e Etrit Berishës përballet me Spal dhe në mbrëmje 20:45, Sasuolo pret Milan.

Një ditë më parë Crotone e Arlind Ajeti fitoi 3-2 ndaj Bolonjës ndërsa Sampdoria fitoi 2-0 në derbi ndaj Genoas, duke e zhytur këtë të fundit në zonën e ftohtë.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: