Kamer Qaka: Kur mora lajmin se do ta luaja për Shqipërinë, kam qarë 20 minuta

Kamer Qaka: Kur mora lajmin se do ta luaja për Shqipërinë, kam qarë 20 minuta
Kamer Qaka është lojtari më i ri që vjen në Kombëtaren shqiptare të futbollit.

Trajneri Christian Panucci, së fundmi i ka shtuar listës së tij të lojtarëve të grumbulluar edhe një tjetër futbollist, për shkak të pamundësisë së rikuperimit të Amir Abrashit, i cili vazhdon terapinë intensive të detyruar për riaftësimin e tij, në klubin e Freiburgut.

Është e pabesueshme, kam qarë për 20 minuta. U shokova. Idhujt e mi të fëmijërisë luajnë për Shqipërinë dhe nuk di çfarë të them. Ende nuk më besohet. Kam qenë në formë të mirë këtë vit dhe gjërat duken mjaft pozitive.

Dëgjova 3-4 javë më parë nga njerëz të rëndësishëm në Shqipëri se unë duhet të grumbullohesha në kombëtare dhe se isha mjaftueshëm i mirë për të merituar diçka të tillë. Më pas papritur mora një mesazh nga klubi ku më thanë se FSHF-ja i kishte kontaktuar për të më grumbulluar. Më telefonuan nga Shqipëria për të më pyetur nëse isha i gatshëm të bashkohesha me kombëtaren”, tha fillimisht Qaka.

Nuk kam folur direkt me Panuçin, por kam folur me disa njerëz të tjerë. Më pyetën: ‘A do të vish në kombëtare?’ Dhe unë u përgjigja: ‘Nuk është nevoja të më pyesni.’ Isha shumë i lumtur”, shtoi 22-vjeçari, i cili ka luajtur me ekipet përfaqësuese U-17 dhe U-19 të Norvegjisë.

Mesfushori foli edhe për zgjedhjen e tij përfundimtare sa i përket ekipit kombëtar, pas eksperiencës në Norvegji. “Unë dua të luaj për Shqipërinë, kjo është ëndrra ime. Stafi i Shqipërisë më ka parë të luaj, por unë dua të aktivizohem edhe për kombëtaren që të më shohin më shumë”, përfundoi Qaka.

Ai ka lindur në Kosovë në vitin 1995, luan në pozicionin e mesfushorit, dhe aktualisht aktivizohet në radhët e ekipit rumun të CSM Politehnica Iași.

Ekipi kombëtar i futbollit do të qëndrojë një javë në Antalia për të përgatitur ndeshjen miqësore të 13 nëntorit në Antalia me skuadrën përfaqësuese turke.

Mesfushori i ri i kombëtares shqiptare, Kamer Qaka, ka treguar emocionet e tij të para pas marrjes së ftesës së grumbullimit për median norvegjeze “Nettavisen”.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: